Gjatë takimit të komi sionit të përbashkët për transportin rrugor të udhëtarëve dhe mallrave midis Greqisë dhe Shqipërisë, u ra dakord që afati i vlefshmërisë së autorizimeve në transportin e pasagjerëve për të dyja palët do të jetë 3-vjeçar. Kjo gjë u bë me qëllim stabilizimin e mëtejshëm të linjave të transportit të pasagjerëve mes dy vendeve dhe operatorëve përkatës. Takimi u mbajt më 28-29 janar të këtij viti, në kryeqytet. Gjithashtu, në këtë takim palët ranë dakord për zgjidhjen e disa shqetësimeve të cilat janë ngritur nga pasagjerët dhe transportuesit e të dyja vendeve.

DISKUTIMET
Mësohet se në takimin mes dy palëve u diskutua dhe u ra dakord që transportuesit e të dyja palëve detyrohen që të informojnë paraprakisht autoritetet kompetente për përfundimin e bashkëpunimit në linjat e caktuara, brenda një periudhe 3 mujore. Gjatë kësaj periudhe, partneri i cili dëshiron të ndërpresë kontratën do të jetë i detyruar; të vazhdojë operimin e linjës me autobus për këtë periudhë me qellim sigurimin e vazhdimësisë së shërbimit për qytetarët ose t’i sigurojë partnerit të mbetur që kërkon të vazhdojë operimin e linjës i vetëm, vendin e nisjes së autobusëve dhe shërbimin e agjencisë. Kështu, të dyja palët marrin përsipër të aplikojnë sanksione dhe gjoba për moszbatimin e kësaj dispozite nga transportuesit përkatës.

Po ashtu, të dyja palët ranë dakord që të shtyjnë automatikisht të gjitha autorizimet aktuale të transportit të udhëtarëve për një periudhë tranzitore 4-mujore (deri në 31 maj 2016), brenda së cilës të gjitha shoqëritë e interesuara do të pajisen me autorizimet e reja pasi të paraqesin dokumentacionet përkatëse për marrjen e autorizimeve të reja, në ministritë përkatëse. Sipas tyre, kjo gjë u vendos me qëllim vazhdimin e kryerjes së shërbimit në linjat e rregullta, ku pala shqiptare ka njoftuar të gjithë autoritetet shqiptare të kontrollit për lejimin e kryerjes së shërbimit nga operatorët, të cilët aktualisht janë të pajisur me autorizim. Palët ranë dakord në parim për nevojën e riformatimit të linjave të miratuara për transportin e pasagjerëve, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, bazuar mbi disa parime bazë. Konkretisht, si: Përcaktimi i 8 linjave kryesore; mospërcaktimi si stacion i ndërmjetëm i qyteteve të origjinës; si dhe shfuqizimi i linjave të detyrueshme ndërkufitare. Ndërkaq, në takim u ra dakord edhe për nevojën e studimeve më të thelluara për sa më sipër, ndërsa u angazhuan ti kryejnë këto studime brenda dy muajsh dhe të mblidhen përsëri për të vendosur.

KËRKESAT
Në takim u kërkua mbështetja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Rrjeteve të Greqisë për përfshirjen e rrjetit hekurudhor shqiptar në projektin TENT, zgjatja e të cilit përfshin rrjetin hekurudhor shqiptar, si lidhje Pogradec- Kapshticë (Kristallopigi), si dhe zgjatimin si lidhje me hekurudhën e Greqisë. Pala greke u angazhua për mbështetjen dhe miratimin në një kohë të shpejtë të këtij projekti. Pala shqiptare kërkoi që të përdoren si të vlefshme biletat e të dyja vendeve. Vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme, pas miratimit nga ministritë respektive të financave.
(ed.me/Gazeta shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: