E dashur studente!


I dashur student!


Sot ti po nis studimet universitare, një udhëtim i pashoq në rrugën e edukimit tënd që do të përcaktojë atë që ti do të bëhesh pas 3 ose 5 vitesh. Universiteti është shumë më tepër se godina hijerëndë ku je regjistruar, është aspirata e shumë brezave shqiptarësh, të cilët kanë investuar gjithë ç’kanë pasur në shtëpitë e tyre për arsimimin e fëmijëve. Universiteti yt është ndër ëndrrat më të hershme të familjes tënde për ty! Është edhe ëndrra jote se prej aty ti mund të projektosh veten në të ardhmen. Kur të shkelësh në fakultetin tënd, qëndro një çast e mendoje se kush do të bëhesh në përfundim të studimeve. Një gjë është e sigurtë, kur të kesh përfunduar do të jesh shumë më i formuar se sot, ditën e parë, do të jesh më i pjekur, më i aftë, më syçelët.


Ti sot duhesh përgëzuar shumë, jo thjesht për hapin që po ndërmerr për jetën tënde, por edhe që je ende këtu, në Shqipërinë tonë ku për fat të keq studentët pakësohen vit pas viti. Nuk është e lehtë të vendosësh që të qëndrosh, kur e ke mundësinë për të ikur. Universitetet tona mund të mos ofrojnë kushtet më të mira të mundshme, por kanë histori të shkëlqyer e kanë formësuar breza të tërë intelektualësh të këtij vendi. Në auditoret e universiteteve tona ka studentë të talentuar e të përkushtuar, ka pedagogë pasionantë që e dashurojnë punën që bëjnë, ka profesorat me merita të padiskutueshme. Pavarësisht dritëhijeve, universiteti sot e gjithë ditën mbetet institucion i vlerave.

Sot si ditë e parë, mund të shohësh pak rrëmujë, nga të tjerë që vijnë rrotull po si ti, me buzëqeshje të hutuara, në kërkim të auditorit, në kërkim të orarit, në kërkim të miqve. Gjeji këto e mos ik pa mësuar edhe ku ndodhet biblioteka e fakultetit. Tani që nuk je më nxënës, askush nuk do të të ndjekë nga pas që të mos i lësh orët e mësimit, e gjithë përgjegjësia tani bie mbi ty. Le ta pranojmë që ndonjëherë ndodh që kafja të jetë vend i këndshëm, sidomos në orët bosh. Por mësohu që orët bosh t’i shfrytëzosh për të shkuar në bibliotekë e për ta forcuar marrëdhënien tënde me literaturën.

Universiteti të jep çelësa për t’iu qasur dijes, por nuk të servir dije si një llokmë që duhet gëlltitur. Dijen e njohuritë duhet t’i kultivosh ti vetë përmes leximeve të thelluara, përmes studimit. Ji kritik duke argumentuar kurdoherë qëndrimin tënd e mos ki drojë ta thuash me zë çfarë mendon.

Të studiuarit ndonjëherë ndodh të të kthehet në një lloj sakrifice, veçanërisht nëse je fort i zellshëm, pak orë gjumi, pak zbavitje, shumë studim. Beso fort në atë thënien, “Mundi nuk të shkon asnjëherë kot”. Lëndët për të cilat do të japësh provime në fund të semestrit, nuk bën që të lihen për t’u mësuar vetëm gjatë sezonit. Ndaj biblioteka duhet të jetë vendi që do të vizitosh më shpesh gjatë studimeve të tua. Universiteti është vendi i idealeve të larta e i idealistëve, mendo se ty vetë e Shqipërinë tonë “Dritë e diturisë përpara do t’na shpjerë”.

I dashur student, e dashur studente!

Pavarësisht degës ku po studion, sot që je student/e e nesër kur të bëhesh profesionist i mirë, duhet të zotërosh në mënyrë të shkëlqyer gjuhën shqipe. Edukoje veten dhe ji i ndërgjegjshëm për domethënien që gjuha shqipe ka në të gjitha ato detyra kursi e punë me shkrim që do të kryesh. Asnjëra nuk do të jetë e përkryer nëse do të jetë shkruar me gabime drejtshkrimore e pa zbatuar normën gramatikore. Ky është detyrimi yt, universitari ynë më i ri!

Në kohën e lirë, gjeje e lexoje një libër të mirë, lexo publicistikë a letërsi të mirë. Edukoje veten edhe me të bukurën, me artin, filozofinë. Hape mendjen për këndvështrime të tjera në përpjekje për të ditur më shumë se dje. Mëso një gjuhë të huaj, njihu me teknologjinë e përdore atë në të mirë të studimeve që po kryen.

Siç ngjet rëndom, do të dëgjosh shumë që do të të thonë se në fund të studimeve do të marrësh “një copë karton”, duke iu referuar diplomës tënde universitare. Diploma jote do të jetë me të vërtetë një copë kartoni, nëse ajo është qëllimi në vetvete dhe jo të nxënët, jo edukimi yt intelektual. Puno për këto të fundit, sepse përpjekjet, studimi, leximet, do t’ia japin vlerën e mirëfilltë e të padiskutueshme diplomës tënde!

Kjo është koha jote për të shkëlqyer duke investuar te vetja, duke treguar se tanimë je i pjekur, se merr përsipër përgjegjësi jo vetëm personale, por edhe sociale! Të gjithë ne presim që ti të bësh ndryshimin! Suksese në universitet!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb