TIRANE- Një udhëzim që ndryshon rregullat për kandidimin e partive politike në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, ka krijuar përplasje ditën e sotme mes KQZ dhe partisë LIBRA. Udhëzimi i ndryshuar, mes të tjerash, parashikon që partitë politike që nuk zotërojnë mandate në Kuvend, për të garuar në zgjedhjet e reja duhet të mbledhin 5 mijë firma nga zgjedhësit.

Një tjetër ndryshim parashikon që kandidatët për deputetë që kanë mandate në Kuvend, me anë të një vërtetimi nga Parlamenti, i provojnë KQZ-se kanë mandat parlamentar të paktën 6 muajt e fundit.

Ky akt u përfol sot në media si një pengesë për regjistrimin si subjekt zgjedhor të LIBRA-s, partia më e re në spektrin politik shqiptar. Edhe përfaqësues të saj e konsideruan aktin një pengesë për moskandidimin e LIBRA-s në zgjedhjet e ardhshme.

Ndryshimi i aktit nënligjor që Ben Blushi pretendon se u krijua për të dëmtuar LIBRA-n, sipas kreut të KQZ Denar Biba ka ardhur si pasojë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Por deputetja Mimoza Hafizi tha se ky nuk mund të përdoret si argument, pasi në propozimet e OSBE/ODIOHR nuk ka një propozim të tillë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në “News24”, përfaqësuesi i LIBRA-s, Bledar Barçi, tha se nëse i cënohet e drejta, LIBRA do të ndjekë çdo rrugë ligjore.

“Deri më tani janë dy deputetë në Kuvend, që tashmë janë pjesë e LIBRA-s. Ajo çka duhet të verifikohet është afati i vlefshmërisë së këtyre mandateve. Por sipas udhëzimit që po përgatit KQZ së fundmi, dhe që është vetëm për LIBRA, po bëhen ndryshime të tilla që të penalizohet LIBRA. Po cënohet një e drejtë e LIBRA-s nga KQZ. Nëse e drejta jonë nuk gjendet, atëherë do të ndjekim rrugën ligjore. Ne do t’i qëndrojmë zbatimit të së drejtës. Të gjitha betejat janë të drejta nëse nisen nga një parim i drejtës. Në rastin tonë, LIBRA niset nga një parim bazë, pasi nuk mund të ndryshohen rregullat për një parti. Kjo vjen si tentative për të lejuar vjedhjen e zgjedhjeve. Për të regjistruar apo jo një parti të re, duhet në vendimin me shumicë të cilësuar, 5 me 2 në KQZ. Të gjithë anëtarët e LIBRA-s që aktualisht janë 10 mijë, por edhe simpatizantë të tjerë, janë njerëz që shtyjnë më shumë se ne për të vijuar me këtë rrugëtim që kemi nisur”, tha Barçi.

Duke u ndalur tek votimi elektronik për zgjedhjet e brendshme në LIBRA, i pari i këtij lloji në vendin tonë, Barçi thotë se gjithçka ka shkuar mirë.

Pas, parashtrimit të argumenteve në mbledhjen e sotme të KQZ, me 5 vota pro dhe dy vota kundër Komisioni Qendor i Zgjedhjeve miratoi kërkesën për shtyrjen e vendimit për udhëzimin, që parashikon ndryshim në dokumentacionin e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: