TIRANE– Të paktën 4 mijë anëtarë të rinj janë regjistruar online dhe mijëra të tjerë me formularë në këto tre javë pranë partisë më të re ‘Libra’ e drejtuar nga deputeti Ben Blushi.

Lëvizja, e cila u krijua më 1 nëntor të këtij viti tashmë do të ketë selinë e saj në njësinë nr.5 në kryeqytet. Me anë të një njoftimi për shtyp, në faqen e saj zyrtare të partisë, bëhet e ditur se pas një konsultimi të anëtarësisë, iu propozua zyrtarisht Kuvendit që të zbatohet minimum jetik për shtresat në nevojë.

NJOFTIMI I “LIBRA”
Duke ju falenderuar për mbështetjen, duam t’ju informojmë se në vetëm tre javë kemi arritur të bëhemi afërsisht 4000 anëtarë të rregjistruar online, përmes faqes sonë libra.al, si dhe mijëra të tjerë të anëtarësuar me formularët tanë në letër, të cilët mund t’i shpërndajë edhe secili prej jush.
LIBRA tashmë ka selinë e vet në rrugën Sami Frashëri, numër 5 në Tiranë, në të cilën çdo ditë mblidhen aktivistët e saj, simpatizantë apo zhvillohen mbledhje të shumta të ekspertëve, që po hartojnë programin e LIBRAs, si dhe grupet e të rinjve dhe koordinatorëve të qytetit të Tiranës.
Vetëm gjatë javës që u mbyll, LIBRA ka bërë propozimin e saj të parë zyrtar, pas një konsultimi të gjerë të anëtarësisë. Ne propozuam zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë që shteti shqiptar të përcaktojë dhe të zbatojë minimumin jetik, si një domosdoshmëri për të zbutur polarizimin social, për të luftuar varfërinë si dhe për t’i siguruar më shumë mirëqënie dhe dinjitet më shumë se 500 mijë shqiptarëve, të cilët jetojnë sot me më pak se 500 lekë në ditë.

LIBRA e konsideron varfërinë si armikun kryesor të Shqipërisë.
Gjatë ditëve të ardhshme, ne do të bëjmë propozime të tjera që lidhen me arsimin, forcimin e shtresës së mesme si dhe me inkurajimin e teknologjisë, si e vetmja mundësi për të modernizuar vendin, për të transformuar shërbimet, për t’i bërë ato më të shpejta dhe më të lira si dhe për të luftuar korrupsionin e panginjur administrativ. LIBRA do jetë shumë aktive në procesin e diskutimit të buxhetit të shtetit gjatë ditëve të ardhshme dhe ne ju lutemi të bëni sugjerimet e tuaja se çfarë çështjesh kërkoni që LIBRA të ngrejë përmes dy deputetëve të saj në Kuvend, gjatë këtij procesi. Për të gjitha temat e lidhura me vizionin tonë LIBRA, jeni të ftuar të dërgoni shkrimet tuaja, të cilat do të dalin në faqen libra.al. Kjo faqe është instrumenti ynë kryesor dhe tryeza jonë e përbashkët ku ndajmë idetë dhe lirinë tonë. Ndërkohë, LIBRA po vazhdon të shtrihet dhe të organizohet në të gjitha qarqet, bashkitë, fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë.

Jemi të gëzuar që sot nuk ka asnjë qytet të Shqipërisë pa LIBRA.
Javën që kaloi, LIBRA nisi të ndërtojë Bërthamat e saj në Durrës, në Lezhë, ashtu siç ka bërë më parë në Fier, Berat, Dibër e Gjirokastër, për të vazhduar me Vlorën, Shkodrën dhe Korçën. Në të gjitha këto qytete, ka shumë qytetarë që janë rregjistruar me vullnet të lirë si anëtarë të LIBRAs.
Ne ju kërkojmë të gjithëve të na sugjeroni ngritjen e degëve te LIBRAs kudo ku ndodheni, në çdo bashki, fshat apo qytet të vendit dhe jemi gati të vijmë aty për t’ju takuar, sapo të na kontaktoni në adresën [email protected], në mënyrë që të koordinojmë orën dhe vendin e takimit. Po ashtu, gjatë javës që u mbyll, ka nisur të krijohet edhe Bërthama e koordinatorëve për Tiranën. Të gjithë ju që doni të jeni aktivë dhe të merrni pjesë në këtë strukturë, jeni të mirëpritur të na shkruani, dhe ne do t’ju kontaktojmë. Ndërkaq, selia jonë në rrugën Sami Frashëri nr.5 është vazhdimisht e hapur për ju dhe secili anëtar i LIBRAs apo çdo simpatizant është i mirëpritur aty në çdo orë për të komunikuar, për të marrë informacion a për t’u rregjistruar. LIBRA është një shtëpi e përbashkët dhe e hapur për të gjithë. Duam t’ju kujtojmë të vazhdoni dhe të nxisni procesin e anëtarësimeve në faqen tonë libra.al, pasi në javët që do të vijnë LIBRA do të shkojë në votim të hapur dhe transparent për çështje të rëndësishme, për të cilat mund dhe duhet të shprehet çdo anëtar i saj. Suksese të gjithëve në këtë mision që kërkon të ndryshojë Shqipërinë!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: