TIRANË
Avokati i Lefter Kokës, Fatmir Braka, foli për mediat jashtë dyerve të Gjykatës së Posaçme, pas vendimit të kësaj të fundit për ta lënë ish-ministrin e Mjedisit në burg.
Avokati Braka tha se Lefter koka si ministër nuk ka asnjë përgjegjësi për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa shtoi se do të ankimojë vendimin e GJKKO në Gjykatën e Apelit.
“E vërteta është që ai akuzohet për shpërdorim detyre, kur gjithë procedura, gjithë korrespondenca, që ai paraqiti sot është që aty nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk u tha sot nga prokuroria që ka marrë 3.7 milionë euro, përkundrazi dhe për korrupsionin që flitet si akuzë, duhet provuar që është bërë ky korrupsion. Edhe sot, edhe Lefter Koka, edhe neve, u morëm me veprën penale të shpërdorimit të detyrës si ministër.
Nuk ka përgjegjësi penale Lefter Koka për inceneratorin e Elbasanit si ministër.
Nuk është normale që ai të jetë person nën hetim, nuk është pyetur asnjëherë. Fillimi i këtij procesi ka qenë politik, që nga momenti i kallëzimit, në vazhdimësi dhe sot mora vesh që është bërë dhe një shtojcë nga LSI. Pra, është momenti politik që ka ndikuar në fillimin e kësaj çështjeje.
Nuk është normale që një person, ish-ministër, ish-deputet, kryetar bashkie, të merret befas nën hetim e të arrestohet, kur nuk është pyetur asnjëherë. Nuk është absolutisht normale që ish-ministri të merret i arrestuar, aq më tepër që nuk i shmanget procesi, nuk manipulon provat, u gjet në shtëpinë e tij. Kallëzimi është politik. Do bëjmë ankimin tonë në Gjykatën e Apelit”, tha avokati Braka.
(BalkanWeb)