Lewis Hamilton, piloti i skuderisë ‘Mercedes’ në Formula 1’, ditët e fundit ka qenë mjaft i preokupuar aq sa mund të thuhet se më shumë ka qëndruar në ajër se sa në tokë.

Britaniku vetëm së fundmi me një kuti me kokoshka ka hipur në avion për të kryer një udhëtim prej 21 orësh, shkruan “Daily Mail”. Kjo distancë ishte nga New York për në Singapor ku këtë fundjavë do të zhvillohet gara e Formulës 1.

Por, që nga gara e shkuar e Monzës, piloti britanik i Mercedesit ka qëndruar në ajër për 53 orë.

Në këto 10 ditë, ai ka kryer 24.829 milje kryesisht për të promovuar sponsorët e tij personal. Ai ka udhëtuar nga Milano në Londër, nga Londra në Shanghai, nga Shanghai në Londër, nga Londra në Nju Jork dhe nga Nju Jorku në Singapor.

Pas këtyre udhëtimeve kaq të shumta, në një periudhë kaq të shkurtër, të gjithë pyesin sesi mund të jetë gjendja e tij për duelin që ka me rivalët e garave.

“Jam shumë mirë, kjo lëvizje dhe aktivitetet e shumta më japin edhe më shumë motivim”, ka deklaruar britaniku. Ndërkohë, rivali i tij më i madh, Sebastian Vettel, gjatë këtyre 10 ditëve nuk ka bërë thuajse asgjë, përveçse disa orë peshkim dhe ka qëndruar pranë familjes së tij në Zvicër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb