Lëvizja FOL e ka ftuar kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuqiç, në Forumin “FOL Hapur”. Në ftesën që e ka siguruar KTV-ja, FOL i ka thënë Vuçiçit se po e fton atë në funksion të zhvillimit të bashkëpunimit rajonal në frymën e integrimit në BE.

“Gjithashtu në funksion të reflektimit të implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, Lëvizja FOL ju fton të flisni në Forumin FOL Hapur që e kemi iniciuar intensivisht vitin e kaluar. Kosova dhe Serbia, si dy shtete fqinje e ndërkombëtarisht janë zotuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe dy shoqërive. Prandaj, besojmë se është kruciale dhe e nevojshme që të ketë bashkëpunim në fusha të ndryshme jo vetëm në nivelin politik dhe institucional siç ka qenë deri tash”, thuhet në ftesën e Lëvizjes FOL të nënshkruar nga drejtori i saj ekzekutiv, Petrit Zogaj.

Ftesa është bërë për fundin e muajit maj, ndërkohë që përgjigje nuk ka ende.

(e.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: