Ishin vitet ’60. Pas një fryme të rreme liberalizimi, në Shqipëri pllakos një vit zije. Në vitin 1967 ligjërohet lufta kundër fesë. Ndalohet besimi fetar dhe institucionet fetare u mbyllën. Në këto kushte, At Pjetër Mëshkalla, një klerik me autoritet, i njohur për penën e tij publicistike, i shkruan një letër Mehmet Shehut.


Mëshkalla i vë në dukje Kryeministrit të vendit se njerëzit po frikësohen dhe po u bëhet presion përmes vendeve të punës apo “kafshatës së bukës”, siç thotë ai, me qëllim që ata të mohojnë besimin e tyre fetar. At Pjetër Mëshkalla ishte i bindur se pas kësaj letre do të arrestohej, madje dukej se ishte një akt i qëllimtë. Dikush duhet të binte në burg e t’i predikonte Ungjillin grigjës së humbur.


Në librin e tij “At Pjetër Mëshkalla”, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Fritz Radovani, studiues, ish-i persekutuar i regjimit komunist, i cili e ka njohur personalisht At Pjetër Mëshkallën, madje ky i fundit i fshihte poezitë e guximshme, tregon për situatën e nderë në vitet ’60, letrën drejtuar Mehmet Shehut dhe bisedën që e ëma kishte me bërë me At Pjetër Mëshkallën, përpara arrestimit. At Pjetër Mëshkalla vuajti 25 vjet në burgjet e komunizmit.


FRITZ RADOVANI
Viti 1961 ka kenë vit i shpresave të mëdha. Në Shkodër vritet nga vetë Sigurimi kryexhelati, gjeneral Hilmi Seiti. Pragu i vitit 1962, kur ndër shtyllat e elektrikut të shëtitoreve të qyteteve nuk u varën ma flamujt e kuq të “Bashkimit të lavdishëm Sovjetik” dhe, shpallja “nën za” e prishjes së mardhanieve me té, ngjallën shpresën e lirisë “së vdekun” për aq shumë vite ndër zemrat e popullit shqiptar.

Takimi historik i Presidentit amerikan, Xhon Kenedi, me Nikita S. Hrushovin, dhe fjala e Kenedit në Paris, ku tha: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik…

Kjo është arsyeja, -tha Kenedi,- që rrota e historisë po rrotullohet në favor të botës së lirë, dhe jo të komunistëve”. (“Përgjigje zotit Kenedi”, marrë nga gazeta “Zëri i Popullit”, 9 qershor 1961, Nr. 139 (3982), fq. 4.). Kjo për né nuk ishte ma andërr e dishrueme, po një realitet. Kenedi filloi me rrotullue me shpejtësinë e tij Globin e përgjumun…! Papa Gjoni XXIII përshëndeti për herë të parë nga Vatikani në gjuhën shqipe popullin shqiptar: “Për shumë mot Pashkët!” Filloi agimi i lirisë! Haxhubej me “Isvestia” në dorë gjujzohet para Papës… 1963 – 9 Tetor – vdes Papa Gjoni XXIII.

Me 23 nandor 1963, në mëngjez herët u hap si rrëfeja lajmi i vrasjes së Kenedit e bashkë me té u vra edhe shpresa e lirisë ndër gjithë zemrat e shqiptarëve e pse jo, në krejt Europën Lindore…! Nikita S. Hrushovi, i rrethuem me tanke në Kremlin, jep “dorëheqjen”! Lajmet vijnë: “I pari udhëheqës sovjetik që u largue nga posti ma i lartë i partisë dhe shtetit, pa u pushkatue!..”. Një “çudi”!! Në krye të Bashkimit Sovjetik vjen Brezhnjevi, një maskë e keqe e Stalinit “pa mustakë”! Në gusht 1968, në Pragë “vyshket pranvera”… Shqipnia “humb” rrugë me sy në ballë!…

Dashnia dhe pasioni shumë i madh për “kolltukun personal”, i mbështjellun me pëlhurën e kuqe të leckosun të “marksizëm-leninizmit fitimtar”, shtyjnë udhëheqësit aventurierë të Shqipnisë “Socialiste”, me marrë drejtimin e largët nga Lindja e Kuqe e Mao Ce Dunit. Jo vetëm në Kinë, por edhe në Shqipni ka ende komunistë, që filluan me besue në “mbrekullitë e citateve” të tij. Hidrocentrali “K. Marks” e “Lenin”, filluan me shue dritën e tyne!… “Ndriçonte” gjithë Shqipnia nga “Drita e Mao Ce Dunit” në Vaun e Dêjës.

Kombinati “Stalin” dukej si zhelepunues, kundrejt madhështisë së Kombinatit “Mao Ce Dun”, në Berat… Filluan me u ba “kodrat”… fusha! Vetëm duhej kujdes: “Kursim, kursim, përsëri kursim” e, gjithkund: “Vigjilencë!…” Flitej, por, nuk e di sa asht e vërtetë, se ndër tre vetë, “njeni” duhej me kenë spiun. Kjo ishte një ndër detyrat e para që Enver Hoxha, i vuni veglës së tij “shumë të dashtun e besnike” të të gjithë jetës, Sigurimit të Shtetit. Aty nga mesi i vitit 1966, në Shqipni fillon me ardhë era rùb! Diçka kishte fillue me u djegë…! Por, flaka nuk i kishte dalë ënde…

Kina e Madhe po realizonte me sukses njëfarë “Revolucioni Kultural”, që vetëm me kujtue thirrjet e virrmat e mijra “gardistëve të kuq” me librat e “citateve” në dorë para pallatit të Çu En Lait, nuk të merr gjumi tue mendue, kur këtij kërkojnë me i heq kaptinën, po shka asht tue u ba me qindra e mijra studentë apo me profesorët e tyne që dinin gjuhë të hueja, me shkrimtarë e artistë, me inxhinierë e doktorë që kanë kenë për eksperiencë ndër vendet perëndimore…?

Enver Hoxha Mehmet Shehu
Enver Hoxha Mehmet Shehu

Viti 1967 asht viti ma fatzi për historinë e Shqipnisë, ai solli me vedi fortunën ma shkatrrimtare të kulturës, të ndërgjegjës dhe të ekonomisë së shpartallueme të popullit shqiptar. Fjalimi “programatik” i Enver Hoxhës, me 6 shkurt 1967, hap në historinë e Shqipnisë etapën ma të turpshme e ma të egrën që njeh historia e shekullit XX. Populli shqiptar priste vendimin e Pilatit! Atdheu i Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe i Nanë Terezës, Nanës së gjithë botës, shpallet: “PA FÉ”. Si ujk në kohë nate në portarën e grigjës pa bari, ulërinte Enver Hoxha: “Të djegim me zjarr!…” e kopetë e kafshve të egra të Sigurimit, të urituna për gjak u lëshuan mbi popullin e ngratë të lidhun e të pambrojtun…

“Fletërrufetë” mbuluan dyert e Kishave e të Xhamive. Organizatat e Frontit “Demokratik”, ato profesionalet, të rinisë e deri te pionierët, ishin të gjitha të gatshme me zbatue porositë e Partisë së Punës, nën “kujdesin” e Sigurimit të Shtetit. Vlonin komitetet, vlonin shkollat e mesme, vlonin ndërmarrjet, vlonin makinat e Sigurimit, vlonin spiunët në të katër anët e vendit me kasketa e pa kasketa e, mbas orës 8 të darkës nuk shihej asnjëri në rrugë përveç, punëtorëve që ndrronin turnet e punës… Frikë, heshtje, tmerr, terror e fukarallëk i pashoq në çdo votër!…

Edhe fëmijët u banë spiunë të prindve të vet. Deri këtu mbërriti halli ynë… Ky ishte me pak fjalë pikësynimi i këtij “Revolucioni Kultural”…! Shkatërrimi përfundimtar edhe i familjes… Ato ditë binte në sy angazhimi i madh i oficerëve pensionistë të Sigurimit dhe i disa kuadrove, të cilët Partia i kishte lanë mënjanë. Sigurisht, ishin ata që i duheshin në kohë fushatash. Këta ishin njerëz pa kurrfarë personaliteti dhe të gatshëm me ba keq. Qendra e varësisë së tyne mendore dhe materiale prej kohësh ishte Sigurimi i Shtetit. U rrinin afër kryetarëve të lagjeve dhe zyrave të kuadrit ku, kryenin dy punë, jepnin informacione nga radhët e pafund të dyqaneve dhe njëkohësisht përgjonin aktivitetin e këtyne zyrave, tu iu sugjerue edhe “mendime” nga eksperienca e vjetër e tyne.

Ky angazhim i këtyne personave u shoqnue me një “qarkullim kuadri” nga sferat e larta të Partisë dhe të Shtetit. U krijue përshtypja se tirani Enver Hoxha po spastronte njerëzit që kishte pranë, por, jo, ai me këtë rast provoi “besnikërinë” e tyne ndaj tij dhe aftësinë me ba keq e ma keq në momente të caktueme si “dikur”, kur ia lypte nevoja atij. Këto prova i bani tue fillue nga Hysni Kapo e deri te spiunët ma të lanun që kishte të angazhuem në Sigurim të Shtetit. Ato ditë ai me djallëzi si gjithnjë i kërkoi mendim Hysniut dhe Ramizit, “si me veprue” me fenë…!? Përgjigja e tyne ishte vetëm provë “besnikrije” për té, në rast të kundërt i niste te shokët e “armëve”…

Në mëngjez herët të gjithë njerëzve që ke muejt me takue tue shkue në punë, “iu hapej goja” vetëm nga pagjumsia… Shumicën nuk e zinte gjumi nga frika se po vijnë me më marrë e priste kur po i troket dera… ndërsa, pjesa tjetër punonte si me lanë pagjumë të gjithë ata që mund të mendonin ndryshe nga Partia, për “Revolucionin”….

Kurrë, kurrë, asnjëherë ata që nuk e kanë jetue atë kohë nuk kanë me e besue sesi mundët me ndodhë, që një popull i tanë me ra me fjetë në një kohë, me u zgjue në një kohë, me hangër njëlloj, me u veshë njëlloj, me folë njëlloj, me mendue njëlloj, me jetue me frikë njëlloj, me vdekë njëlloj dhe, me u varrosë përsëgjalli njëlloj… Depersonalizimi i njeriut dhe kthimi i një populli në një kopé, janë pikësynimet e sistemeve socialiste e komuniste totalitare në të gjithë botën. Ky eksperiment po bahej me Popullin e ngratë shqiptar! Themelet e këtyne sistemëve janë të vendosuna mbi gjak, notojnë për sa dekada në gjak dhe kanë nevojë të vazhdueshme me u forcue me gjak. Pa gjak, terror dhe vuajtje sistematike ata nuk qëndrojnë! Rrëzohen!

Ndër ato ditë që ky tmerr “Revolucioni Kultural”, po zhvillohej në Shkodër, nën drejtimin e skiles së vjetër të Enver Hoxhës dhe veglës besnike të tij, Ramiz Alisë, me qendër në Institutin Pedagogjik dyvjeçar, nana eme takon në rrugë P. Meshkallën, i cili e thirri në shtëpi dhe i dha me vedi disa skica që kisha fillue me ilustrue vjershat e tija, tue i thanë: “…Merri me vedi, mbasi unë nuk do t’i mbaj ma, sepse mund të më arrestojnë e nuk due me mi gjetë kush skicat e Fritzit këtu…!” Kur nana e pyet; nëse, kishte ndigjue gja në lidhje me arrestimin, ai i tha: “Jo!.. por, kjo do të ndodhi, mbasi para pak ditësh jam ulë në gjunjë para statujës së Zojës (aty, ku Ai thoshte meshën çdo ditë në dhomën e tij) dhe i kërkova Asaj, me më mësue se shka me ba në këtë kohë kaq të vështirë?

Zoja ma shndriti mendjen dhe unë i shkrova një letër Mehmet Shehut, kështu kjo letër do të bahet shkak me më arrestue, njëkohësisht këta do të më dënojnë për përmbajtjen e letrës që i kam shkrue atij dhe nuk kanë me më pyet se shka kam bisedue sa në një shtëpi e sa në një tjetër, mbasi unë ashtu do të marr në qafë gjithë dynjanë, sepse unë kam hi e dalë në të gjitha shtëpiat e Shkodrës. Mbasandej, ajo që ka randësi asht se edhe ndonjë meshtar që ka pas kenë në burg ka vdekë e asht e nevojshme me hi dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rinj dhe njerëz që janë disprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa që janë tue kalue tash sa vite.

Asht e nevojshme prania e jonë aty…” Mandej, i kishte lexue letrën që i kishte dërgue xhelatit dhe i kishte tregue edhe vendin se ku kishte mëshef kopjen e saj, mbas një kornizës së vjetër të një fotografie të varun në dhomën e tij. Nana, posa erdhi në shtëpi, e tronditun për atë që do të ndodhte, me tregoi ngjarjen dhe përmbajtjen e letrës. Në botimin e parë, unë kam shkrue shka kam mujt me mbajtë ndër mend po, meqenëse, në vitin 1998, m’u ba e mujtun prej një mikut tem (Z.T.M.), me gjet origjinalin e saj të ruajtun në arkivë, unë po botoj tekstin e plotë të saj:

Letër e At Pjetër Meshkallës S.J. Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t’i këthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli. Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.

Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj personi o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet. Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne.

Çë vlerë ka atëherë qëndrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj-lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.

Njerëzit kanë frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të Shek. XX-të? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri, o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. Unë tham se me këtë luftë kundra fesë, neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.

Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këtë Kishë do ta bajmë kinema”, Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”. Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit. Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. Krytarit të Këshillitë Ministrave Me nderime Mehmet Shehu Pjetër Meshkalla në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezu. 5 Prillë 1967 Vetëm dy faqe… Vetëm dy faqe janë ato, të një fletores me kuadrate, ku çdo fjalë asht: 1 edhe 1 bajnë 2. Vetëm dy faqe janë përmbajtja e një libri të pashkruem… Vetëm dy faqe janë historia jonë e mjerueshme…! Vetëm ato dy faqe do të flasin për vite të tana… e, jo ma pak, po do të tregojnë gjithmonë në mënyrë të saktë ku kishim vojtë…!

Po, po, ato dy faqe të shkrueme me dorën e tij, do t’i tregojnë botës nëpërmjet mendjes së ndritun të P. Meshkallës, se kush kje dhe si qëndroi në Shqipni gjithë Kleri Katolik, përballë diktaturës dhe terrorit të mnershëm komunist gjakatarë gjysëmshekullor! Letra i drejtohet Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehut, mbasi edhe thirrja e klerikëve katolikë që asht ba me datën 3 prill 1967, asht ba nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Shkodrës, pra, nga organi shtetnor dhe jo nga organet e Partisë./PANORAMA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb