LIBI

Ka rritur në 8 mijë numri i persona që kanë ikur nga luftimet në zonën përreth kryeqytetit të Libisë, Tripoli. Ndërkohë zhvendosja nga zona e përleshjes drejt Tripolit po vazhdon, bëri me dije zëdhënësi i OKB-së, Rheal Leblanc, për gazetarët në Gjenevë.

Mësohet se përveç të zhvendosurve, Leblanc raportoi për shumë familje që mbeten të bllokuara në zonat e prekura nga konflikti”.

Javën e kaluar, komandanti ushtarak, Khalifa Haftar, ka nisur një ofensivë për marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja, shkruan REL.

Kjo qeveri e unitetit e kontrollon kryeqytetin, por autoriteti i saj nuk njihet nga një administratë paralele në lindje të Libisë.

Gjenerali Haftar është aleat i qeverisë rivale në qytetin lindor Tobruk.

Kryeministri Al-Serraj e akuzoi atë për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se dhjetëra njerëz janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në luftime.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb