Egnatia është në fund të përgatitjeve në kuadër të ndeshjes së nesërme me Laçin në shtëpi.

Një përballje deri diku e vështirë për kampionët, sepse kurbinasit e kanë rritur shumë nivelin në fazën e dytë, duke bërë paraqitje pozitive dhe duke u ngjitur në tabelë. Rrogozhinasit në anën tjetër kanë bërë jo pak ndryshime këto ditë të fundit të merkatos.

Gjithsesi, synimi i të besuarve të trajnerit Tetova është patjetër fitorja, e vetmja mundësi për të mos humbur ritmin e kreut dhe për të mos vënë në rrezik vendin e katërt, që mbajnë aktualisht në klasifikim. Edhe pse nuk kanë më shkëlqimin e sezonit të kaluar, objektivat janë të njëjta, ruajtja e titullit kampion. Për këtë arsye kampionët duan ta nisin fuqishëm vitin.

NDRYSHIMET – Me lëvizjet që kanë ndodhur ditët e fundit, pritet që të ketë ndryshime në radhët e titullarëve të Egnatias. Ndryshimi i parë pritet të jetë në portë, ku Dajsinani do të marrë vendin e Dobjanit, i cili në pjesën e parë të sezonit ishte “gardiani” titullar.

Portieri kavajas u ble nga klubi rrogozhinas dhe ka sens që të qëndrojë në stol. Ironia e fatit është se Dajsinani do të debutojë me fanellën e Egnatias pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij deri para pak ditëve. Për ndeshjen e nesërme ndryshime do të ketë edhe në mbrojtje. Nga ky repart është larguar Frederik Veseli dhe deri tani nuk është bërë ndonjë afrim në prapavijë. Me shumë mundësi do ta nisë nga stoli këtë sfidë edhe kapiteni Renato Malota, i cili kishte marrë leje nga klubi për disa ditë pushime më shumë dhe është bashkuar me vonesë në stërvitje me grupin. Me shumë gjasa në mbrojtje kundër Laçit do të luajnë Xhemalji, Alijev dhe Dylis, ndërsa Fangaj dhe Ndreca do të jenë nga krahët.

Një dilemë jo të vogël ka edhe për mesfushën, konkretisht për lojtarin që do të ulet në stol për t’i bërë vend Fernandos, brazilianit të rikthyer te kampionët pas aventurës në Azerbajxhan. Në mesfushë konkurrenca është rritur dhe nëse Fernando ka formën e duhur për të qenë titullar, Tetova duhet të ulë në stol njërin mes Zejnullait dhe Lushhkjas, ndërsa Aleksi me Ujkën duken më të sigurt në formacion. Për të kaluar në sulm, ku për momentin mbetet Bakajoko titullari. Kjo edhe për faktin se rrogozhinasit nuk e kanë bërë ende një goditje në këtë repart.

Dsfhgh
Dsfhgh

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb