Nga FATMIRA NIKOLLI*

A po vihet në pikëpyetje zhvendosja e shtyllave të tensionit të lartë nga siti arkeologjik mesjetar i Komanit? Një letër që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (nën varësinë e Ministrisë së Energjisë), i ka dërguar Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (nën varësinë e Ministrisë së Kulturës), hedh dyshime të forta për këtë.

Në letrën që mban datën 11 shkurt 2015, administratori i OST-së, Engjëll Zeqo, i shkruan Drejtores së ASHA-s, Rudina Zoto (për dijeni ministres Mirela Kumbaro dhe ministrit Damian Gjiknuri), që, ndonëse në takimin e Komanit më 4 shkurt, “specialistët e OST-së paraqitën në hartë një trase të re të segmentit të linjës 400 kV në zonën B dhe u shprehën saktësisht që nëse do të jetë e mundur teknikisht pas verifikimit në terren, do të propozonin një trase të tillë”, për realizimin e saj, janë hasur vështirësi. Në të njëjtën letër, sqarohet se “në vijim të investigimit të trasesë së re u hasën pengesa teknike serioze në pjesën e tërthorimit të bjefit të poshtëm të HEC Koman, si për shkak të terrenit, ashtu dhe për shkak të problemeve që krijohen në momentet e hapjes së portave të shkarkimit”.

Duket pra, se ka një tërheqje të OST-së, në dëm të sitit arkeologjik. “Gazeta Shqiptare” boton sot, shkresën zyrtare, ku OST-ja i kujton Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, e përmes saj edhe Ministrisë së Kulturës, se “nëse devijimi nuk do të jetë i mundur teknikisht, OST do të vazhdojë projektin në trasenë e përcaktuar (më herët), për të cilën ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe ka marrë miratimin e lejes zhvillimore dhe do të respektojë të gjitha detyrat e lëna nga Vendimi Nr.367, i datës 12/12/2014 i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”. Në këtë mënyrë OST-ja heq përgjegjësitë nga vetja, duke ia kaluar ato Ministrisë së Kulturës, e cila më 12 dhjetor e dha OK-ejin për këtë linjë në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë, dhe nga ana tjetër, edhe Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, i cili i ka dhënë lejen zhvillimore.

Kjo letër, botohet pak ditë pasi “GSH” botoi edhe letrën që znj.Rudina Zoto, drejtore e ASHA-s, i dërgonte OST-së, duke i kërkuar që të sjellë pranë saj, projektin e rishikuar pas bisedës në terren.
Mbetet për t’u parë në ditët në vijim, se çfarë do të ndodhë me çështjen ‘Komani’, çështje e cila shteroi fuqitë e shoqërisë civile, Forumit për mbrojtjen e trashëgimisë, arkeologëve e dashamirësve të trashëgimisë kulturore, të cilët ngritën zërin që linja të spostohej pasi dëmtonte sitin mesjetar. Mbetet për t’u parë, se sa i gatshëm është ky shtet, të mbrojë historinë e vet, trashëgiminë e vet. Mbetet për t’u parë, nëse ‘Rilindja’ do e ruajë atë që ka trashëguar më së pari, për të ndërtuar së dyti të ardhmen. ‘Një popull që e harron historinë e vet, është i destinuar ta përsërisë atë’, e në këtë pikë, a jemi ne veçse përsëritës të rëndomtë, apo do mundemi, ndonjë ditë, të ecim, pa shkelur mbi ç’gjetëm?

Më poshtë letra e plotë.

Tiranë, më 11/02/2015
Drejtuar: Zj. Rudina Zoto
Drejtore, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik
Për dijeni: Z. Damian Gjiknuri
Ministër, Ministria e Energjisë dhe Industrisë
Zj. Mirela Kumbaro Furxhi
Ministre, Ministria e Kulturës
Subjekti: Në lidhje me trasenë e projektit “Linja e transmetimit 400 kV Shqipëri – Kosovë

E nderuar Zj. Zoto,
Në vijim të korrespondencës sonë dhe në përgjigje të shkresës suaj Nr. 83 Prot. datë 4/02/2015, lidhur me trasenë e linjës 400 kV Shqipëri – Kosovë në segmentin brenda zonës arkeologjike B pranë HEC Koman, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije sa më poshtë:

Në ballafaqimet e organizuara nga institucioni juaj, për shqetësimet e ngritura nga Instituti i Arkeologjisë (Misioni Arkeologjik Shqiptaro – Francez i Komanit) për ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit, OST është shprehur që për këtë projekt janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe është marrë miratimi për lejen zhvillimore nga KKRRT.

Duke marrë në konsideratë shqetësimin e ngritur për segmentin e trasesë së linjës që kalon brenda zonës arkeologjike B, OST ka marrë përsipër ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të kësaj traseje, nëse kjo do të jetë e realizueshme teknikisht.

Në takimin ndërinstitucional të datës 3/02/2015 të mbajtur në Koman, specialistët e OST paraqitën në hartë një trase të re të segmentit të linjës 400 kV në zonën B dhe u shprehën saktësisht që nëse do të jetë e mundur teknikisht pas verifikimit në terren, do të propozonin një trase të tillë, e cila do t’i paraqitej për miratim dhe donatorit të projektit (banka KfW).

Nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Arkeologjisë u shpreh dakordësia për këtë trase të re.

Në vijim të investigimit të trasesë së re u hasën pengesa teknike serioze në pjesën e tërthorimit të bjefit të poshtëm të HEC Koman, si për shkak të terrenit, ashtu dhe për shkak të problemeve që krijohen në momentet e hapjes së portave të shkarkimit.

Për këtë arsye, OST së bashku me kompaninë konsulente gjermane “GOPA” dhe kontraktorin “Energoinvest” nga Bosnja dhe Hercegovina, është duke parë disa alternativa mbi mundësinë e devijimit të linjës në këtë segment.

Nëse devijimi do të jetë i mundur teknikisht, OST pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore me donatorin dhe kontraktorin, do të depozitojë pranë Institucionit Tuaj për shqyrtim, trasenë e re të segmentit të linjës pranë HEC Koman.

Nëse devijimi nuk do të jetë i mundur teknikisht, OST sh.a do të vazhdojë projektin në trasenë e përcaktuar, për të cilën ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe ka marrë miratimin e lejes zhvillimore dhe do të respektojë të gjitha detyrat e lëna nga Vendimi Nr.367, i datës 12/12/2014 i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Ju faleminderit për bashkë-punimin

Engjëll Zeqo
Administrator i OST
(Firma dhe vula)

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb