PRISHTINË- Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe përmbyllja e suksesshme e dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në, janë dy prioritetet kryesore të qeverisë kosovarë për këtë vit. Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku në raportimin e tij sot para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Kosovës tha se lidhur me liberalizimin e vizave janë përmbushur shumica e kritereve teknike, por janë edhe disa rekomandime që duhet të adresohen për institucionet përkatëse në vijim.

“Ministria për Integrim Evropian ka orientuar punën në dy prioritetet kryesore për këtë vit, nënshkrimi i MSA-së dhe përmbyllja e suksesshme e dialogut për liberalizimin e vizave me BE-në”, tha Çollaku.

Më tej, ministri shtoi se në kuadër të MSA-së procesi është duke ecur sipas planifikimit, ku aktualisht draft-marrëveshja është në procedurë të përkthimit në gjuhët zyrtare të BE-së. “Ky proces pritet që të përfundojë brenda 6 mujorit të parë të 2015. Pas kësaj, MSA do të miratohet në takimin e rregullt të Kolegjit të Komisionit Evropian. Plani është që në verë të vitit 2015 Këshilli për Çështje të Përgjithshme të miratojë MSA-në. Këshilli pastaj do të autorizojë Përfaqësuesen e Jashtme për nënshkrim”, theksoi ai. Pas nënshkrimit, vijoi ministri Çollaku, MSA do të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës dhe Parlamentin Evropian.

“Ndërsa, lidhur me liberalizimin e vizave përkundër faktit se kemi përmbushur shumicën e kritereve teknike qoftë në miratimin e kornizës ligjore dhe strategjike, apo në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe arritjen e rezultateve të tjera të prekshme në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, jemi të vetëdijshëm se kanë mbetur edhe disa kritere/rekomandime të cilat duhet të adresohen nga institucionet përgjegjëse në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ministri.

Po ashtu, ai informoi anëtarët e Komisionit Parlamentar lidhur me masat e ndërmarra nga ana e institucioneve të vendit për parandalimin e migrimit të parregullt, si dhe me aspekte tjera të koordinimit të axhendës evropiane si përafrimi dhe përkthimi e legjislacionit, koordinimi i asistencës në kuadër të Instrumentit të Para Anëtarësimit IPA, koordinimit të donatorëve, si dhe zbatimit të strategjisë për komunitetin.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: