Ish-këngëtari i muzikës rok, gazetari dhe shkrimtari Migjen Kelmendi ka botuar në Tiranë veprën e tij “Gryka e kohës”. E botuar së pari në Kosovë më 1994, ajo tashmë vjen në gegnisht çka nxiti sërish debatin mbi gjuhën standarde, dialektet, marrëdhëniet mes gjuhës e folësve mes shqiptarëve, jo pa një farë tensioni mbi qasjen përjashtimore të të folmes gege në arealin zyrtar, duke dalë kundër edhe qasjes së të atit.
“Më 1994 e kam shkruar në standard. Unë jam djali i Ramizit që ka qenë propaganduesi më i madh i standardit asokohe, i bindur, që më së pari na bashkon gjuha, e mandej e bëjmë kollaj bashkimin. Ky ka qenë keqkuptimi fatal i gjeneratës së pasluftës. Kam qenë publikisht në favor të idesë së shkrimit e botimit të gegnishtes dhe nevojës së rivendimit të 1972 prej vitit 1994”, tha Kelmendi.
Ndërsa e sheh si tragjedi atë që ndodhi më 1972, dhe perceptimin mbi të si tregime te zbukuruara, i pyetur nga “News 24” nëse dialekti e pengon të shkojë te lexuesi, Kelmendi tha se e sheh gjuhën si ndarje e pothuaj dhunë kur flet për njerëz të kategorisë së dytë.
“Në Kosovë standardi ka pësuar fiasko historike. Ju po e vreni vetë qysh e keni kriju distancën me Prishtinën, ju i keni shpallur njerëzit e Kosovës si njerëz të kategorisë së dytë, shkaku qysh e flasin standardin jo qysh e flasin gegnishten. Kjo ka qenë pasoja ma e madhe e 1972-it që na ndau në kategori të parë e kategori të dytë, çka a kategoria e parë, blloku?”, u shpreh shkrimtari.
Poetja Natasha Lako tha se e kupton qasjen e tij për gjuhën si pengesë e pranga.
“Nëse ty të pengon kjo gjë në të shprehur, atëherë po, ke ndjerë prangat, ndaj vjen ky proces që liria e gjuhë është e pafundme”, tha ajo.
“Gryka e Kohës” vjen nën logon e “Uet press” dhe rrëfen historinë e njerëzve të Rugovës, të lindur mbi dhe nën re përmes një leksiku të pasur që i shkon paralel zonës dhe ngjarjeve të saj.