Partizani ka zyrtarizuar ditën e sotme transferimin e Labinot Ibrahimit te Prishtina, një dhuratë kjo e presidentit Demi për mikun e tij Remzi Ejupi, sikundër e ka konfirmuar vetë klubi kosovar. Ibrahimi iu bashkua të kuqve pikërisht nga Prishtina 6 sezone më parë, ku së bashku me Alban Hoxhën, ishin dhe elementët që i rezistuan të gjithë dallgëve dhe tekave të drejtorëve dhe trajnerëve të ndryshëm.

Ibrahimi, një nga idhujt e tifozërisë së Partizanit, ikën pasi u shpall kampion me të kuqtë dhe nëpërmjet një postimi në faqen e tij në “Facebook”, ka shprehur të gjithë emocionet për periudhën me fanellën e kuqe. “Të dashur miq dhe dashamirës të mi dhe të skuadrës së Partizanit Nga sot nuk do jem pjesë e Partizanit. E falënderoj president Gaz Demin për mbështetjen që më ka dhënë këto 6 vite, falënderoj drejtorin Olsi Rama, falënderoj trajnerët me të cilët punova, shokët e skuadrës, gratë të cilat na bënin bukën e na lanin rrobat, punëtoret dhe çdo njeri që e rrethon këtë klub. Falënderim tjetër kam edhe për UG e madh, ju falënderoj nga zemra për këto 6 vite, më keni bërë të ndihem si në shtëpinë time dhe keni qenë mbështetja ime gjithmonë. Unë po largohem nga klubi në të cilin u dashurova që në ditën e parë që erdha, po largohem me kokën lart pasi ia arrita qëllimit që kisha, titullit kampion. Shpresoj të shihemi përsëri. Me respekt, Labi juaj,” shkruan Ibrahimi në postimin e tij.

Ndërkohë, largimi i veteranit 33-vjeçar mund të ndiqet nga ardhja e një tjetër veterani të Superligës, ajo e Ylli Shametit. Siç konfirmohet nga burime pranë lojtarit, janë intesifikuar bisedimet mes gjirokastritit dhe klubit kampion, ndaj shumë shpejt qendërmbrojtësi mund të vishet me fanellën e kuqe. Gjithsesi, tratativat ende nuk janë mbyllur.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb