Nga: ENTON ABILEKAJ*
Një grup studentësh dhe pedagogësh, që për pak u harruan bashkë me pasojat e ligjit për Arsimin e Lartë, kanë zënë vendin kryesor në vëmendjen e publikut. Duhej të hidhnin vezë drejt kryeministrit që të gjithë të kthenim kokën nga ata. Kishin kohë që flisnin, nuk kishim kohë t’i dëgjonim. Të paktën jo deri në fund. Kishin kohë që protestonin, por ne kishim zgjedhur të dëgjonim përfituesit nga sistemi i vjetër arsimor përballë përfituesve nga sistemi i ri. Me këta, që me guxim dhe me shpirt nëpër dhëmbë përfaqësojnë të humburit nga të dyja sistemet, deri të hënën nuk u mor askush.
Nga e hëna ndryshoi gjithçka. Të gjithë heshtën për të dëgjuar ata. Dhe më në fund dëgjuam se ka një grup studentësh dhe pedagogësh që nuk janë gënjyer nga skema mashtruese e reformës në arsim. Qeveria shfrytëzoi situatën katastrofike për të bërë një sistem të ri, akoma më të keq. Ata që nuk pranonin sistemin e ri quheshin përfitues të sistemit të vjetër. Dhe ia arriti qëllimit. Përfituesit e vjetër heshtën, u lanë radhën përfituesve të rinj. Të humburit e përhershëm i nxorën nga radha. Me kaq u duk se u mbyll, por nga 2 nëntori, erdhi radha e të humburve. Një sistem i keq, ku studentët paguanin në shtet më shumë se në privat për të marrë provimet, ku ambientet mësimore nuk janë të denja as për arsimin fillor, ku universitetet private shisnin diploma dhe i fusnin klientët e tyre batakçinj të parët në radhë në tregun shtetëror të punës, por edhe në tregun politik, i nxirrte të humbur të gjithë, por më shumë ata që kanë zgjedhur edukimin si mënyrën e vetme për të siguruar të ardhmen. Në 8 vjet të aksionit të nisur nga PD-ja për shkallmimin e arsimit të të gjitha niveleve në vend, arsimi i lartë pësoi më shumë, si faza finale për të dalë në tregun e punës. Militantë injorantë dhe kriminelë të lidhur me parti dhe liderë politikë, nxituan të blinin nga një diplomë në tregun e garsonierave të pagëzuara “universitete” nga qeveria e Sali Berishës dhe më pas ta përdornin atë për të kapur vendet e punës. Korrupsioni, injoranca dhe krimi, u diplomuan për të plaçkitur shtetin. Të tjerët mbetën pa punë.
Këtë situatë Edi Rama nuk e pa si alarmin për të shpëtuar të ardhmen e vendit, por si alibinë për të krijuar një sistem të ri klientelist, ku publiku do të jetë prapë i humbur. E pa si situatën perfekte për të ribërë përsheshin e arsimit, duke flakur atë të Berishës. Mbyllja e universiteteve të turpit u përshëndet nga të gjithë. Por parathënia nuk kishte asnjë lidhje me përmbajtjen. Dhe jo pa qëllim! Reforma iu la në dorë klientëve të zgjedhur dhe rezultati dihet. Nuk ka më kandidatë të mirë, nuk ka më nxënës të mirë apo studentë të mirë; ka vetëm biznesmenë të mirë dhe njerëz të shkathët. Arsimi i lartë nuk është më prioritet për një vend që vuan deri në palcë mungesën e ekspertizës, madje injorancën e plotë. Universiteti publik nuk do të ketë investime strategjike, pavarësisht se gjendja e arsimit është e mjerë. Universiteti publik nuk do të ketë rritje fondesh për ambiente, për kualifikimin e stafit pedagogjik, nuk do të jetë investimi i publikut për të korrigjuar sadopak katrahurën. Universiteti publik do të fillojë nga e para, sikur të ishte themeluar në kioskat apo garsonierat e përçudnimit politik të arsimit, si e fundit gjë që kishte një lloj funksioni. Universiteti publik është i fundit në garën ku e fut me dhunë sistemi i ri. Nuk do të ketë mundësitë e menaxhimit të privatëve, nuk do të ketë mundësitë e investimit të tyre, madje, nuk do të ketë as mundësitë e pranimit pa asnjë kriter që privatët vazhdojnë ta bëjnë. Për të shtuar pastaj që, universiteti publik nuk është i preferuari i qeverisë. Se sa ka filluar gara dhe qeveria i ka bllokuar doktoraturat në publik, duke mos dhënë kuotat, që të interesuarit të shkojnë te klientët e tyre privatë. Për këtë, sigurisht që askush nuk do mbajë përgjegjësi, as për nxjerrjen jashtë loje të universitetit ku është investuar për dekada me radhë. Po për 18-vjeçarët që ëndërrojnë të studiojnë dhe prindërit nuk mund t’i mbështesin financiarisht, a do mbajë njeri përgjegjësi? Cila do të jetë e ardhmja e arsimit pas disa vitesh? A e justifikon koston e re të arsimit të lartë, dalja në tregun e punës? Sigurisht që jo! Këto përgjigje janë dhënë tashmë. Reforma e vrau arsimin e lartë. Por qeveria kishte arritur ta bindte publikun se viktimat ishin vetëm një grup dekanësh e rektorësh të universitetit publik që përfitonin nga precedenca e tij. Kështu e mbrojti aferën e tij kryeministri në parlament.
Në 2 nëntor, kur u hodhën vezët kundër tij, lëvozhga e gënjeshtrës u thye bashkë me to. Era e rëndë ishte e reformës. Të humburit e vërtetë nuk ishin përfituesit e djeshëm, por po ata që humbisnin dje dhe protestonin edhe dje, me libra. Edi Rama nuk ua hoqi mundësinë të shkruanin edhe një fjali të vetme në ligjin e ri, ua fashiti zërat me makinerinë e parezistueshme të propagandës së sponsorizuar nga klientela e tij. I detyroi të linin librat dhe të merrnin vezët, të linin armët e tyre dhe të merrnin armët e revoltës poshtëruese.
Pa kompleksin e përkatësisë politike, pa kompleksin e numrit të protestuesve. Nuk ranë pre e grabitqarëve që dolën nga strofkullat politike për ta gllabëruar kauzën e tyre, ashtu si në protestën e armëve kimike. Nuk i fshehin bindjet e tyre, nuk kanë frikë nga presionet. Kjo është protesta ideale që po lind për meritë të oligarkisë prepotente, që po lë pas vetëm lëvozhga të thyera.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: