LIBRA nuk do të marrë pjesë në protestën e 27 Janarit. Këtë e ka bërë të ditur vetë partia në një status në Facebook, ku dhe tregon arsyet e mungesës së saj.

Në njoftim shkruhet se edhe pse ka shumë arsye për të protestuar ndaj “qeverisë së dështuar që në djep”, LIBRA nuk do t’i bashkohet Partisë Demokratike dhe LSI-së.

“ Kemi po të njejtën sjellje nga dy partitë kryesore. Po LSI që sot përmallohet për qytetarët çfarë roli ka patur a e kujtojnë shqiptarët. Gjatë gjithë kësaj kohe ka qënë njëherë patericë e PD dhe njëherë patericë e PS. Për drejtuesit e protestës së 27 Janarit numri i njerëzve është thjesht një levë që të rrisin stekën e pazarit në luftën për pushtet që kanë me qeverinë. Ata luten që të ketë një Ziver Veiz mes turmës se në këtë rast steka do jetë më e lartë,” shkruhet në postim.

Statusi i plote
PERSE LIBRA NUK DO TE MARRE PJESE NE PROTESTEN E 27 JANARIT.

Ka shumë pyetje dhe thirrje drejtuar partive të opozitës për pjesëmarrje në protestën e 27 Janarit. Kësaj thirrje ne i përgjigjemi me një JO. LIBRA nuk do të marrë pjesë në protestën e 27 Janarit.

Le të sqarojmë në fillim që LIBRA është parti opozitare dhe që mendon që qeveria aktuale është e dështuar që në djep. Kjo qeverisje nuk ka se çfarë ti ofrojë këtij vendi. Me makutërinë e saj kjo qeveri po privatizon apo jep me koncesion tek njerëzit e vet çdo pasuri të mundshme, me paaftësinë e saj ajo po merr pakuptim dhe qindarkat e fundit nga xhepat e shqiptarëve, me papërgjegjshmërinë e vet ajo po merr borxhe pafund duke iu afruar frikshëm pikës ku arriti Greqia. Shqiptarët i afrohen fundit të jetës së tyre duke mos parë një dritë të bardhë e duke mallkuar nëpër dhëmbë. Çdo ditë që qeveria aktuale është në fuqi është jo vetëm një ditë e humbur kot në jetën e gjithë shqiptarëve por edhe një hap më afër greminës të skenarit Grek. Por ne nuk jemi pjesë e BE, nuk do kemi akses në ato fonde që ka patur Greqia dhe në një rast të tillë jo vetëm do vuajmë shumë më tepër, por dhe do e kemi shumë më të vështirë në mos të pamundur që të ngrihemi në këmbë.

Pra ka arsye për të protestuar. Problemet e rreshtuara nga opozita qëndrojnë. I listuan dhe në parlament. Varfëria që sa vjen e shtohet, arsimimi i pamundur, kanabizimi i vendit, të gjitha janë tema që qëndrojnë dhe në këto kushte është detyre e çdo qytetari të protestojë. Të papunët, të varfërit të rinjtë që smund të arsimohen janë thirrur të shkojnë në protestë.

Në protestë thërriten të jenë ish-naftëtarët e ARMO. Të ngelur pa punë për të disatën herë ata vrasin mendjen se si erdhën në këtë dite. Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë të pasura me naftë. ARMO ishte një ndërmarrje shtetërore që ishte me fitim për sa kohë e administronte shteti, por pas privatizimit të kryer nga PD tek Taçi kjo ndërmarrje filloi vidhej në mënyrë të frikshme. Ato që deklarohen se janë borxhe në tatime në fakt janë para të futura në xhep nga pronarët e ARMO-s. Lojën e PD e vazhdoi PS dhe sot ARMO figuron me një borxh ose më saktë me një vjedhje nga xhepat e shqiptarëve të 600 milione Eurove, gjysma në kohën kur qeveriste PD dhe gjysma tjetër në kohën kur qeverisi PS. E njëjta gjë dhe me lojën e konçesioneve që e nisi me sukses PD dhe e vazhdoi me sukses PS. Në protestë therritën të varfërit po kush i krijoi këta të varfër. Në 26 vjet demokraci 13 vjet ka qeverisur PD dhe 13 vjet ka qeverisur PS. Në protestë thërriten të vijnë ata që smund të arsimohen por a e mbani mend reformën e PD që krijoi fenomenin VItrina dhe më pas reformën e PS që studentët iu përgjigjen me sulme ndaj Ministres së Arsimit. Njerëzit thërriten të protestojnë kundër kanabizimit, por e mbani mend si nisi loja nga PD me Lazaratin dhe u vazhdua me sukses nga PS me pjesën tjetër të vendit. Kemi po të njejtën sjellje nga dy partitë kryesore. Po LSI që sot përmallohet për qytetarët çfarë roli ka patur a e kujtojnë shqiptarët. Gjatë gjithë kësaj kohe ka qënë njëherë patericë e PD dhe njëherë patericë e PS. Me deputetët që ka patur LSI e kishte në dorë që të bllokonte koncesionet si në kohën kur qeveriste me PD ashtu dhe në kohën kur qeveriste me PS. Me deputetët që ka patur LSI e kishte në dorë të mos ta linte në gjendje mizerabël arsimin në Shqipëri. Me deputetët që ka patur LSI e kishte në dorë të ndalonte Lazaratin në kohën e PD dhe kanabizimin në kohën e PS. Deklaratat e LSI se e ka ditur këtë gjë gjatë kohës që bashkëqeveriste me PS e bëjnë edhe më të rëndë pozicionin e saj. Mjafton të dilte nga qeveria dhe me rënien e qeverisë dhe skema e lidhjes qeveri-policë-trafikantë binte. Duke mos e bërë LSI është bashkëfajtore në krim. Por LSI nuk e ka bërë këtë duke deklaruar se i ka qëndruar besnike marrëveshjes me partitë respektive në çdo moment. Kjo është LSI. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi që siguria kombëtare cënohet, që siguria ekonomike zhduket, që vendi shkon drejt analfabetizmit. Mbi të gjitha është pazari partiak.

Na janë drejtuar dhe me arsyetime që njerëzit duhet të marrin pjesë në protestë pavarsisht partive dhe kur të vijë koha në zgjedhje të zgjjidhet sipas dëshirës. Ky arsyetim tregon një miopi politike. Për drejtuesit e protestës së 27 Janarit numri i njerëzve është thjesht një levë që të rrisin stekën e pazarit në luftën për pushtet që kanë me qeverinë. Ata luten që të ketë një Ziver Veiz mes turmës se në këtë rast steka do jetë më e lartë. Ata nuk janë zgjidhja e problemeve të shqiptarëve. Bashkë me qeverinë ata janë gjysma tjetër e problemit. Do të ishte mirë që në 27 Janar ata të mbylleshin në zyrat e Kryeministrisë bashkë me qeverinë atëherë po, qytetarët do të protestonin të lirë dhe me të drejtë. Atëherë dhe LIBRA do të jetë aty.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: