ABU DHABI- Piloti i Mercedesit, Lewis Hamilton, është shpallur kampion bote për këtë sezon pas fitores së arritur në garën për Çmimin e Madh të Abu Dhabit. Gjatë gjithë sezonit, britaniku ka pasur për rival kolegun e tij te Mercedesi, Nico Rosberg, me të cilin herw pas here e kanë ndërruar vendin e parë dhe të dytë.

Megjithatë, në garën finale, piloti gjerman nuk u tregua i rrezikshëm për konkurrentin e tij dhe lejoi që ai ta fitonte titullin me lehtësi. Kjo ishte fitorja e 11-të sezonale e 29-vjeçarit dhe e 33-ta në karrierë. Totali i pikëve të tij në këtë sezon është 384. Hamilton doli i pari në garën e Abu Dhabit, i ndjekur nga pilotët e Williams, Felippe dhe Valtteri Bottas.

“Kampion bote, o Zot, nuk mund të besoj, faleminderit të gjithëve”, ishin fjalët e para të Hamilton në këtë triumf. Rosberg e përfundoi garën finale në vendin e 13-të dhe mbeti prapa kampionit në renditjen e përgjithshme të pilotëve (me 317 pikë). Kjo është hera e dytë që Hamilton shpallet kampion bote i Formula 1, pas titullit të fituar në vitin 2008.

Vendi i tretë në renditjen e përgjithshme të pilotëve i takoi australianit Daniel Ricciardo (Red Bull) me 238 pikë, ndërkohë që ish-kampioni Sebastian Vettel (Red Bull) arriti të zë vetëm vendin e pestë këtë sezon (167 pikë). Mercedesi pa konkurrencë triumfon në renditjen e konstruktorëve me 701 pikë, ndërsa në pozitat dy dhe tre gjenden Red Bull (405 pikë), respektivisht Williams (320 pikë).

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb