LEZHE- Sulmohet godina e komunës Blinisht në Lezhë. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të institucionit lokal, ndërsa si shënjestër të tyren kanë pasur zyrën ku qëndronte kryekomunari Jak Zhuba.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar menjëherë forcat e rendit për ngjarjen, pasi janë zgjuar të tmerruar nga breshëritë e automatikut.

Sapo u njohën me rastin, policia e Lezhës mbërriti menjëherë në vendin ku ndodhi sulmi dhe nisën hetimet. Sipas të dhënave paraprake mësohet se nga breshëria e armëve nuk ka pasur asnjë të lënduar, por vetëm dëme materiale, pasi janë thyer xhamat e komunës. Ndërkohë, kryetari i komunës, një ditë më parë u arrestua nga policia, pasi kundërshtoi këto të fundit dhe goditi një efektiv rrugor.

Po ashtu bëhet e ditur se në ambientet e jashtme të godinës janë gjetur gëzhoja të shumta, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sakaq, policia e Lëzhës po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: