LEZHE

Në Lezhë ka nisur një nismë e re për të zbuluar pasuritë nëntokësore që prej shekujsh kanë mbetur të fshehura dhe që përbëjnë një vlerë të çmuar për trashëgiminë kulturore të qytetit.

Akademia e Shkencave, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, do të realizojë një studim gjeofizik të zonës, i cili përfshin matje topografike në terren për të identifikuar vendndodhjen e zonave me rëndësi historike.

Arkeologu Neritan Ceka, i cili do të udhëheqë grupin e punës, deklaroi se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt zbulimit të historisë ende të paeksploruar të Lezhës.
“Ky studim është një pikënisje e mirë për t’i dhënë Lezhës vëmendjen që meriton dhe për të identifikuar trashëgiminë e saj historike.”- tha Ceka.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi, theksoi se rezultatet e këtij studimi do të hapin rrugën për ekspedita arkeologjike, të cilat deri më tani kanë munguar në qytet.

“Me këtë projekt, Lezha do të marrë më shumë vëmendje për historinë dhe trashëgiminë e saj kulturore.”- tha Paulin Zefi.

Grupi i punës do të jetë aktiv në zonë për nëntë muajt e ardhshëm, dhe gjetjet përfundimtare pritet të prezantohen si një mundësi e re për grupe të ndryshme ekspeditash që do të përfshijnë Lezhën në kërkimet e tyre shkencore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb