LEZHE – Një efektiv rrugor ka rënë në pranga, pasi akuzohet se mori ryshfet nga një shtetas kosovar. Burime nga blutë e Lezhës, bënë me dije se Ylli Ulaj është kapur në flagrancë rreth orës 11:30, teksa ka qenë me shërbim në autostradën Milot–Lezhë, pasi dyshohet se i ka marrë 50 euro kosovarit me iniciale S.D,. Ky i fundit po udhëtonte me automjetin e tij kur u ndalua për tejkalim të normave të shpejtësisë.
Mësohet se drejtuesi i mjetit ka kundërshtuar faktin se ishte në shkelje të rregullave të qarkullimit, por ka paguar sasinë e lekëve të kërkuar nga efektivi i Qarkullimit, Ulaj. Të njëjtat burime pohuan se efektivi pasi kishte marrë lekët, nuk kishte proceduar administrativisht kosovarin, për shkeljen e konstatuar. Ndërkohë, S.D. ka bërë më pas denoncim në polici, e cila nisi menjëherë hetimet dhe arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë. Ulaj akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”.

(ed.me./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb