NGA ORNELA MANJANI
Personat që kanë ndërtuar pa leje ose kanë një objekt karabina, të vetëdeklaruar pranë ALUIZNI-t, duhet ta njoftojnë këtë institucion përmes një deklarate noteriale në lidhje me destinacionin përfundimtar të objektit. Kjo deklaratë do të shërbejë për llogaritjes e vlerës së faturës së parcelës ndërtimore, evidentimin e ndërtimeve në terren nga ALUIZNI dhe për regjistrimin e tyre në Hipotekë.

Këto janë ndryshimet e fundit që ka miratuar qeveria në vendimin nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”.

Burime zyrtare nga ALUIZNI bëjnë të ditur se ndryshimet ligjore parashikojnë një sërë lehtësish në procedurat që ndjek ALUIZNI për evidentimin e ndërtimeve informale, të cilat do të ndikojnë në përshpejtimin e procesit të legalizimeve.

Ndryshimet
“Për një ndërtimin në terren, ALUIZNI nuk mund të përcaktojë funksionin e ndërtimit informal, sepse ai është i papërfunduar në vëllim; atëherë poseduesi i ndërtimit duhet të deklarojë destinacionin e përdorimit të tij, nëpërmjet një akti noterial.

Në rast të kundërt, funksioni prezumohet se është ‘social-ekonomik’. ALUIZNI nuk është përgjegjës, në asnjë rast, për ndryshimet e gjendjes ndërtimore apo të funksionit të ndërtimit informal, të realizuara pas evidentimit në terren (plotësimit të procesverbalit të konstatimit)”, thuhet në pikën 2 të ndryshimeve ligjore. Çka do të thotë se, personi që ka ndërtuar, është i detyruar të njoftojë ALUIZNI-n për destinacionin e ndërtimit. Mbi bazën e funksionit të ndërtimit do të llogaritet edhe fatura e parcelës ndërtimore të cilën duhet ta paguajë pronari i objektit.

Pagesa e parcelës
Shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin janë përcaktuar vlera, mundësia për pagesën në pjesë, si dhe afatet e shlyerjes. Pagesë e menjëhershme do të konsiderohet shlyerja nga poseduesi i ndërtimit pa leje i vlerës së parcelës ndërtimore, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit me shkrim.

Pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare; me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës. Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë. Nëse pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore kryhet menjëherë, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera.

ÇMIMI I SHITJES SË PARCELËS NDËRTIMORE PËR OBJEKTET ME FUNKSION BANIMI DHE TË PËRZIER
1. Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi (përfshirë dhe shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje), llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse.

3. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit të njësive administrative fshat, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 400 lekë apo më i madh se 1.500 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera-kufi.

4. Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit të njësive administrative qytet, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 500 lekë apo më i madh se 2.000 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera-kufi.

5. Për shtesat anësore dhe/ose në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror, i përllogaritur sipas kësaj pike, është më i vogël se 1.000 lekë apo më i madh se 3.000 lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera-kufi.

6. Për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme:
a) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social-ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: