Shtohen zërat brenda politikës pro liberalizimit e kultivimit të lëndes narkotike kanabis sativa. Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka mbështetur dje nismën duke argumentuar se “lufta kundër kanabisit është shumë e vështirë edhe ekonomikisht, me kosto mjaft të lartë në krahasim me liberalizimin apo dekriminalizimin e tij”.


Sipas Spahiut “përfitimet nuk do të ishin vetëm ekonomike”. Deputeti i LSI beson se “si pasojë e ligjshmërisë së procesit do të reduktohej edhe numri i personave të dënuar për kultivim të paligjshëm të kanabisit si rrjedhim do të reduktohej kostoja e mbajtjes në burg të të dënuarve”. Spahiu ka deklaruar gjithashtu se “ky proces nuk do të jetë i lehtë” ndaj dhe ka ngritur pyetjen nëse qeveria do të jetë apo jo e aftë të menaxhojë një proces të tillë.


Me këtë qëndrim deputeti i LSI-së i është bashkuar kësisoj qëndrimit të shprehur më herët për këtë çështje nga dy deputetët socialistë, Koço Kokëdhima dhe Vladimir Kosta, sipas të cilëve kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore do t’i sillte përfitime financiare familjeve shqiptare dhe shtetit. Por, ideja e tyre është kundërshtuar hapur dje nga ish-ministri demokrat i Shëndetësisë, Tritan Shehu, i cili është shprehur se “mirëqenie ai mund të sillte vetëm për ata që e zotërojnë një trafik të tillë. Çudirat e të majtës sonë nuk kanë kufi! – shkruan Shehu në një mesazh në ‘FB’. “Një tjetër deputet socialist kërkon të ashtuquajturin liberalizim të ‘kanabisit mjekësor’! Kjo sipas tij do të sillte ‘parajsën dhe mirëqenien’ në Shqipëri! Në fakt, një ‘parajsë subjektive’ mund ta sillte, kur konsumon kanabis, çdo gjë mund ta perceptosh rozë ose mavi! Po më tej vjen veçse ‘ferri’ i drogës. Mirëqenie mund të sillte për ata që e zotërojnë një trafik të tillë. Për shoqërinë do të sillte veçse kriminalitet e degradim”, – shkroi Shehu dy ditë më parë, në replikë ndaj qëndrimit të deputetit të PS, Vladimir Kosta.


(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb