Botuesi Fatmir Toçi, i ftuar në emisionin Kjo Javë në News 24 të moderatores Nisida Tufa, foli për botimin e librit të tij “Arbëreshët”.
Toçi theksoi se i janë dashur mbi 15 vite punë për të publikuar këtë libër, që flet në mënyrë ekskluzive për arbëreshët, për gjuhën e tyre, traditat dhe zakonet. Toçi vlerësoi se arbërishtja është vlerë e kombit shqiptar, që duhet të ruhet me fanatizëm.
Fatmir Toçi: Libri flet për arbëreshët. Libri është eksplorim për botën arbëreshe. Ky libër është shumë i rëndësishëm, edhe për të afruar shqiptarët në Ballkan me arbëreshët, për të bashkuar anëtarët e të njëjtit trung kombëtar. Janë dashur 15 vite punë për librin “Arbëreshët”. Autorë të njohur e kanë quajtur enciklopedi, edhe nga profesori Rexhep Qosja. Në Itali janë 50 vendbanime arbëreshe, që njihen si komunitete të veçanta nga shteti italian.
Në libër përshkruhet me detaje jeta e arbëreshëve, flitet për fenë e tyre, përfshihen elementët e kulturës, historisë. Është mbajtur ende gjallë gjuha arbëreshe, që është folur nga Skënderbeu dhe luftëtarët e tij. Gjuha ka bërë që arbëreshët të identifikohen qartësisht. Edhe mënyra e jetesës ka bërë që arbëreshët të dallohen nga italianët. Arbërishtja është gjuhë e folur dhe jo e shkruar dhe është transmetuar brez pas brezi nga familje patriarkale. Arbëreshët më pas kanë emigruar edhe në Argjentinë e Brazil. Gjuha arbëreshe duhet të ruhet, kjo është tepër e rëndësishme. Italia, Kosova e Shqipëria duhet të bëjnë më shumë për ruajtjen e gjuhës arbëreshe.
(d.xh- Balkanweb)