Mes viktimave nga sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani është edhe 9-vjeçari André Gleißner, nëna e të cilit në homazhet e zhvilluara e etiketoi vogëlushin si “arushin e saj të vogël”.
Në tragjedinë e Magdeburg humbën jetën edhe 4 gra, ndërsa u plagosën 205 persona të tjerë. Një mjek saudit 50-vjeçar, i identifikuar si Taleb al-Abdulmohsen, u arrestua menjëherë pas sulmit me makinë ndaj qytetarëve që ndodheshin në tregun e Krishtlindjeve.
I dyshuari përballet me pesë akuza për vrasje.
Mamaja zemërthyer e Gleißner, Désirée, në një postim prekës në rrjetet sociale shkroi: “lëreni arushin tim të vogël të fluturojë përsëri nëpër botë”.
“André nuk i bëri asgjë askujt. Ai ishte me ne në Tokë vetëm për 9 vjet. Pse ndodhi? Vetëm pse? Nuk e kuptoj, tani je me gjyshen dhe gjyshin në parajsë. Ata të kanë munguar shumë ty, aq sa ti na mungon këtu neve tani. Do të jetosh gjithmonë në zemrat tona. Ta premtoj këtë”, shkruan e ëma e të miturit.
Një mik i familjes i tha The Sun se André po i priste me padurim Krishtlindjet. “Ai dëshironte të kalonte fundjavën e fundit me familjen e tij në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. Ajo ditë përfundoi në një tragjedi të pabesueshme. Andre ishte viktimë e atij sulmi të tmerrshëm dhe kurrë nuk do të jetë në gjendje t’i hapë dhuratat e tij. Me buzëqeshjen e tij, Andre lë një boshllëk të madh në zemrat e familjes së tij, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën”, u shpreh ai.
DJ i njohur gjerman, Jan Leyk, la një postim emocionues ku e përshkroi Gleißner si një “engjëll të vogël”.
“Ti ishe ende një fëmijë, një person i vogël i pafajshëm që sapo kishte filluar të zbulonte botën – një botë që supozohej të të donte dhe të mbronte. Në vend të kësaj, ajo të dështoi.
U prehsh në paqe engjëll i vogël, dashuria e familjes të rrethoftë përjetësisht”, thuhet në mesazhin e DJ.
Më shumë se 41,000 £ janë mbledhur në vetëm dy ditë në një GoFundMe për djalin e vogël.
Katër gra të moshave 45, 52, 67 dhe 75 kanë vdekur gjithashtu në sulmin fatal me makinë.
Zyrtarët ende kanë frikë se numri i vdekjeve mund të rritet me 41 prej të plagosurve ende në gjendje të rëndë. Kancelari gjerman Olaf Scholz u tha njerëzve të Magdeburgut se ai është ende “shumë i shqetësuar” për shëndetin e tyre.
Së bashku me pesë akuzat e vrasjes, al-Abdulmohsen po hetohet gjithashtu mbi 205 akuza për tentativë vrasjeje dhe lëndime të rënda trupore, tha prokurori Horst Walter Nopens.