NGA FATMIRA NIKOLLI

“Legjenda e një kështjelle” titullohet ekspozita që do të çojë në Strasburg disa artistë shkodranë, të brezave të ndryshëm. Në fletëpalosjen e bërë gati, fillimisht prezantohet legjenda e Rozafës, madje qyteti, dhe më pas secili artist dhe veprat që do ekspozohen prej tij. Ekspozita do të hapet në vitin 2017 dhe përgjatë një muaji veprat e artistëve shqiptarë do të shfaqen në sallat e ekspozimit të Këshillit të Evropës. Ekspozita përmban vepra nga artistë si Kol Idromeno, Danish Jukniu, Edi Hila, Sytki Brahimi, Merita Selimi, Fatvardh Kalvari, Pjerin Kolnikaj, Sadik Spahija, Joni Kraja, Adnan Kastrati, Lec Shkreli, Andi Hila, Vladimir Jani, Artan Draçini, Sidi Kanani dhe Eros Dibra.

Ekspozita e titulluar “Legjenda e një kështjellë”, kombinon vepra arti të artistëve të famshëm dhe artistëve të rinj me origjinë nga Shkodra, qytetit të njohur për traditën në muzikë, art, kulturë dhe sport. “Është qyteti i pionierëve si Marubi, Idromeno, Shiroka, Jakova, Gaci, Daija, Boriçi, Rragami, Palushi, Banushi, dhe shumë të tjerë. Qyteti ku prodhohen maska veneciane. Ekspozita tregon ndikimin e historisë së qytetit dhe legjendës së kështjellës, e ndërtuar në sajë të sakrificës së gruas e nënës së re Rozafës- në formimin e artistëve që e kanë bërë këtë qytet të ketë një rol udhëheqës në mbajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës, artit dhe sportit në të gjithë Shqipërinë”, shkruhet në fletëpalosje.

Punimet e kësaj ekspozite janë pjesë e koleksionit të madh të koleksionit privat të GALERIA KALO. Përzgjedhja e tyre e veçantë nën titullin “Legjenda e një kështjelle” është frymëzuar nga ideja se artistët që e kanë origjinën nga qytete e kështjella të rrethuara me mister dhe legjendë, e reflektojnë frymën e legjendave në artin e tyre. “Është e vërtetë në qoftë se dikush shikon pikturat e Edi Hilës. Puna e tij me titullin ‘Promenade’ mund të quhet shumë mirë ‘Një vajzë afrohet kështjellës’; puna e Sidi Kananit ‘Post-industrial’ mund të quhet ‘Një kështjellë bashkëkohore’; secila nga skulpturat e femrave të Sadik Spahisë dhe Pjerin Kolnikajt respektivisht, mund të ngjajnë me trupin e Rozafës, gruas së vëllait më të vogël i cili pranoi të sakrifikonte të shoqen për hir të diçkaje të madhe së cilës historia i bën jehonë brez pas brezi – ndërtimi i mureve të kështjellës më vonë mori emrin e saj, Rozafa.

Ka edhe vepra të tjera, si ‘Windows’ nga Andi Hila, që mund të na sjellë përsëri në mendje kohët kur kështjellat në Shqipëri rrethoheshin dhe muret e dritaret duhej të mbylleshin që të mos lejonin armiqtë të hynin, si te romani i shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare ‘Kështjella’, ku përshkruhet në mënyrë të përkryer si ishte koha kur kështjellat shqiptare ishin nën rrethim nga armiqtë”, vëren GALERIA KALO. Pikturat e Eros Dibrës sjellin diçka tjetër. Si një vendas, Eros Dibra sjell legjendat e qytetit të tij ndryshe- me shtëpi të ndërtuara, në afërsi të kalasë së Rozafës. Selvitë rrinë si Rozafa, ndërsa ajo pranoi aktin sublim – u sakrifikua.

Fletëpalosja shënon se Shkodra ka një numër të madh heronjsh që janë në qendër të legjendave dhe historive, si Gjergj Elez Alia, Muji e Halili, Kostandini. “Jeta e tyre heroike ka qenë shpesh në kanavacë dhe skulpturë, si edhe histori të tjera nga Berati, kështjella e Gjirokastrës etj. Ekspozita përpiqet modestish të sjellë disa nga tregimet në kujtesën e shqiptarëve, por edhe për të huajt, të cilët e njohin vetëm pak historinë e madhe dhe të vjetër të Shqipërisë së vogël. Është në lirinë e vizitorëve të ekspozitës për të interpretuar përmbajtjen e veprave të zgjedhura të kësaj ekspozite”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb