Mbas një bllokade të paarsyeshme dy vjeçare nga Greqia, më 15 Tetor 2024 në Luksemburg u çelën negociatat për grup kapitujt e parë në kuadrin e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Një ngjarje që me të drejtë tërhoqi interesin dhe vëmendjen e politikës, medias dhe opinionit publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kësisoj, çështja e anëtarësimit tonë sa më të shpejtë në BE, për të kompensuar vonesat e mëdha dhe për t‘iu përgjigjur më mirë sfidave madhore të epokës sonë ka dalë sërish në krye të axhendës sonë politike dhe integruese.
Me qëllim që ky proces, si në Tiranë dhe në Bruksel të ecë pa pengesa të mëtejshme, krahas të tjerash ka shumë rëndësi që t’i referohemi burimeve sa më të besueshme referuese të ekspertëve dhe analistëve me përvojë në këtë fushë madhore. Veç të huajve, këtu ze vend të veçantë mendimi dhe sugjerimet e diplomatëve që janë marrë me vite dhe me dekada me këtë dosje të ndërlikuar në Tiranë, në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera të BE-së.
Pikërisht në këtë seri analizash dhe botimesh specifike në 15 vitet e fundit spikat diplomati dhe publicisti i njohur, Dr. Jorgji Kote me dhjetra shkrime në median tonë të kushtuar integrimit europian, librin “Berlini pa Mure“, “Diplomacia për të gjithë“ dhe botime të tjera të vlerësuara. Pak kohë më parë, duke i paraprirë dinamikave të reja të këtij procesi madhor, ai promovoi në Tiranë librin e tij të ri me vlera referuese “Negociatat – sfida e fundit e integrimit“ botim tjetër cilësor i “ Nacional”.
Libri është shkruar nga një profesionist i fushës dhe diplomat karriere, i cili krahas misioneve dhe veprimtarive të tjera ndërkombëtare, në 25 vitet e fundit ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për 15 vjet numri 2 i Përfaqësive tona diplomatike në Bruksel dhe Berlin.
“ Negociatat, sfida e fundit e integrimit” pasqyron njohjen e thellë teorike të autorit mbi temën, duke qenë dhe i doktoruar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me trajnim 1 vjeçar në një universitet prestigjioz në Vjenë. Edhe mbas përfundimit të shërbimit aktiv publik dhe diplomatik 45 vjeçar, Dr. Kote vazhdon të meret aktivisht me temat e integrimit tonë europian, me kontakte të shpeshta dhe të vazhdueshme me qarqet europiane në Bruksel dhe i ftuar në shumë evente, falë dhe zotërimit të gjuhëve anglisht, frëngjisht, gjermanisht, etj.
Ky libër ka ngjallur interes të veçantë falë përmbajtjes dhe vlerave të spikatura politike dhe shkencore. Ai bën një skanim të hollësishëm të arritjeve, zhvillimeve dhe problematikave lidhur me temën madhore dhe komplekse që shtjellon – demarshet e panumurta 10 vjeçare deri në çeljen e këtyre negociatave dhe vazhdimin e tyre deri në anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian. Ca më tepër, kur si nga ana jonë dhe BE-ja ka një dakordësi në parim që objektivi për mbylljen e këtij procesi të jetë viti 2030. Diçka “ e lehtë në të thënë, por jo në të bënë“
Kronika politike dhe diplomatike mbi negociatat tona në këtë libër fillon me një sfond të veçantë historik, duke na sjellë një kontrast të thellë midis “ BE-së si armiku ynë më i madh dje dhe destinacioni ynë strategjik sot”. Kjo shfaqet dhe në shkrimin “ aperitiv” “Bruksel, e bukura ime” nëpërmjet disa tipareve dhe karakteristikave europiane të Brukselit, Kryeqytetit belg dhe europian ku po duam të shkojmë. Më tej, autori na shoqëron në një udhëtim në kohë që fillon në Tiranë, në selitë tona qeveritare, shtetërore, mediatike, etj duke na “ shetitur” politikisht pothuajse në të gjitha kryeqytetet dhe metropolet e tjera të rajonit dhe Europës deri në SHBA, në takime, forume, samite dhe evente të shumta kushtuar procesit të integrimit dhe negociatave të anëtarësimit në BE të rajonit dhe posaçërisht të vendit tonë.
Të gjitha këto “ture europiane” janë përmbledhur në 266 faqe, në 10 kapituj dhe 41 shkrime me tituj intrigues, tërheqës, problematike, që shtrojnë pyetje duke dhënë përgjigje në ndalesat e mëpastajme europiane dhe rajonale.
Dëshmi tjetër e qartë e dobisë së këtij libri ishte prania masive në promovimin e librit e shumë personaliteteve dhe zyrtarëve të lartë. Duke filluar nga deputetet Jorida Tabaku dhe Etilda Gjonaj, përkatësisht Kryetare dhe Nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Integrimit, të cilat dhe përshëndetën takimin, duke evidentuar vlerat e librit dhe përvojën e pasur të autorit. Po ashtu, nderoi me praninë dhe fjalën e tij Akademik Anastas Angjeli dhe Akademik Adrian Civici, ish ministrat e Jashtëm, Prof. Dr. Paskal Milo dhe Besnik Mustafaj, Presidenti i Bordit të Universitetit “ Luarasi” Ambasadori i Karrierës, Dashnor Dervishi, profesorë, ish ambasadorë, drejtorë në Kuvend dhe MEPJ, stafi i Kryenegociatores tonë, etj.
Meritë tjetër praktike e librit është se pas çdo ngjarjeje, parashikimi dhe analize shkohet më tej, duke dhënë sugjerime dhe rekomandime profesionale dhe dashamirëse për të gjithë zinxhirin intitucional dhe vendimarrës në Tiranë. Ai bën sipas rastit vlerësime pozitive, pa ia ngrënë hakun askujt, sidomos për stafin negociator, MPEJ-në, Kuvendin dhe median, falë emrit dhe imazhit pozitiv që kanë krijuar në korridoret dhe kancelaritë europiane.
Ndërkohë, autori nuk heziton të shprehë vërejtje, rezerva dhe kritika për politikbërësit. Për pasojë, në disa raste shkon dëm dhe puna e lavdërueshme në aspektin teknik.
Vlerë tjetër e shtuar e librit është Parathënia nga një personalitet me vend dhe respect të veçantë në komunitetin tonë akademik dhe sidomos të drejtës ndërkombëtare, Prof.Dr. Ksenofon Krisafi; krahas të tjerash, Profesori i nderuar nënvizon se ”ky libër i kushtohet idealizmit, punës dhe përkushtimit të një numri të madh ekspertësh, të cilët prej shumë vitesh punojnë pa kursyer me dijet, mençurinë, vendosmërinë dhe energjitë e tyre për të realizuar një endërr, e cila vjen nga shekuj historie“.
Dhe në fjalën e tij në ceremoninë e promovimit, Pr. Dr. Krisafi nënvizoi se “Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” vjen në kohën e duhur si dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për Europën, e progresit të arritur, mësimeve të nxjerra, projekteve të ndërhyrjeve rutinë dhe reformave të tjera që duhen zbatuar për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.”
Ndërsa, Klajda Gjosha, ish ministrja aktive e Integrimit në vitet 2013 – 2017 në recensionin e saj, nënvizoi se ky libër është kronikë e gjallë historike dhe diplomatike e ngjarjeve që lidhen posaçërisht me demarshet e shumta lidhur me çeljen e negociatave në 10 vitet e fundit në Tiranë, në Bruksel dhe kudo në Europë.
Me shumë interes është rikapitullimi nga autori në fund të librit i 10 rekomandimeve themelore të cilat janë tejet aktuale dhe mund të ndihmojnë dhe në procesin e tanishëm të negociatave, për të përmirësuar dhe përshpejtuar përpjekjet në këtë fushë.
Më konkretisht bëhet fjalë për zbatimin e drejtë dhe me konseguencë të modelit kroat, duke krijuar një klimë konsensuale dhe kohezion politik e partiak për çështjen e integrimit; po ashtu lipset vlerësimi i njëjtë për të katër institucionet më të larta të BE-së, pa mbivlerësuar Komisionin Europian ; sepse në fund të fundit vendimet i merr Këshilli, dmth të 27 vendet anëtare. Ndaj, autori sugjeron që të mbahen marrëdhënie të mira me të gjithë aktorët dhe faktorët europianë; nuk është produktive të mundohemi “ta kemi grurë” vetëm me “të mëdhenjtë“, dhe duke nënvleftësuar ” më të vegjëlit.” Shumë e rëndësishme me vendet fqinje është që të shmangim dhe të bëjmë çmos të zgjidhim çdo problem dhe incident me mjete diplomatike, natyrisht pa cënuar parimet themelore dhe drejtësinë e pavarur, që të mos kalohet në veto bllokuese, sikurse ka ndodhur dhe tani së fundi.
Po aq e rëndësishme është të linjëzojmë përparimin teknik në negociata me vullnetin dhe veprimin politik; gjeopolitika dhe disa veprime tona pozitive në favor të saj kanë rëndësinë e tyre, por ato janë pa efekt nëse nuk shoqërohen me shkuljen e “të këqiave brenda vendit”, dmth luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa për reformat, ato vërtet i bëjmë për vehte, por ama të certifikohen dhe nga Brukseli ku duam të integrohemi, ndryshe do të jenë pa vlerë; për rrjedhojë, dhe projekt-ligjet tona të jenë në frymë dhe në gërma të linjëzuara me ato të BE-së, konsensuale dhe në bashkëpunim me opozitën; ndryshe puna dhe përpjekjet që janë bërë për afrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së nuk do të japin rezultatet e pritshme.
Së fundi, nisur nga faktorët e lartpërmendur, ky botim, i pari dhe i vetmi deri tani i këtij lloji paraqet interes për të gjithë. Veç temës gjithëpërfshirëse, kjo dhe sepse pavarësisht nga specifikat teknike, libri është shkruar me gjuhë të thjeshtë, të pastër, të pasur, të qartë, jo e rënduar, me një stil joshës, me fjali të shkurtëra, me tituj intrigues dhe disa prej tyre në formë pikpyetjesh. Kësisoj, shkrimet rrjedhin natyrshëm njeri pas tjetrit, duke mos e lënë lexuesin “të marrë frymë” në pritje të hapave pasardhës.
Nisur nga sipër dhe për shumë arsye të tjera, ky libër, ndër të paktit e këtij lloji gjatë viteve të fundit, shërben si burim i vërtetë dhe i besueshëm referues për politikanët, ligjvënësit, studentët, pedagogët, diplomatët, historianët dhe ekspertët e politikës së jashtme dhe veçanërisht atyre të integrimit europian.