Me Serbinë të angazhuar në fazën “play-off” të Ligës së Kombeve, në fushë zbritën dy rivalët e tjerë të Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit, Andorra dhe Letonia. Rivalët tanë të radhës, Andorra, pësoi një humbje minimale 0-1 brenda në shtëpi.
Pas një pjesë të parë të mbyllur me rrejta të paprekura, Letonia i befasoi në minutën e 58-të me një gol të shënuar nga Sits, një gol që në fund rezultoi një trepikësh pasi rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore në transfertë, Letonia vërtetoi edhe një herë se nuk është një rival komod. Të hënën, në “Arenën Kombëtare”, Shqipëria pret Andorrën, një ndeshje ku tre pikët janë detyrim, çdo rezultat tjetër përveç fitores do të ndërlikonte menjëherë rrugëtimin e kuqezinjve në kualifikueset e Botërorit.
Trajneri Sylvinho pritet të përziejë kartat për këtë takim pasi mund të rikthehen disa titullarë, lojtarë si Ismajli apo Kumbulla që nuk ia dolën në kohë kundër Anglisë, por në dyshim mbetet Thomas Strakosha, me gardianin kuqezi që doli i dëmtuar nga Wembley.
(BalkanWeb)