DIBËR
Lëkundjet e mëngjesit të sotëm në verilindje të vendit kanë ngritur të tmerruar banorët nga shtrati dhe të gjithë kanë dalë në rrugë.
Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se Njësia Administrative Gjoricë në Dibër është një nga më të prekurat, ashtu si dhe fshati Topojan në Njësinë Administrative Shupenzë ku gjithashtu ka banesa të dëmtuara.
Njësia administrative Gjoricë ka pësuar plasaritje dhe dëmtime dhe punonjësit kanë dalë nga zyrat nga frika.
“Njësia administrative është dëmtuar. Punonjësit janë larguar nga frika.
Godina është e plasaritur, kanë rënë tjegullat dhe po kështu është dëmtuar dhe një kënd. Në Topojan 4 banesa të plasaritura dhe në njësinë Gjoricë ka banesa të dëmtuara”, raportoi gazetari Enver Doçi.
Ndërkohë banorët tregojnë se kanë ndjerë 4 lëkundje dhe se kanë dalë të gjithë jashtë.
“U frikësuam, dolëm të gjithë nga shtëpia. Kanë qenë 4 lëkundje. I treti ka qenë më i fortë”.
“Dolëm të gjithë përjashta. Prisnim ndonjë lëkundje më të madhe, por shyqyr nuk pati”.
“Dolëm jashtë nga frika, ec e mos dil”.
Po kështu mësohet se është mbledhur shtabi i emergjencave, ndërsa banorët i janë drejtuar njësive administrative ku po raportojnë dëmet.