Publikohet dokumenti arkivor me raportin “Tepër sekret” të vitit 1980, ku Ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, informon Enver Hoxhën, “mbi disa shfaqje negative” në rradhët e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, të ndodhura në Shkodër, Durrës dhe Burrel, ku midis të tjerash i bën me dije mbi ngjarjen me oficerin e Sigurimit në rrethin e Shkodrës që ndihmoi një vajzë të internuar si dhe atë të punëtorit operativ, Gj. Gjoni, në qytetin e Burrelit, që inskenoi dy dëshmitarë të rremë për të dënuar një të arrestuar…

Edhe pse organet dhe efektivët e Ministrisë së Punëve të Brendëshme ishin ngarkuar dhe punonin për “parandalimin dhe zbulimin e veprimeve e ngjarjeve të kundraligjëshme”, herë pas here edhe në vetë rradhët e tyre kishte abuzime nga më të ndryshmet, (pa përfshirë këtu ato ngjarje të karakterit “politik”, ku abuzimi me detyrën ndaj personave që survejoheshin, ndiqeshin, procedoheshin, arrestoheshin, hetoeshin dhe dënoheshin, pothuaj ishte ngritur në sistem).

Lidhur me këtë, pra me abuzimet në rradhët vetë efektivit të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, bën fjalë dhe një raport-informacion që i përket ngjarjeve të ndodhura në periudhën korrik-gusht 1980, ku Ministri i Punëve të Brendshëm, Feçor Shehu, informon sekretarin e parë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxhën, duke i bërë me dije për “disa shfaqje negative” që kanë ndodhur në vetë rradhët e efektivave që ai drejtonte, konkretisht në degët e Punëve të Brendëshme të Shkodrës, Durrësit dhe Burrelit, shkruan Memorie.al.

Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë që po e publikojmë në këtë shkrim, “më problematike” paraqitej ngjarja e ndodhur në Degën e Brendëshme të Shkodrës, ku oficeri i Sigurimit Xh. R. me detyrë punëtor Operativ, është arrestuar për arsye se “ka fallsifikuar dokumentet për të ndihmuar një vajzë të internuar për qëllime të ulëta”. Nuk dihet me saktësi, nëse qëndron ajo akuzë që është bërë ndaj atij oficeri të Sigurimit, për të cilën edhe është arrestuar, apo ai e ka ndihmuar atë vajzë thjesht për qëllime humane, (ka pasur edhe raste të tilla, ndonëse të rralla), pa asnjë lloj përftimi tjetër?! Gjë e cila si duket i “ka tërbuar” eprorët e tij, që i kanë vënë hekurat menjeherë. Si për ironi të fatit, si akuza në fjalë që i bëhej punëtorit operativ të Shkodrës, vetëm afro dy vjet më pas, do të kishte “me shumicë” ndaj vetë Ministrit Feçor Shehu në gjyqin ndaj tij, gjëra të cilat tashmë janë të njohur dhe të bëra publike edhe nga një numër i madh dokumentash arkivore të publikura pas viteve ’90-të. (Dokumenti në fjalë publikohet i plotë, por me iniciale të emrit të punëtorit operativ të Shkodrës që është arrestuar).

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE SEKRET

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PARE
Nr. 3436 Tiranë, më 29.8.1980

LENDA: Mbi disa çështje të veprimtarisë armiqësore e keqëbërse gjatë muajve korrik-gusht dhe ngjarjet negative në rradhët e vetë efektivit të MPB
SEKRETARIT TE PARE TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT ENVER HOXHA

TIRANE
MBI DISA SHFAQJE NEGATIVE NE RRADHET E EFEKTIVIT TE MINISTRISE SE PUNEVE TE BRENDESHME

Në kuadrin e masave që kemi marrë për kuptimin dhe zbatimin e mësimeve të Partisë dhe shokut Enver, ne punuam në mënyrë të organizuar në të gjithë sistemin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme fjalimet e shokut Enver të muajit prill në Byrponë Politike e Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe Sekretariatit të K.Q. mbi forcimin e disiplinës në forcat e armatosura, të cilat po çojnë në forcimin e mëtejshëm të disiplinës e të ligjishmërisë dhe përsosjen e figurës morale-politike të kuadrit e gjithë efektivit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kjo duket veç të tjerave, edhe në uljen e ngjarjeve negative e të masave ndëshkimore, të cilat në 6-mujorin e parë të ëktij viti, në krahasim me periudhën koresponduese të vitit 1979, kanë qenë 30% më pak.

Sidoqoftë, kundër shfaqjeve të huaja na duhet të bëjmë një luftë të vazhdueshme e sa më konkrete, për t’i bërë ballë presionit të madh që ushtrohet ndaj kuadrit e efektivit tonë për prishjen e figurës morale-politike të tyre.

Gjatë muajve korrik-gusht si ngjarje shqetësuese në efektivin kuadër kanë qenë:
Arrestimi për shëpërdorim të detyrës i oficerit Xh…..R….(ish punëtor operativ në Degën e Punëve të Brendëshme Shkodër) pse ka krijuar dokumente fallso për të ndihmuar një vajzë të internuar për qëllime të ulta. Çështja i kaloi gjyqit dhe ngjarja do të përgjithësohet në të gjithë kuadrin.

Procedimi në gjëndje të lirë për shpërdorim të detyrës I katër kuadrove të Degës së Punëve të Brendëshme Durrës, (zëvëndës-shef i Policisë, dy punëtorë operativë të ndjekjes së krimeve, e një punëtor policie sektori), sepse kanë rrahur një shtetas në postën e Policisë së Plazhit.
Megjithëse çështja u pushua, sepse gjatë hetimit nuk u grumbulluan prova të majftueshme për t’i kaluar gjyqit, kemi bindjen se një veprim i tillë (rrahja) duhet të ketë ndodhur. Për këtë kemi shtruar detyrën që çështja të analizohet thellë në kolektivat e organizatat përkatëse dhe, në varësi me qëndrimin autokritik të secilit, do të gjykohet për masat që do të merren në rrugë administrative.

Nisur nga kjo ngjarje, por edhe pse e kishim në plan, këtë muaj dërguam në Degën e Punëve të Brendëshme të Durrësit një ekip në shkallë ministrie, i cili gjatë ndihmës e kontrollit e vuri theksin, veç të tjerave, tek metoda e punës së kuadrove drejtues dhe kufta që bëhet kundër shfaqjeve të huaja e negative për forcimin e figurës moralo-politike e të unitetit brenda efektivit të degës.

Nxjerrja në lirim e tre punëtorëve operativ ilegalë të degës së II të Drejtorisë së parë të Sigurimit për ulje të vigjëlencës e cënim të figurës së punonjësit të punëve të brendëshme.
Veprimet e kundraligjëshme të punëtorit Operativ të degës së Puëneve të Brendëshme Burrel, Gj. Gjoni, i cili nisur nga sedra e sëmurë e karierizmi, në kundërshtim me Platformën dhe ligjet, nxit dhe përgatit dy persona për të dalë dëshmitarë në hetuesi kundër një personi që ndiqej prej tij për vepritari armiqësore, me pikësynim që ky të godetej dhe përpunimi të konsiderohej i realizuar.

Megjithëse këto shkelje janë zbuluar nga vetë dega e Punëve të Brendëshme, ne kemi dërguar atje dy shokë për të analizuar më thellë problemin dhe për të nxjerrë përgjegjësinë e këtij puëntori operativ si dhe vetë Degës.

Këto shkelje e të tjera të vërtetuara në kuadrin e efektivin tonë po I përgjithësojmë në një material, i cili do të shqyrtohet në një mbledhje të posaçme të Kolegjumnit të Ministrisë, ku do të thirren edhe disa kryetarë të degëve të punëve të Brendëshme që kanë patur më shumë shkelje të disiplinës dhe e cënimit të figurës morale-politike të kuadrove dhe efektivit. Në përfundim mendojmë që me një letër qarkore t’u tërheqim edhe njëherë vëmëndjen gjithë organeve e reparteve të Punëve të Brendëshme për një punë e luftë më të organizuar e komplekse në drejtim të shfaqjeve e qëndrimeve të huaja.

MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME
FEÇOR SHEHU
/Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb