Nga KRESHNIK ZEQAJ*

Ndodh që për të bërë një analizë gjaku apo urine duhet të udhëtosh disa kilometra larg, pasi qendrat shëndetësore që ne kemi afër nuk funksionojnë, nuk gjendet një laborante që të punësohet, si psh. në Libofshë. Kjo është historia për sot.

Para dy javësh, ne denoncuam edhe qendrën shëndetësore Roskovec, ku laboratori prej 7 muajsh qëndron i mbyllur, pasi nuk ka laborant apo laborante. Kjo mungesë personeli sjell pasoja tek qytetarët, të cilët për një analizë 500 lekëshe duhet të harxhojnë edhe nja 1 mijë lekë për të shkuar deri në Fier, ku mund të kryejnë punë.

Si kjo qendër shëndetësore ka edhe shumë të tjera në rrethin e Fierit e një ndër to është edhe ajo e Libofshës, ku laboratori qëndron i mbyllur. Në këtë qendër shëndetësore ka punuar së fundmi laborantja Mirela Grishti e cila është larguar nga puna e arsyet janë nga më të ndryshmet.

Mirela deklaron se “për 3 muaj kam punuar në Libofshë. Kisha një kontratë dhe më pas më hoqi drejtori Nikolla Zaka, që i shtynte pensionin një laboranteje tjetër. U bë gati 8 muaj që laboratori dhe mikroskopi rri i mbyllur, pasi Nikolla Zana nuk pranon që unë të shkoj në punë”.

Mirela pretendon se është larguar nga puna padrejtësisht, pasi ajo ka punuar 3 muaj atje me kontratë. Ajo ka shkuar dhe e ka takuar drejtorin Nikolla Zaka e madje e ka regjistruar me kamera të fshehtë. Drejtori i thotë “çoji letrat tek DSHP Fier”, sepse e ka bordi në dorë. Bordi i ka pasur 2 muaj dokumentat dhe nuk i ka prekur me dorë. Tani, ku të drejtoret Mirela? Pasi edhe DSHP i thotë “çoji në Libofshë”.

Unë shkova në Libofshë të Fierit dhe takova drejtorin Nikolla Zaka. Drejtori na tha se nuk e ka dërguar njoftimin për vend vakant dhe duhet të vendosë Ministria e Shëndetësisë se kush duhet të punësohet në këtë qendër shëndetësore. Por Mirela ka dhe dëshmitarë që thonë se drejtori Zaka nuk do që ajo të shkojë në atë vend pune.

Por, a ka më shanse që Mirela të kthehet në këtë vend pune? Zaka shprehet se gjithçka varet nga DSHP Fier dhe Ministria.

Po mirë, zoti drejtor dhe ju, mbi drejtorin! Sa do rrinë mbyllur këta laboratorë? Pse banorët e Libofshës apo Roskovecit e shumë zonave të tjera duhet të ikin për një analizë aq larg? DSHP Fier s’duhet të rrijë më duarkryq, por t’i hapë kur ka nge ato shkresa që i shkojnë në zyrë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb