TIRANE

Analisti i njohur Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 ka komentuar lëvizjen studentore të dhjetorit dhe vazhdimësinë e saj. Që në nisje të saj, siç u shpreh ai pati përpjekje për ta përçarë e kapur, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama si autorin kryesor që punoi në këtë drejtim. Lubonja tha se Rama përdori dy mënyra për t’i përçarë studentët, e para i kundërvuri ndaj pedagogëve dhe e dyta nëpërmjet FRESSH.

“Dua të them që në fillim pati, përçarje, luftë për ta kapur. Kërkesat kanë edhe diçka, çdo lëvizje kur shikon që kërkesat e tyre nuk aprovohen ti e thellon dhe e politizon çështjen. Nëse ti më fut dhunë atëherë unë do protestoj ndaj dhunës. Në këtë aspekt nuk ka pasur një koordinim. Ka pasur përçarje dhe përçarjen kryesore ka dashur ta bëjë qeveria, e para me kundërvënien studentë- pedagogë pra, për ta drejtuar kundër pedagogëve për t’i intimiduar dhe linçuar dhe përpjekja tjetër është përmes asaj pjese të rinisë që është FRESSH. Jemi në një situatë kaotike, për mua siç e kam ndjekur, protestës i ka ikur kulmi ajo pika kulminante si lëvizje”, komentoi Lubonja, shkruan “BalkanWeb”.

Lubonja është i mendimit se sistemi akademik dhe ai shkollor duhet riformatuar  i gjithi, ndërsa protesta e studentëve sipas tij, duhet të kishte goditur, atë që e quajti sistem politik të korruptuar.

“Duhej goditur ligji i arsimit të lartë, arroganca, rritja arbitrare e tarifave, rritja e taksidarëve duhet të ishte goditur si pjesë e oligarkisë”,- vijoi Lubonja.

I pyetur nëse anulimi i ligjit të arsimit të lartë do godiste gjithë sistemin, Lubonja u përgjigj: “Unë kam përmendur rastin e Kukësit, u ndryshua ligji por jo bashkëpunimi me oligarkët. Astiri çfarë është, po ashtu bashkëpunim me oligarkinë. Marr një oligark i jap lekët dhe ai në fund më ndihmon. Kjo lloj filozofie e qeverisjes në mënyrë kaq arrogante me një grusht oligarkësh kundër shumicës së shqiptarëve duhet të kishte rënë”,- vijoi ai.

Sa për ultimatumin e pedagogëve dhe për mënyrën se si do vijojnë ata të protestojnë, Lubonja tha se ata janë vulnerabël. “Edhe pedagogët duhet ti shohim të ndarë edhe ata janë vulnerabil, kanë familje për të mbajtur, duan një rrogë. Qeveria kërkon t’i kontrollojë gjithnjë e më shumë prandaj edhe ata janë më vulnerabël Përshëndes ata që janë me studentët dhe dënoj ata që bashkëpunojnë me qeverinë”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb