Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nëpërmjet një letre publike u ka kërkuar llogari disa strukturave të Policive Vendore, për një situatë paligjshmërie të ndodhur prej disa kohës në Grykën e Këlcyrës.

“Në lidhje me ngjarjen në fjalë, ku janë kryer ndërtime të paligjshme si dhe janë konstatuar edhe tentativa për devijime të paligjshme të burimeve ujore, sapo jam vënë në dijeni, kam kërkuar në mënyrë të menjëhershme që Shërbimi i Çështjeve të Brendshme e Ankesave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, të zhvillojnë një inspektim mbi përgjegjësitë përkatëse të Policisë së Shtetit në Qark në këtë rast, dhe rivendosjen e ligjshmërisë në territorin përkatës,” shkruan Xhafaj në letrën e siguruar nga BalkanWeb

Letra e Fatmir Xhafajt

Shoqëria civile dhe pas saj media, prej disa ditësh kanë denoncuar një situatë konktete paligjshmërie të ndodhur prej disa kohësh në Grykën e Këlcyrës, në shtratin e Lumit Vjosa, një zonë me vlera të veçanta turistike. Në lidhje me ngjarjen në fjalë, ku janë kryer ndërtime të paligjshme si dhe janë konstatuar edhe tentativa për devijime të paligjshme të burimeve ujore, sapo jam vënë në dijeni, kam kërkuar në mënyrë të menjëhershme që Shërbimi i Çështjeve të Brendshme e Ankesave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, të zhvillojnë një inspektim mbi përgjegjësitë përkatëse të Policisë së Shtetit në Qark në këtë rast, dhe rivendosjen e ligjshmërisë në territorin përkatës.

Në raportin e SHÇBA dhe DPPSH, evidentohet se, pavarësisht faktit që është konstatuar një ndërtim i paligjshëm dhe një vepër penale e kryer ndaj pronës publike dhe mjedisit, punonjësit e policisë, që ushtrojnë detyrën në atë territor, nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore për të referuar çështjen në Prokurori apo për të zbuluar autorin. Është e papranueshme që disa nga strukturat tona vendore të Policisë së Shtetit të funksionojnë me standarde dyfishe.

Nga njëra anë, ato ushtrojnë me të drejtë gjithë përgjegjësitë dhe kompetencat ligjore, në rastin e riparimit pa marrë lejen përkatëse të verandave, çative apo të tjera si këto, ndërsa nga ana tjetër, në disa raste të tjera policia është treguar tolerante ndaj ndërtimeve tërësisht të paligjshme, apo më keq akoma, kur këto ndërtime dëmtojnë rëndë mjedisin, sikurse ishte rasti i ndërtimit të paligjshëm në luginën e Vjosës

xhafaj

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb