LEZHE- Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, ka arrestur sot Kapitenin e Portit të Shëngjinit, Shkëlqim Celami. Ai akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, u ekzekutua urdhri i ndalimit i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin Reoland Lekaj, pronar i mjetit lundrues “SARDA”, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga Neni 245/1 të Kodit Penal.
Ndërkohë u shpall në kërkim shtetasi B.Ç., me detyrë punonjës i Policisë në Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 të Kodit Penal.

Ndaj këtij punonjësi policie, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka dhënë masën e sigurimit personal “Arrest me burg”.

Nga një hetim 4-mujor, proaktiv, në bashkëpunim me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Lezhë dhe Durrës, duke vënë në përdorim metodat speciale të hetimit, rezultoi se punonjësi i Policisë me iniciale B.Ç., në bashkëpunim me shtetasin Reoland Lekaj kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj shtetasit Shkëlqim Celami, i cili ushtron detyrën e Kapitenit në Kapitenerinë e Portit Detar Shëngjin, për lëshimin në mënyrë të kundraligjshme të Dëshmisë së Aftësisë së Lundrimit për mjetet e vogla, në favor të shtetasit Reoland Lekaj, pronari i mjetit të lundrimit “SARDA”.

Kundrejt shpërblimit prej 3000 euro, të dhëna nga shtetasi Reoland Lekaj, me ndërmjetës punonjësin e Policisë B.Ç., kapiteni Celami krijoi favore për lëshimin në liqenin e Vaut të Dejës me dokumentacion jo të përshtatshëm të mjetit lundrues “SARDA”.

Mjeti i lundrimit së bashku me certifikatën e Dëshmisë së Aftësisë së Lundrimit, me vendim të organit të Prokurorisë, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: