E shtunë tepër pozitive mund të cilësohet kjo për legjionarët tanë kuqezi. Mbi të gjithë është padyshim ai, Myrto Uzuni i cili gjeti një doppietë në fitoren 3-0 të Granadas ndaj Racing Santander. Dy golësh që e shndërron Uzunin në golashënuesin më të mië të historisë së klubit spanjoll, me 46 gola, ndërkohë që sa I takon këtij sezoni ai ishte i 11 sezonal.
Nuk shënon Kristjan Shpendi këtë fundjavë, por realizon vëllai i tij Stiven. E nëse jemi mësuar me golat e Krstjan Shpendit me Çesenën e tij, kësaj radhe, skuadra e bardhezi u mposht 1-0 nga Bari. Megjithatë golin e gjen vëllai I tij Stiven Shpendi, teksa Carrarese fitoi 1-0 ndaj Palermos.
Një rrjetë e tundur kundër Palermos në minutën e 77-të, që pati vlerë fitoren me rezultatin 1-0 për Karrarezen në javën e 16-të të Seria B.
Shpendi përfitoi mjaft mirë nga një gabim në prapavijën e Palermos, për të shënuar golin e vetëm të takimit. Stiven Shpendi ka realizuar deri më tani edhe dy asiste.21-vjeçari është i huazuar te Karrareze deri në fundin e sezonit nga skuadra e Empolit.
Paraqitje shumë e mirë ndërkohë edhe për Mirlind Dakun, i cili ishte autori i një asisti në fitoren me përmbysje të skuadrës së tij Rubin Kazan, 2-3 ndaj Dynamo Makhachkala. Tek goli shkoi ndërkohë shqiptari tjetër që luan me këtë skuadër Dardan Shabanhaxhaj.
Ernest Muçi mund të kishte qenë protagonist në ndeshjen mes Beshiktashit dhe Fenerbahçes edhe pse trajneri i tij e aktivizoi vetëm në minutën e dytë të kohës shtesë.
Sulmuesi shqiptar përfitoi nga pozicionimi i gabuar i miqve, të cilët ishin hedhur në sulm për të kërkuar golin e barazimit, dhe u shfaq përballë portierit Livakoviç. Kroati doli në kohë duke evituar golin që do të kishte mbyllur ç’do histori të këtij dueli të vendosur nga një gol i Oksleid-Çambërlein (73’).
Paraqitje shumë pozitive ndërkohë e Enea Mihaj, i cili ishte lider në mbrojtjen e skuadrës së tij Farmalicao, duke ndalur “dragonjtë” e Portos në barazim 1-1.