Në një konferencë të jashtëzakonshme, Presidenti Ilir Meta renditi problemet e Kushtetutës, që nga ndryshimet me marrëveshjen politike të vitit 2008, e deri në vitin 2016, që sipas tij, kanë sjellë pasoja dramatike në vend.

Pjesë nga deklarata e Metës: 

Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008.

Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive.

Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin.

Së pari, Kushtetuta, nga dokumenti themeltar i shtetit që lartëson parimet, u kthye në një rregullore me data dhe afate, të cilat për fat të keq janë shkelur që të gjitha.

Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon në paralizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend.

Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion.

Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare.

Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë.

Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet.

Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës.

Në fakt, Komisioni i Venecias i ka thënë të gjitha, për ata që kanë veshë për ta dëgjuar dhe vullnet për ta zbatuar!

Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.

Jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë;

Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ;

Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës;

Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh;

Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore;

Ku vendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta;

Ku vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot;

–        pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon.

Ku Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë;

Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës;

Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese që cenojnë hapur interesin publik;

Ku qeveria për të pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme;

Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës;

Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut;

Ku vendi po shpopullohet pa ndalim;

Ku si rezultat i sukseseve imagjinare në Shqipëri nuk ka më asnjë investim serioz as nga ShBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania;

Ndaj është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë!

Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure!

Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb