Në një kohë kur Kosova dhe Serbia po punojnë për një dialog të mundshëm, kjo e fundit vijon veprimet paralele për të penguar shtetin e Kosovës që të anëtarësohet në organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë. Krahas kësaj, Serbia me të gjithë fuqinë e saj ka nisur një revansh për të bindur shtete të ndryshme, që të tërheqin vendimin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.


Madje diplomacia serbe po punon edhe në aspektin e tërheqjes së njohjeve të shteteve që e kanë. Së fundmi shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç, ka paralajmëruar se do t’i organizojë serbët që jetojnë në SHBA që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do mbahen atje, të votojnë për presidentin aktual Donald Trump.


Në një interviste dhënë të përditshmes serbe “Telegraf”, Daçiç ka thënë se nëse serbët tregohen të mençur mund të krijojnë një pozicion më të mirë për Serbinë në administratën e re në Ëashington.  Sipas tij, plani është që të promovohet e vërteta për Kosovën dhe qëndrimet tonat për këtë vend, kurse strategjia mbështetet në dy drejtime.


Siç raporton e përditshmja serbe, zyrtarët e lartë shtetëror serbë besojnë se tani është momenti i duhur për të vepruar, kjo për faktin se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhe se sipas tij do të zhvillohet betejë e ashpër për çdo votë.

“Serbia tani është në një pozitë shumë më të mirë se që ishte gjatë viteve të kaluara. Tani në Ëashington ekziston vullneti që të dëgjohen qëndrimet tona. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se do të ndalemi me kaq, përkundrazi do të intensifikojmë përpjekjet tona që të forcojmë pozicionin tonë, ta rrisim numrin e miqve që i kemi në SHBA, që sa më shumë senatorë dhe kongresistë, njerëz në pozita kyçe të jenë përkrah nesh”, ka shtuar ai.

“Si ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, do të organizojë edhe zyrtarisht tubime që do të përkrahin Trumpin në zgjedhjet e ardhshme. Por nëse e bëjmë në një mënyrë të zgjuar, nëse jemi unik sa i përket votimit që nuk janë pak në numër, do të krijojnë një pozicion më të mirë në administratën e re. Kështu kanë vepruar edhe shqiptarët, ishin unik sa i përket votimit të diasporës së tyre, që gjithmonë votojnë vetëm një kandidat”, ka shtuar ministri i Jashtëm serb.

Ai ka përmendur Eliot Engel i cili vazhdimisht i ka të sigurta votat e shqiptarëve, dhe se sipas Daçiçit nuk është për t’u çuditur që ai mbron interesat e shqiptarëve. Daçiç beson se serbët nëse veprojnë sikurse shqiptarët, pra nëse fillojnë ofensivën në zgjedhjet e ardhshme do ta ndihmojnë shumë Trumpin. Ndryshe sipas mediave serbe në SHBA jetojnë afro 650 mijë serbë. Pjesë e planit është edhe roli aktiv i Serbisë në Kongresin amerikan dhe atë përmes Steve Stiver, kongresist nga Ohio, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe është aktiv në lobimin e interesave serbe.

“Steve Stiver është i duhuri për këtë punë, lufton dhe ka shumë energji dhe kontakte të mira te Republikanët”, ka deklaruar për të përditshmen serbe një tha themeluesit e Kongresit të miqësisë serbo-amerikane dhe njëherësh nënkryetari i Kuvendit, Vladimir Marinkoviç.

(BalkanWeb)