SHBA – Prindërit e 26-vjeçares amerikane, Kayla Mueller, e cila u vra nga sulmet e Jordanisë ndaj bazave të ISIS, kanë publikuar letrën e vetme që vajza e tyre u kishte dërguar në pranverën e vitit 2014, kur mbahej e burgosur në qelitë e ISIS.
“Të gjithë ju, nëse e merrni këtë letër, kjo do të thotë që unë jam ende peng, por shoqet e qelisë sime (duke filluar nga 11/02/2014) janë liruar. U kam kërkuar të kontaktojnë me ju dhe t’ju dërgojnë këtë letër. Eshtë e vështirë të dish çfarë të thuash. Ju lutem, dua të dini se jam në një vend të sigurt, krejt e palënduar dhe shëndetplotë (në fakt kam vënë peshë); Jam trajtuar me respekt dhe mirësi maksimale. Do të doja t’ju shkruaja të gjithëve ju një letër të mirëmenduar (por nuk e dija nëse shoqet e qelisë do të largoheshin në ditët në vijim apo në muajt në vijim) dhe mu desh ta shkruaj letrën me paragrafë. Vetëm mendimi për ju më bën të më shpërthejnë lotët. Nëse mund të them se kam “vuajtur” përgjatë gjithë kësaj përvoje, kjo vuajtje ka ardhur vetëm duke menduar se çfarë ju kam bërë të ndieni; nuk do ju kërkoj asnjëherë të më falni sepse nuk e meritoj faljen. Më kujtohet mami që më thoshte se në fund e vetmja gjë që ti ke është Zoti. Kam mbërritur në një moment të përvojës sime ku, në çdo kuptim të fjalës, ia kam dorëzuar veten Krijuesit tonë, sepse në kuptimin e plotë të fjalës, nuk kisha askënd tjetër dhe me Zotin, prej lutjeve tuaja jam ndierë si në një djep, në rënie të lirë. Kam parë errësirën dhe dritën dhe kam mësuar se në çdo burg, njeriu mund të jetë i lirë. Jam mirënjohëse. Kam arritur të kuptoj se ka mirësi në çdo situatë, ndonjëherë thjeshtë duhet ta kërkojmë. Lutem çdo ditë që, në mos asgjë tjetër, të paktën ju të keni ndier një afri dhe një dorëzim tek Zoti gjithashtu dhe të keni krijuar një lidhje dashurie e mbështetje për njëri­tjetrin… Më mungoni të gjithë, sikur të ketë qenë një dekade ndarjeje me forcë. Kam patur shumë orë për të menduar, për të gjithë gjërat që do të bëj me lexim, për udhëtimin e parë me familjen, takimin e parë në aeroport. Kam patur shumë orë për të menduar se vetëm mungesa juaj më ka bërë sot, në moshën 25 vjec, të kuptoj vendin tuaj në jetën time. Secili prej jush është dhurata ime dhe unë nuk do të isha ky person nëse ju nuk do të ishit pjesë e jetës sime, nëse nuk ishit familja ime, mbështetja ime. Nuk dua që negociatat për lirimin tim të jenë detyra juaj, nëse ka një opsion tjetër rrokeni, edhe pse do të duhej më shumë kohë. Kjo nuk duhej të bëhej asnjëherë barra juaj. U kam kërkuar këtyre grave t’ju mbështesin; ju lutem pranojeni kërkesën e tyre. Nëse nuk e keni bërë ende mund të kontaktoni ata që kanë një nivel eksperience me këta njerëz. Askush nga ne nuk mund ta dinte që do të zgjaste kaq shumë, por edhe po luftoj në anën time në ato mënyra që mundem, kam ende shumë energji brenda meje për të luftuar. Nuk po thyhem dhe nuk do të dorëzohem, pavarësisht sa kohë do të duhet. Pak muaj më parë shkruajta një këngë që thotë: “Ajo pjesë e imja që më dhemb më shumë, më bën gjithashtu të ngrihem nga shtrati, pa shpresën tuaj nuk do të kish mbetur asgjë…” Mendimi i dhimbjes tuaj është burimi i dhimbjes sime, por njëkohësisht mendimi i ribashkimit tonë është burimi i forcës sime. Ju lutem bëni durim, jepjani dhimbjen tuaj Zotit. E di që do të donit që unë të mbetesha e fortë. Pikërisht këtë po bëj. Mos kini frikë për mua, vazhdoni të luteni ashtu si dhe unë dhe dashtë Zoti do të jemi shumë shpejt bashkë. Me gjithë dashurinë, Kayla.”
Zyrtarët amerikanë konfirmuan sot se punonjësja humanitare Kayla Mueller, që mbahej peng nga ISIS që në gusht të vitit 2013, është vrarë. Javën e kaluar, militantët e Shtetit Islamik thanë se ajo u vra nga një sulm ajror i Jordanisë në Siri.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb