Nga Dashnor Kaloçi
Ashtu siç kishte ndodhur në vitin 1949, kur Tirana zyrtare prishi dhe ndërpreu menjëherë marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë e Josif Broz Titos, në 1956-ën me Konferencën e Tiranës, kur udhëheqja e Kremlinit denoncoi krimet dhe kultin e Stalinit, apo në vitin 1961, me ndërprerjen përfundimtare të marrëdhënieve zyrtare me Bashkimin Sovjetik të Nikita Hrushovit, edhe në vitin 1979, me rastin prishjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës, me qëllim për t’i paraprirë ndonjë situate të pakëndshme, që mund t’u vinte nga gjallërimi i “armikut të klasës”, organet e Punëve të Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, rritën ndjeshëm vigjilencën dhe intensifikuan punën e tyre, duke arrestuar, dënuar dhe internuar, me qindra persona, kryesisht nga “klasat e përmbysura”, të cilat prisnin një ndryshim të situatës politike në vend, pasi udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye Enver Hoxhën, tashmë kishin mbetur vetëm dhe pa një mbështetje në arenën ndërkombëtare, siç kishin pasur Kinën e Mao Ce Dunit, që nga viti 1961, kur u shkëput përfundimisht nga Moska.
Kjo gjë, pra goditjet, arrestimet dhe dënimet në masë të “elementëve të deklasuar” dhe jo vetëm, veç të tjerash duket dhe nga ky dokument arkivor me siglën “Sekret” që po botojmë, (i cili publikohet për herë të parë), ku vetëm për periudhën 1977-1979, për një periudhë tre vjeçare, organet e Diktaturës së Proletariatit, arrestuan dhe dënuan 110 të rinj, (të moshës 14 deri 25 vjeç) të gjithë për faje politike. Pa llogaritur këtu, 310 të rinj të kësaj moshe, që ishin “këshilluar” nga organet e Sigurimit të Shtetit, si dhe 30 të tjerë, që ishin “demaskuar” në lagje, shkolla, reparte ushtarake, apo qendrat e punës dhe prodhimit.
E gjitha kjo situatë, e cila është përmbledhur në një raport-informacion të ministrisë së Punëve të Brendshme me titull; “Mbi veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse në radhët e të rinjve, gjatë periudhës 1977-1979”, që mban firmën e zv/ministrit Feçor Shehu, i është dërguar udhëheqjes më të lartë të PPSH-së, duke iu bërë prezent udhëheqësit kryesor, Enver Hoxha, dhe tre sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, Mehmet Shehut, Ramiz Alisë dhe Simon Stefanit, (Hysni Kapo kishte tre muaj që kishte vdekur).
Por, situata që është pasqyruar në atë raport-informacion që mban datën 4 dhjetor 1979, duket dhe me shumë gjasa që, jo vetëm nuk i ka pëlqyer fare Enver Hoxhës, por përkundrazi, ai është acaruar jashtë mase nga shifrat e dhëna nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, (për arrestimet, dënimet dhe internimet), aq sa ndryshe nga herët e tjera, kur Enveri, inkurajonte dhe i përgëzonte ata për punën e bërë në drejtim të goditjes së veprimtarisë armiqësore, këtë radhë ai i ka kritikuar ashpër ata, jo vetëm për numrin e madh të personave të dënuar, por ka hyrë deri në detaje, për akuzat e bëra ndaj tyre, duke u thënë se; “nuk duhen ngatërruar thyerjet e xhamave, me agjitacion e propagandë”, apo; “nuk duhet dënuar një i ri, që lëshoi lopën në parcelën e grurit të kooperativës”, etj., etj.
Në reagimin e tij, drejtuar ministrit Kadri Hazbiu, përveç shënimeve që ka vënë nga fillimi në fund të raport-informacionit, Enver Hoxha ka bërë dhe një përgjigje të veçantë (duke ja diktuar sekretarit të tij, Haxhi Kroi), ku ai ka folur edhe për emra konkret, si në rastin e profesor Arif Gashit në qytetin e Shkodrës, duke e marrë hapur në mbrojtje atë, ku mes të tjerash shkruan: “Unë nuk e di se çfarë bën Arif Gashi, por kam lexuar në ‘Zërin e Popullit’, artikuj kundër fesë, kundër idealizmit, etj., të përgatitur nga ana e tij. Në qoftë se nuk gabohem, Arifi është profesor në Shkodër, pikërisht për të dhënë filozofinë dhe, kur e shpjegon këtë, do flasë dhe për ideologjitë idealiste, ndryshe këto nuk luftohen”!
Ashtu si për Arif Gashin, Enver Hoxha ka reaguar dhe ka vënë shënime edhe në atë pjesë të raport-informacionit, ku flitet për arrestimin dhe dënimin e një grupi të rinjsh në qytetin e Tiranës, në vitin 1978 (të kryesuar nga Valer Dyrzi, Viron Dume, Sokol Kiç Ngjela, Vladimir Beqir Balluku, etj.), ku ai kërkon informacion më shumë rreth tyre!
Nuk dihet me saktësi, nëse ka ndikuar ky raport-informacion i ministrisë së Punëve të Brendshme me në krye Kadri Hazbiun, që “nxinte dhe e sterronte situatën”, duke nxjerrë në pah në një farë mënyre: “armiqësinë e popullit ndaj vijës së Partisë”, por është fakt se, vetëm katër muaj më pas, (26 prill 1980), Enver Hoxha mori vendimin dhe e hoqi Kadri Hazbiun nga ministria e Brendshme (që ai e drejtonte nga viti 1953), duke i dhënë atij portofolin e ministrit të Mbrojtjes Popullore, post që prej vitit 1974, e mbante Mehmet Shehu, të cilin gjithashtu, duket se Enveri e shikonte se kishte marrë shumë fuqi!
Ndërsa këto janë dhe mbeten vetëm në kuadrin e supozimeve, (që duhen investiguar, analizuar dhe shtjelluar më tej), për më shumë rreth raport-informacionit në fjalë, që çoi në “përplasjen”, apo konfliktin e thellë të Enver Hoxhës me Kadri Hazbiun, na njeh dokumenti në fjalë.
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT-INFORMACIONIN SEKRET TË DËRGUAR ENVER HOXHËS NGA ANA E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, LIDHUR ME ARRESTIMET, DËNIMET DHE INTERNIMET E BËRA NË GRUPET E TË RINJVE, NË VITET 1977-1979!
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr 5
DREJTORIA E PARË Tiranë, më 4.12.1979
Nr. 4777
L Ë N D A: Mbi veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse në radhët e të rinjve, gjatë periudhës 1977-1979.
SHOKUT ENVER HOXHA SHOKUT RAMIZ ALIA
SHOKUT MEHMET SHEHU SHOKUT SIMON STEFANI
Si rezultat i punës së gjithanshme e intensive që ka bërë Partia, organet shtetërore dhe organizatat e masave kundër kriminalitetit në tërësi, gjatë tre vjetëve të fundit, 1977-1979, në krahasim me periudhën 1974-1976, numri i personave në moshë të re, deri 25 vjeç, që janë arrestuar e gjykuar, është ulur në masën 26 %, ai i nxënësve dhe studentëve në 35.5%, i femrave 29.6 %, i anëtarëve të BRPSH-së 26.2 %.
Sipas llojeve të krimeve të kryera, gjendja paraqitet: me përjashtim të plagosjeve të rënda, për të cilat u janë dhënë për gjykim gjykatave të rretheve 28.6 % më shumë persona të këtyre moshave, për krimet e tjera janë dhënë më pak dhe konkretisht: për krime kundër shtetit 1 %, për përvetësim të pasurisë socialiste 6.6 %, për vjedhje të pasurisë së shtetasve 3.3 %, për vrasje me dashe 44 %, për krime seksuale 11.7 %, për grabitje 21.4 %, për qëndrim të pakujdesshëm në detyrë 35.8 %, për sjellje të padenjë në shoqëri 5.7 %, për krime kundër moralit 5 % dhe për krime të tjera, 60.6 %, më pak.
Sidoqoftë, pjesëmarrja dhe implikimi i personave të këtyre moshave në veprimtari armiqësore dhe keqbërëse (duke marrë parasysh edhe ata të dënuar nga gjykatat e lagjeve dhe të fshatrave, numri i tyre ka qenë në rritje), përbën një problem të mprehtë dhe mjaft shqetësues.
Mbi veprimtarinë armiqësore
Gjatë periudhës 1977-1979, për veprimtari armiqësore, janë arrestuar dhe dënuar 110 të rinj, demaskuar 31 dhe këshilluar 307. Aktualisht, nga radhët e elementit armik në moshë deri 25 vjeç, organet e Sigurimit ndjekin 22 çështje aktive, prej të cilëve 43.4 %, për agjitacion e propagandë, 23.7 %, për tendencë arratisje, 5.7 % për spiunazh, 16.3 % për përvetësim të pasurisë socialiste, etj. Nga studimi në tërësi i veprimtarisë armiqësore të zhvilluar gjatë viteve 1977-1979, nga radhët e të rinjve, rezulton se:
Së pari, ajo ka qenë intensive, e mprehtë dhe e shumëllojshme.
Në këtë drejtim, vazhdon të tërheq vëmendjen veçanërisht tendenca e arratisjes, për faktin se përveç 47 të rinjve që janë arratisur jashtë shtetit dhe mjaft të goditurve gjatë viteve 1977-1979, aktualisht por këtë tendencë, ndiqet një numër i konsiderueshëm personash në moshë të re. Problem përbën dhe agjitacion dhe propaganda armiqësore, si dhe disa prirje dhe përpjekje që janë vërejtur në radhët e të rinjve, për t’u grupuar e ndërmarrë veprime të organizuara. Këto kanë qenë më të theksuara tek disa të rinj në shkolla dhe qendra pune e, sidomos në qytetet kryesore të vendit: Tiranë, Shkodër, Korçë, Durrës, Elbasan, Peshkopi, Tepelenë, etj.
Me këto tendenca kanë qenë p.sh., grupi i disa të rinjve në qytetin e Tiranës, i kryesuar nga Valer Dyrzi, Viron Dume, Sokol Ngjela, Vladimir Balluku, etj., të zbuluar dhe goditur në vitin 1978, ku implikoheshin edhe mjaft të rinj të tjerë, të moshës 20 deri 25 vjeç. Këtë ishin futur në këtë veprimtari, qysh kur vazhdonin shkollën e mesme, duke u dhënë fillimisht pas jetës së shthurur, organizimi i mbrëmjeve me muzikë e kërcime dekadente etj., dhe duke kaluar pastaj gradualisht në aktivitet të mprehtë armiqësor, në formën e propagandës së ashpër në drejtime të ndryshme, e sidomos me objekt udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit dhe shfaqjen e mendimeve për të kryer akte terrori dhe për t’u arratisur jashtë shtetit.
Karakteristikë është se këto grupe armiqësore të zbuluara dhe goditura gjatë këtyre 3 viteve, janë krijuar fillimisht me 2 – 3 vetë, duke u zgjeruar pastaj në 10 dhe më shumë persona, që kanë kaluar gradualisht nga aktet ordinere, në veprimtari të mprehtë armiqësore të shprehur në formën e agjitacion e propagandës dhe në mendimet e dëshirat për akte terrori dhe arratisje jashtë shtetit.
Në këto kushte, organet e Sigurimit të Shtetit janë përpjekur dhe po përpiqen të marrin masa të gjithanshme dhe të shpejta, për të kapur dhe parandaluar në kohë këtë veprimtari, në mënyrë që të mos lejojnë futjen dhe implikimin në të, të shumë të rinjve.
Së dyti: veprimtaria armiqësore e kryer nga të rinjtë, është inspiruar, nxitur dhe organizuar, nga armiqtë e klasës.
Nga mjaft çështje të ndjekura këto tre vitet e fundit, del se pas veprimtarisë armiqësore të të rinjve, fshihet dora e elementëve antiparti, e ish-klerikëve, e të deklasuarve dhe kontingjenteve të zbulimeve të huaja. Kështu disa nga komplotistët, sabotatorët dhe lidhjet e tyre, si Beqir Balluku, Kiço Ngjela, Hasan Dume, Todi Lubonja etj., prej kohësh kanë punuar dhe janë përpjekur që në veprimtarinë armiqësore dhe antiparti, të tërheqin dhe fëmijët e të afërmit e tyre.
Në Gramsh disa të rinj ishin futur në veprimtari armiqësore, të influencuar nga elementi antiparti, Fadil Spahiu, i cili u fliste atyre vazhdimisht për jetën e shthurur; në Berat fëmijët e disa kulakëve dhe ish-kulakëve, të inspiruar nga veprimtaria armiqësore që zhvillonin prindërit dhe të afërmit e tyre, u futën aq thellë në këtë veprimtari, saqë krijuan një organizatë kriminale, duke bërë plane për zgjerimin e saj dhe për të ndërmarrë bashkërisht akte të mprehta terrori dhe diversioni në Kombinatin e Tekstileve Berat; në Pogradec, sipas deponimeve të bëra në hetuesi nga një i pandehur, del se propaganda armiqësore që i bënte vëllai dhe e ëma, të cilët ishin arratisur dhe riatdhesuar, ai e kishte bërë objekt bisedash edhe me një grup të rinjsh; një i ri në Lushnje, i influencuar nga shprehjet e vazhdueshme armiqësore që dëgjonte prej prindërit të tij, që ishin të pakënaqur ndaj pushtetit në rreth, ndikohet dhe futet në rrugë armiqësore, duke përgatitur dhe shpërndarë fletushka me parulla armiqësore për përmbysjen e pushtetit popullor; një tjetër i ri në qytetin e Shkodrës, për shkak se kishte të kaluar të keqe dhe nuk iu dha e drejta e studimit, i nxitur edhe nga dy ish klerikë, përgatiti dhe ndau në festën e Reçit, disa trakte armiqësore.
Në minierën e Memaliajit, një i deklasuar së bashku me elementin antiparti, Miho Gjini, u shprehën “keqardhjen” disa të rinjve punëtorë të minierës, për gjoja jetën e vështirë që bëjnë dhe, nga ana tjetër, iu mburrnin gjoja jetën e mirë që bën rinia jashtë shtetit.
Në Shkodër, elementët antiparti Arif Gashi dhe Marsha Zefi, së bashku edhe me disa ish-klerikë, si Zef Hardhija, etj., me qëllime të caktuara, nëpërmjet kontakteve me disa të rinj, kryesisht të shkollave të mesme e të larta, fillimisht me biseda gjoja miqësore, duke u “qarë hallin”, se atyre nuk u jepej jepet mundësia të dëfrejnë e të argëtohen lirisht, janë përpjekurit t’i komprometojnë e t’i fusnin në veprimtari armiqësore; ndërsa në Korçë, agjenti i zbulimit jugosllav, Kiço Venetiku, që u godit në vitin 1977, me pretekstin e konsultimeve e të ndihmës për t’u mësuar gjuhë të huaja, grumbullonte të rinj në shtëpinë e tij dhe i përpunonte ata ideologjikisht, u fliste për idealizmin, për metodat metafizike të njohjes, për fenë dhe besimin që duhet të kishin ata në një fuqi të mbinatyrshme dhe, në mjaft raste, herë në mënyrë të kamufluar dhe herë të hapët, u fliste kundër Partisë dhe pushtetit popullor.
Në këtë rrethana, mbështetur në porositë e vazhdueshme të Partisë, organet e Sigurimit kanë tërhequr konkluzionet dhe po thellojnë punën për të zbuluar në kohë dhe goditur fort, në radhë të parë, elementin armik konsekuent, që përpiqet të tërheqë rininë në veprimtarinë e tij armiqësore, si dhe vetë ata persona në moshë të re, me prejardhje dhe qëndrim aktual armiqësor, duke shpëtuar nëpërmjet këshillimit personat që bien viktimë të kësaj veprimtarie.
Së treti: ashtu sikur veprimtaria armiqësore dhe keqbërëse në tërësi, edhe ajo në drejtim të rinisë, ka qenë dhe është e lidhur ngushtë me veprimtarinë armiqësore që zhvillohet nga jashtë.
Në këtë drejtim tërheqin vëmendjen sidomos ndikimet negative që ushtrojnë emisionet radio-televizive të stacioneve të huaja, që janë ndjekur dhe vazhdojnë të ndiqen në disa rrethe të vendit tonë, korrespodenca e literatura e huaj, turistët, vizitorët, shoferët, specialistët dhe pjesëtarët e grupeve të ndryshme kulturore-sportive, të ardhura gjatë kësaj periudhe në vendin tonë, etj., të cilët, me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, direkt apo indirekt, janë përpjekur të kultivojnë e përhapur tek njerëzit tanë, në radhë të parë tek ata në moshë të re, frymën e liberalizmit dhe të shthurjes, të a politizimit dhe të degjenerimit borgjezo-revizionist, me pikësynim që të zgjerojnë radhët e bartësve të ideologjisë së huaj, për të hedhur këta pastaj në veprimtari armiqësore.
Nga ky ndikim më të prekshëm kanë qenë sidomos disa të rinj student, nxënës e punëtorë në qytetet kryesore të vendit, si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, etj., në radhët e të cilëve janë evidencuar e ndjekur edhe më shumë të dhëna për veprimtari armiqësore. Kështu disa intelektualë të rinj të shkollave të mesme, jo vetëm që kanë lexuar dhe shpërndarë në rrethet e tyre shoqërore, literaturë të ndaluar e materiale pornografike, por kanë bërë edhe komente, duke mburrur e lavdëruar përfaqësuesit e artit dhe letërsisë dekadente të Perëndimit: disa të rinj të Institutit të Lartë të Arteve, imitojnë këngëtarët e huaj, disa të tjerë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, kanë organizuar mbrëmje dëfrimi me muzikë dekadente të incizuara e me kërcime të shthurura. Ka dhe mjaft të rinj të tjerë, që në veshje, sjellje dhe qëndrime, përpiqen të imitojnë shijet e rinisë në vendet borgjeze dhe revizioniste.
Lidhur me sa sipër, organeve të Sigurimit të Shtetit, u del detyrë të evidencojnë më me kujdes këto influenca negative dhe të ngrenë më shumë probleme të kësaj natyre para organeve të Partisë, në qendër dhe në rrethe, me qëllim që, krahas forcimit vazhdimisht të punës politike-ideologjike me masën e rinisë, të merren masat e duhura, për të ngushtuar gjithnjë e më shumë, efektet negative të tyre.
II Mbi veprimtarinë keqbërëse
Gjatë tre vjetëve të fundit, 1977-1979, janë futur në veprimtari keqbërëse 8511 të rinj (14-25 vjeç), nga të cilët 4966 janë të dënuar penalisht nga gjykatat e rretheve dhe 3218, me masa administrative nga gjykatat e lagjeve dhe të fshatrave. Më e përhapur veprimtaria keqbërëse tek moshat e reja, sidomos vjedhjet e pasurisë socialiste e të shtetasve, qëndrimet e pakujdesshme në detyrë, sjelljet e padenja në shoqëri, krimet kundër moralit etj., kanë qenë në rrethet Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Berat, Fier, Korçë e Krujë. Në Tiranë p.sh., vetëm gjatë vitit 1978, elementi nga moshat e reja zinte 53 % të të gjithë pjesëmarrësve në krime, pjesa dërmuese e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar për krimin e përvetësimit të pasurisë së shtetasve e, kryesisht vjedhjet e biçikletave, të xhepave dhe banesave.
Shpeshherë këto krime janë kryer edhe në grupe të organizuara, siç është rasti i vjedhësit Neim H….., i cili së bashku me 4 të tjerë, kishte vjedhur 26 biçikleta, ai i grupit të kryesuar nga Budjon A….., që ju vërtetuan 12 raste vjedhjesh biçikletash, të cilat i shiste në rrethe të ndryshme të vendit, etj. Ndër personat me moshë të re që kanë kryer krime të ndryshme, krahas atyre me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, siç janë përsëritësit dhe parazitët, problem mjaft shqetësues përbën implikimi në veprimtari keqbërëse i nxënësve të shkollave, për shkakun se gjatë tre viteve të fundit, 1977-1979, janë dënuar 2052 nxënës, ndër të cilët 356 me masa veprimtari keqbërëse edhe 1667 nxënës nën 14 vjeç.
Si rezultat i punës së pamjaftueshme që bëhet nga familja dhe shkolla, organizatat e rinisë dhe të pionierit, për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve me dashurinë për punën dhe patriotizmin për të shërbyer atje ku ka nevojë, ka ende mjaft të rinj që kanë mbaruar shkollën tetë-vjeçare e të mesme, të cilët rrinë pa punë dhe nuk pranojnë të shkojnë në bujqësi, në minierë, në ndërtim dhe në sektorë të tjerë ku prodhohen të mirat materiale. Në disa shkolla të mesme, po kultivohet edhe koncepti i dëmshëm se: “edhe të mësojmë edhe të mos mësojmë, është njëlloj, pasi brezi i gjelbër na pret” (është fjala për sektorin e bujqësisë).
Krahas veprimtarisë armiqësore dhe keqbërëse, tek mjaft të rinj, sidomos në rrethet Tiranë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Krujë etj., megjithëse në një masë më të kufizuar, vazhdojnë akoma të shfaqen disa fenomene negative të paraqitjes së jashtme, modës ekstravagante, veshjes, flokëve të gjata, etj., që vijnë në kundërshtim me etikën tonë socialiste, si dhe sjelljet e padenja dhe të prishjes së rendit e të qetësisë. Në disa raste këto fenomene kanë marrë trajta të mprehta dhe kanë krijuar shqetësime.
I tillë ishte p.sh., rasti i tre të rinjve në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, i cili gjatë shfaqjes që jepte te Klubi i Kombinatit shkolla “Petro Nini Luarasi”, arritën deri në rrahjen e nxënësve, rasti i “tifozëve” të Tiranës në tren, kur po ktheheshin nga ndeshja me futbollit me Kavajën, që manifestuan akte rrugaçërie skandaloze, duke goditur qytetarët me gurë dhe duke thyer xhamat e trenit dhe orenditë e pajisjet e tij, ose akti i një grupi të rinjsh në Tiranë që, pa asnjë shkak, sulmuan nxënësit e shkollës së shurdh-memecëve, duke i goditur me grshta, gurë etj.
Tendenca, fenomene e shfaqje të tilla negative, janë manifestuar më shumë në klube, trotuare, lulishte, stadiume, kinema, teatër dhe në stacionet e linjave urbanistike, në autobusët urban dhe stacionet hekurudhore, ku mjaft prej këtyre të rinjve me këto prirje, në grupe të vogla, me flokë dhe veshje të çrregullta, duke qëndruar në këto vende, mbajnë qëndrime ofenduese ndaj kalimtarëve., ngacmojnë femrat, u flasin me fjalë banale, ose u hedhin bishta cigaresh, tallen me të moshuarit, etj.
Organet e Punëve të Brendshme, kanë tërhequr konkluzione dhe kanë përcaktuar detyra me qëllim që, krahas forcimit në tërësi të punës, për të zbuluar dhe goditur në kohë e thellësi veprimtarinë armiqësore e keqbërëse, të organizohet më mirë dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre me organet e pushtetit, të Prokurorisë dhe gjykatave, si dhe me organizatat e rinisë dhe gjithë organizatat e tjera të masave, për një luftë edhe më efikase në drejtim të parandalimit të kriminalitetit në moshat e reja.
ZV. MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
FEÇOR SHEHU
DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E ENVER HOXHËS, DËRGUAR MINISTRIT TË BRENDSHME KADRI HAZBIU, LIDHUR ME RAPORT-INFORMACIONIN E DËRGUAR NË ADRESË TË TIJ, NGA ANA E ZV. MINISTRIT TË BRENDSHËM FEÇOR SHEHU
PARTIA E PUNËS SHQIPËRISË S e k r e t
KOMITETI QENDROR
Nr. 7207 Prot. Tiranë, më 4.12.1979
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
(Shokut Kadri Hazbiu)
K Ë T U
Më poshtë po ju transmetoj porositë që ju jep shoku Enver, në shkresën Nr. 4777, sekret, datë 4. XII. 1979, që i keni dërguar, ku bëhet fjalë mbi veprimtarinë armiqësore dhe keqbërëse në radhët e të rinjve gjatë periudhës 1977-1979. Mbi këtë shkresë, ai ka shkruar në adresën tuaj:
Shoku Kadri,
Ky raport, sidomos për rininë, më lë përshtypje se është shumë pesimist. Konkluzionet që nxirren aty, nuk janë kurdoherë të sakta, përzihet “thyerja e xhamave” me tendencën e arratisjes. Ruhuni nga konkluzionet e shpejtuara, nga “informatat” për agjitacion e propagandë. Duhen bërë dallime midis krimeve të rrezikshme, dhe atyre siç është akti që një i ri dënohet nga gjykata e fshatit, pse lëshoi lopën në grurin e kooperativës, (gjë që as këtë, nuk duhet ta bëjë dhe Partia duhet ta edukojë). Tifozlliku në stadiumet tona, nuk duhet të ekzistojë, prandaj Partia të punojë që t’i edukojë njerëzit, po kjo shfaqje nuk duhet të klasifikohet si “degjenerim”.
Me fjalë të tjera, Sigurimi i Shtetit duhet të jetë vigjilent, t’i gjurmojë dhe t’i diktojë armiqtë, po të ruhet nga tendenca, se jo çdo thënie që nuk tingëllon mirë, të cilësohet si armiqësore. Unë nuk e di se çfarë bën Arif Gashi, por kam lexuar në “Zërin e Popullit”, artikuj kundër fesë, kundër idealizmit, etj., të përgatitur nga ana e tij. Në qoftë se nuk gabohem, Arifi është profesor në Shkodër, pikërisht për të dhënë filozofinë dhe, kur e shpjegon këtë, do flasë dhe për ideologjitë idealiste, ndryshe këto nuk luftohen.
Ose të gjykohet dhe të klasifikohet një mësues tjetër, si armik, se u thotë nxënëseve të rinj që; “duhet edhe të zbavitemi”. Kjo do të ishte e gabuar. Është tjetër çështje kur një element i hedh ata në rrugën e rrugaçërisë, të pornografisë, etj./ Memorie.al