Autoriteti i Dosjeve ka deklasifikuar për publikun dhe studiuesit disa dokumente të ish-sigurimit të Shtetit, që lidhen me degën e Sigurimit në Sektorin e Naftës.
Dokumentet në fjalë ofrojnë detaje mbi ngjarjet që kanë ardhur menjëherë pas arrestimeve, dënimeve me burg dhe pushkatim të disa të inxhinierëve nga pushteti komunist.
“Arrestimet e pjesës më të madhe të inxhinierëve të naftës u kryen më 25 mars 1975 dhe pas disa muajsh hetuesi, mes trysnisë dhe torturave, u dënuan ne vitin 1976 inxhinierët Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari. Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Sipas dokumenteve dhe dëshmive të të mbijetuarve të kohës, procesi u nxit nga disa letra anonim, u pasua me mbledhjet e Byrosë Politike dhe punës manipuluese nga ana e Sigurimit të Shtetit. Inxhinierët Koço Plaku dhe Milto Gjikopullin u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, ndërsa trupi i Koço Plakut është ende i zhdukur”, shkruhet në njoftimin e Autoritetit të Dosjeve.
Sipas AIDSSH, në dokumente jepen detaje për analizën vjetore të punës në sektorin e sigurimit të naftës në atë kohë, planin e masave agjenturore operative, informacion mbi avaritë e ndodhura në punën e kërkimit për naftë etj.
(BalkanWeb)