NGA FATMIR POPJA* LIBRAZHD- Efektivët e Krimit Ekonomik Financiar kanë arrestuar mesditën e së martës noterin Kujtim Kaca në qytetin e Librazhdit si edhe administratorin e një shoqërie private, Ismail Leka nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” si dhe “mashtrimit”.

Burime të Policisë bëjnë të ditur se është finalizuar me sukses operacionin i koduar “Egnatia” duke vënë në pranga dy personat e sipërpërmendur. Sipas policisë, këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin ata kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë së banorëve të fshatit Dardhë, ku edhe po ndërtohet HEC-i në pronësi të administratorit Ismail Leka.
Mësohet se të dy të arrestuarit kanë plotësuar dokumente me anë të të cilave banorët i kishin kaluar pronësinë mbi tokat e tyre, me qëllim që Leka të ndërtonte HEC- in në pronë të tyre, fakt që është mohuar automatikisht nga banorët.
Kanë qenë vetë këta të fundit që pasi kanë zbuluar mashtrimin e bërë nga administratori kanë denoncuar rastin në polici. HEC-i në fjalë ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2013 dhe është marrë me koncension nga Leka në vitin 2007 nga ana e Ministrisë së Energjetikës por që dokumentet që ai kishte dorëzuar ishin falsifikuar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: