Administratorët e 2 subjekteve në Dhërmi dhe Ksamil janë proceduar dhe po hetohen në gjendje të lirë nga policia në Vlorë.

Sipas komunikatës, policia thotë se në një beach-bar dhe në një lokal është lejuar muzika pas orarit të paracaktuar.

E.P., 34 vjeç dhe S. M., 37 vjeç, janë 2 administratorët të cilët janë proceduar penalisht për veprën penale ‘’Prishja e qetësisë publike’’.

Teksa policia thotë se vijon kontrollet dhe verifikimet për të parë nëse zbatohen apo jo oraret, tashmë tashmë materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

U konstatuan duke ushtruar aktivitet me muzikë në kundërshtim me rregullat e përcaktuara, procedohen penalisht administratorët e 2 subjekteve në Dhërmi dhe në Ksamil.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të komisariateve në varësi vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun Vlorë, për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike duke monitoruar subjektet që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje ose në kundërshtim me normat e lejuara të vendosura nga organet kompetente.

Si rezultat i kontrolleve, në 📍Dhërmi u konstatua një subjekt (beach-bar) ku gjenerohej muzikë në tejkalim të normave të lejuara, duke prishur qetësinë publike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet muzikore.

Po si rezultat i këtyre kontrolleve, në 📍Ksamil u konstatua një subjekt (lokal) ku gjenerohej muzikë jashtë orarit të përcaktuar, duke prishur qetësinë publike.

Për të dyja rastet u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për administratorët e subjekteve, shtetasit E. P., 34 vjeç dhe S. M., 37 vjeç.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët e subjekteve, që të zbatojnë oraret e përcaktuara dhe të mos prishin qetësinë publike, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb