LIBRAZHD

“Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan mes maleve në Librazhd atje ku një familje kishte nevojë për ndihmën tonë. Thirrja e tyre u dëgjua menjëherë nga stafi i emisionit. Gruaja, Zamira ka mbetur e ve, ka dy djem jetimë. Dhimbja i shpon zemrën çdo sekondë. Në mëshirë të fatit, pa asnjë mbështetje pasi bashkëshorti i ndërroi jetë në Greqi ajo shtyn ditët vetëm me një asistencë të vogël. Zamira rrëfen jetën e saj dhe tragjedinë që i ndodhi.

https://youtu.be/zwlFsuPe7n8

“Une jam Zamira, tani më 15 maj mbusha 15 vjet martesë, kam dy djem. Njëri është në klasë të tretë dhe djali tjetër, në klasë të tetë.

Burri më iku në Greqi për të gjetur një punë, si gjithë bashkëfshatarët jetojmë në shtëpi të vjetra. Punonim në arë por nuk kishim shumë tokë. Burri ikte në Greqi vetëm tre muaj me pasaportë, paratë që fitonte nuk dilnin për të ngrënë. Iku më tha do punoj të rregullonim shtëpinë se po na shembet.

Ishalla tha të punoj ca kohë të rregulloj shtëpinë, kishim frikë se bora do na rrëzonte çatinë. Nuk kontaktova dot me të në telefon. Njerëzit erdhën këtu në mëngjes më dhanë lajmin se ka vdekur, nuk kishte dhimbje më të madhe në jetën time. Më datë një maj vdiq, në tre erdhi trupi këtu. E ka kapur freza e dorës thanë. Veten time nuk e dua më.

Do bëhem e fortë për fëmijët. Këta kam vetëm. Amaneti i tij ishte më ruaj fëmijët, Ia ndiente zemra. Vetë burri ishte jetim që i vogël. Nga Zoti vijnë të gjitha por dhimbja ime është shumë e madhe. Kur falem dhe bëj iftarin vetëm tek ai më rri mendja. Shtëpia është e plasaritur, pikon kur bie shi. Copat e tavanit po bien nga lagështira. Nuk e dimë kush do punojë për ne. Ai kur punonte na siguronte bukë. Tani kam një asistencë 38 mijë lekë, do ma heqin edhe 18 mijë lekë. Fëmijët nuk punojnë dot. Nuk kam asnjë ëndërr asnjë shpresë, dua të më ndihmojnë të rris këta dy jetimë. Vetëm këta kam në jetë. Zemra më dhemb çdo minutë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb