Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci, ka shkruar të dielën në Facebook për lëvizjet e ushtrisë së Serbisë për rreth kufirit me Kosovën, gjë për të cilën ka alarmuar edhe kryeministri Albin Kurti.
Maqedonci ka deklaruar se ushtria serbe mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve.
Reagimi i Maqedoncit vjen pas përgjigjes së Ministrisë serbe të Mbrojtjes e cila tha se trupat e saj “kanë penguar veprimtaritë e paligjshme të prerjes dhe bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”.
Por, Maqedonci citoi Ligjin e Pyjeve në Serbi, ku thuhet se është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë.
“Në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë në lidhje me aktivitetet e ushtrisë serbe në afërsi prej 50 metra nga vija kufitare me territorin e Kosovës, një aktivitet tipik ushtarak, mundohet të kamuflohet si aktivitet për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve. Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se Serbia në vazhdimësi përpiqet ta shtojë prezencën ushtarake në afërsi të territorit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka synime hegjemoniste.
“Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetojë duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit. Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka thënë se Kosova do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvillojë kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s.
“Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Kosovës.