TIRANË- Për herë të parë një parti politike iu jep të drejtën anëtarëve të vendosin për votën e deputetëve në parlament. Partia e sapo themeluar e deputetit Ben Blushi, Lista e Barabartë ka ftuar anëtarët e saj të shprehin vendimin e tyre se si duhet të votojnë dy deputetët që aktualisht LIBRA ka në parlament, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi për projektbuxhetin.

Bashkë me pyetjen nëse duhet të votojnë “Pro” apo “Kundër” buxhetit, në faqen e Facebook, të LIBRA-s informohet edhe për ato çfarë parashikon ky buxhet. Një prej zërave ka të bëjë me dhënien me koncesion të laboratorëve. Gjithashtu sipas LIBRA-s buxheti ul financimet në arsim në vlerën më të ulët historike.
Libra 25 nentor

“Siç nuk ka ndodhur asnjëherë më parë me një forcë politike, ne kemi vendosur t’i japim anëtarësisë së LIBRA-s të drejtën për të përcaktuar votën tonë për buxhetin 2017, i cili diskutohet e vendoset javën e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Ju bëjmë me dije disa çështje themelore të këtij buxheti, që na kanë alarmuar dhe duam t’i ndajmë me ju:
Buxheti parashikon që laboratorët në të gjitha spitalet publike të jepen me koncesion. Vlera që kompania private do të marrë nga fondet publike, çdo vit, për dhjetë vjet, do të jetë 886.3 milionë lekë.
Ky buxhet paguan më shumë për tetë koncesione sesa për të gjitha universitetet bashkë. Ai do të paguajë 7.192 miliardë lekë në 2017 për tetë kompani private koncesionesh dhe 6.643 miliardë lekë për mëse 150 mijë studentët shqiptarë.

libra faqja e votimit
Buxheti i ul financimet në arsim në vlerën më të ulët historike, në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Të ardhurat nga taksimi i pagave do të jenë më të mëdha se të ardhurat nga taksimi i fitimit. Konkretisht, tatimi mbi të ardhurat personale, të cilat paguhen nga shqiptarët e punësuar, do sjellë në buxhetin e 2017 2.3% të PBB ose 36.2 miliardë lekë, kurse tatimi i fitimit, pra taksat që paguajnë bizneset për fitimet e tyre, përbëjnë 1.8% të PBB ose 29.2 miliardë lekë.
Të ardhurat nga TVSH për vitin 2017 do të jenë 8.8%, ndërsa edhe tre vjet më parë, në 2014, të ardhurat nga TVSH ishin 8.9%. Kjo do të thotë që qeveria nuk e ka ndërmend të luftojë evazionin dhe kontrabandën e importuesve të mëdhenj.

Buxheti paguan 100 milionë lekë më pak për papunësi, për ndihmë ekonomike dhe paaftësi krahasuar me një vit më parë. Ju lutemi të shprehni me votën tuaj vendimin”, shkruhet në faqen e LIBRA-s.

libra votimi 2

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: