TIRANË- Lëvizja e Gruas për Integrim ka zhvilluar sot një takim me strukturat drejtuese në Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë. Të pranishme në këtë takim, përveç qindra grave dhe vajzave, ishin deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, si dhe kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Erisa Xhixho.


Deputetja Monika Kryemadhi u shpreh se ruajtja e marrëdhënieve dhe solidaritetit me njëri-tjetrin ka qenë një nga virtytet e LSI-së. Kryemadhi deklaroi se vota për LSI-në më 21 qershor është votë për pushtetin vendor, për të bërë më shumë për qytetarët.


“Tirana është tani shumë herë më e madhe dhe nevojitet një punë shumë herë më e madhe. Ne duam që këtë forcë, këtë energji, këtë vitalitet të LSI-së në Njësinë Bashkiake nr. 2 ta ndanim në të gjitha njësitë e tjera. Është vërtet e dhimbshme kur shikon që kopshtet e fëmijëve në Njësinë nr. 2 rikonstruksioni bëhej nga vetë prindërit dhe nga vetë bizneset e Njësisë nr. 2 ndërkohë që kjo ishte detyra e Bashkisë së Tiranës, ndërsa bizneset e njësisë numër 2 paguanin taksa në bashkinë qendrore”, deklaroi deputetja e LSI-së.


Më tej, në fjalën e saj Kryemadhi shprehu bindjen se njerëzit duan një politikë ndryshe dhe se këtë e mundëson LSI-ja. “Tani njerëzit duan një politikë ndryshe dhe që sjell ndryshim. Politika që sjell ndryshim është LSI e cila me vendosmërinë dhe energjinë e saj ka punuar dhe ka ditur t’i çojë votat në kuti. Një nga strukturat tona më të fuqishme është LGI-ja ndaj dhe unë falënderoj edhe kryetaren tonë, e cila ka arritur ta bëjë këtë gjë, por sigurisht që nuk e ka bërë e vetme, por e ka bërë së bashku me ju”, theksoi Kryemadhi.

Ndërsa, Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha u shpreh se LSI-ja tregoi që është një forcë e madhe në gjithë Shqipërinë me votën e vajzave dhe me votën e grave. Gjosha vlerësoi punën e jashtëzakonshme të bërë nga strukturat e LGI-së që kanë sakrifikuar gjithçka për LSI-në, por mbi të gjitha për komunitetin dhe qytetin ku jetojnë.

“Nuk mund të ketë Tiranë pa ju. Nuk mund të ketë asnjë qytet të Shqipërisë pa ju. Kështu që, unë jo vetëm kërkoj angazhimin tuaj, sepse angazhimi juaj nuk është vetëm një votë më shumë për LSI, por është një votë më shumë për fëmijët tuaj për një të ardhme më të mirë, sepse në fund të fundit ne për ata punojmë. Është e padiskutueshme që zonjat që janë këtu punojnë vetëm për fëmijët dhe familjet e tyre dhe pushteti lokal, i dedikohet familjeve. Nëse pushteti qendror merret me reformat e mëdha siç ishte dhe reforma administrative-territoriale, që u bë së fundmi, pushteti lokal merret me jetën tonë të përditshme, duke filluar që tek lagjet tona të vogla, që tek këndet e lojërave, tek gjithçka që ne prekim nga mëngjesi deri në darkë, komuniteti ku ne jetojmë”, deklaroi Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha.

Edhe kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Erisa Xhixho mori fjalën në këtë takim, duke u shprehur se në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2011 një nga premtimet që u bë ishte decentralizimi që do t’i ndodhte njësive bashkiake. Sipas atij projekti, do t’i shtoheshin më shumë kompetenca këtyre njësive, gjë që nuk ndodhi.

“Tashmë kemi një reformë të re territoriale, kemi shtrirje shumë më të gjerë të Bashkisë së Tiranës, dhe normalisht përgjegjësia e menaxhimit të territorit dhe menaxhimit të gjithë qytetarëve do të jetë absolutisht shumë më i madh seç ishte dje. Mendoj që LSI do të japë një model fushate ashtu siç ka bërë edhe vitet e kaluara, një fushatë shumë pozitive, një fushatë e ndërtuar derë më derë, duke takuar dhe duke biseduar me qytetarët problemet që ato hasin çdo ditë. Besoj se këto zgjedhje, janë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me problematikat tona. Ne duam që t’i sjellim shkëlqimin këtij qyteti, ti sjellim një frymëmarrje tjetër këtij qyteti që është në një zymtësi të plotë. Duam më shumë kopshte, më shumë çerdhe, më shumë hapësira të gjelbra për të pushuar. Të bëjmë të mundur që ashtu sikundër ne zonjat dhe gratë e LSI-së që e kemi fituar vetë 50 % të përfaqësimit brenda LSI-së, e kemi fituar me shumë mund dhe sakrifica, sepse të merresh me politikë nuk është aq e thjeshtë, por nuk është e pamundur, dhe ne e kemi treguar këtë”, tha Xhixho.

Sakaq, kryetari i LSI-së për Njësinë Bashkiake nr. 2, Elez Gjoza e vuri theksin te kontributi që ka dhënë kjo forcë politike për barazinë gjinore në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, që sipas tij do të jenë shumë të rëndësishme.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Përse? Sepse këto lidhen direkt me shërbimet ndaj qytetarit. Pra, ne do të votojmë menaxherët më të mirë, të cilët do jenë me të vërtetë në gjendje për t’ju gjendur pranë qytetarëve dhe halleve e problemeve të tyre dhe gjithë komunitetit. Në këtë kuadër, unë pres nga LGI-ja një mbështetje të fuqishme. Dita e punës fillon që nesër. Që nesër çdonjëra nga ju duhet të jetë e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj. E për këtë, jam i bindur dhe e garantoj kryetaren e LGI-së, që Njësia Bashkiake nr. 2 do jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve”, tha Gjoza.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb