NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE– Jemi në vitin 2021. Një kryeministër vendos të kryejë aktin final për të mbajtur pushtetin: inskenimin e vetëvrasjes së tij, një atentat kundër vetes. “Snajperi” do të jetë të duart e një ushatri të sapokthyer nga Afganistani, një vend ku sipas romanit, lulëzon droga. I akuzuar për bashkëpunimin me organizata terroriste, ai pranon një detyrë të vështirë. Ky është përciptazi sfondi i romanit më të ri të Ben Blushit “KM-Kryeministri” (Botimet Mapo). Vetë autori, në një intervistë për “Gazeta shqiptare”, rrëfen pse e vret kryeministrin, kush fshihet pas OTZI-t, pse politikani mbetet vetëm dhe si i shpjegon ngjashmëritë me romanin e Fevziut “Pushteti”.

– Pse është një personazh nga Afganistani? Ka lidhje me luftërat që po bëhen, apo me atë që keni shkruar te “Hëna e Shqipërisë”, për një parti të ardhshme islamike?
Unë besoj se shkrimtarit nuk i kërkohet llogari, apo jo? Personazhin mund ta vendosim edhe në Alaskë edhe në Afganistan, rëndësi ka se çfarë simbolike përdor. Afganistani është një vend që po bën histori sot, për shumë arsye. Ka pasur shumë ushtarë shqiptarë që kanë shërbyer atje, plus që ka disa ngjashmëri fatkeqe me Shqipërinë, që unë jam përpjekur t’i them në libër, jo me fjalët e mia, por me fjalët e personazheve.

– Ndërkohë, keni edhe OTZI-n, që është një inteligjencë e zemëruar. Një lexues ka të drejtë të mendojë që “inteligjenca e zemëruar” jeni ju?
Në përgjithësi shkrimtari është shumë rrallë personazh vetë, dhe unë nuk jam akoma personazhi im. Ai personazh përfaqëson një pjesë rinie të zemëruar sot për shumë arsye, ndonjëherë gjen prehje të feja, nganjëherë gjen prehje te zemërimi, nganjëherë gjen prehje te depresioni, nganjëherë gjen prehje te vetmia. OTZI i ka pak nga të gjitha këto dhe është një personazh, i cili nuk besoj se është shumë tipik, por nuk është as shumë atipik, se jeton në një shoqëri shumë pesimiste, e cila për fat të keq i shtyn të rinjtë të marrin rrugë që ata nuk mund t’i kenë imagjinuar. Shqipëria e sotme edhe në librin tim është shumë pesimiste.

– Nga ana tjetër, kryeministri thotë se “tani njerëzit nuk më afrohen më, edhe kur unë dua”. Ndodh që një politikani t’i largohen të gjithë?
Çfarë mund të them unë për këtë? Në politikë vetëm kjo ndodh, sa më shumë. Pra, vjen një ditë kur nuk të afrohet më askush. Nuk është e rastësishme, është normale.

– Për këtë arsye, arrihet deri tek akti i krijimit të një situate vetëvrasjeje, për të mbledhur njerëzit rreth vetes?
Ajo situatë ka pasur parasysh, ose ka marrë përsipër të shpjegojë dekadencën e pushtetit, pra degradimin e pushtetit. Vjen një ditë kur për shkak se s’ke një bilanc, me të cilin mund të mbledhësh vota, bën akte marrëzie, të cilat nganjëherë të kushtojnë edhe jetën. Kështu është edhe ky rast. Ai është personazh i trilluar padyshim.

– Pse vendosni ta vetëvrisni në fund?
Ky ishte fati që mori romani, për të treguar se deri në ç’masë sakrifice shkon dashuria për pushtetin, deri në masën pra, kur mund të sakrifikosh edhe jetën siç ndodhi në librin tim, vetëm e vetëm për të fituar pushtet të prapë.

– Keni një personazh, Winston Harasani, a mund të gjejmë emra konkretë tek ky, mund t’i kërkojmë?
Jo, absolutisht. Nuk kërkojmë dot fare. Një pjesë e librit zhvillohet në Khorasan, e Khorasani është një krahinë e Afganistanit të vjetër, apo e perandorisë perse më saktë. Një pjesë e saj ka qëlluar sot në lindje të Afganistanit dhe një pjesë ka mbetur në Iran. Perandoria perse ka qenë shumë më e gjerë se kaq. Atëherë nuk kishte shtete nacionale, siç janë sot Afganistani apo Irani. Khorasani ishte zemra e asaj perandorie, edhe për shumë arsye ai mbiemër ka ardhur edhe në Shqipëri, sepse në kuadrin e Perandorisë Otomane, shqiptarët dhe të gjithë banorët e Perandorisë Otomane kanë lëvizur edhe për shkak të lëvizjes së ushtrive në atë kohë. Atë mbiemër e gjen edhe në Shqipëri dhe nuk ka asnjë lidhje me njerëz që unë mund të njoh.

– Te “Hëna e Shqipërisë”, ju parashikonit edhe një ndarje/përçarje Shqipëri-Kosovë, që në debatin e sivjetshëm u bë e qartë. A po thellohet ajo?
“Hënën e Shqipërisë” e kam nxjerrë në vitin 2014 dhe është një ese. Jam përpjekur të lexoj kurbën e Shqipërisë e Kosovës në raport me njëra-tjetrën. Nuk dua të them se ajo që kam menduar, ka dalë krejtësisht, por pa dyshim që Shqipëria me Kosovën po zhvillojnë identitetin e tyre, paralelisht dhe pavarësisht nga njëra-tjetra. Kosova e ka sot dhe do ta ketë edhe më të theksuar në të ardhmen, nevojën për të qenë një shtet i pavarur, qoftë edhe nga Shqipëria – për arsye kulturore, për arsye identitare, kosovarët kanë nevojë dhe uri të shijojnë shtetin e tyre. Kjo është totalisht e arsyeshme dhe historikisht dinamike. Këtë gjë e kam përshkruar dhe nuk e di a më ka dalë, por besoj se po.

– Jeni ju dhe (Blendi) Fevziu që e vetëvrisni kryeministrin në romanet tuaja, në të njëjtën stendë (panairi) sivjet. Është koincidencë?
Po të mos ishte koincidencë, pra po të ishte ndonjë pakt mes meje e atij, nuk do ta kisha shkruar. Unë flas për një ngjarje që nuk ka ndodhur, pra flas për ngjarje që ndodhin në të ardhmen. Romani zhvillohet në vitin 2021, janë 5-6 vite nga sot. Është një triller.

– Ju flisni pak edhe për gratë e kryeministrit…
Janë batuta që nuk kanë lidhje me thelbin. Kini parasysh që romanet janë mozaikë dhe mozaikët duhen parë në tërësi, nëse merr vetëm një frazë e vetëm një copëz, libri nuk kuptohet, ndaj unë nuk kam ndërmend që të që zgjoj keqkuptime.

– A janë të këtij kuadri, pjesë e mozaikut, edhe radhët në roman, ku flitet për qendrat e qyteteve që rregullohen sipas shijeve të të parit?
Qendrat e qyteteve janë elementë estetikë, që janë përdorur aty për të vizatuar personazhet e mi. Nuk besoj se ka ndonjë lidhje që mund ta gjeni.

– Nga romani i parë deri tek ky, sa ka ndryshuar Blushi si shkrimtar? A është më e vështirë, a keni frikë se mund të përsërisni vetveten?
Edhe nëse ka ndodhur, nuk do më vinte mirë ta pranoja. Është një proces që vazhdon dhe është e pamundur që rrugës të mos kesh ulje-ngritje që ndikojnë në cilësinë e veprave. Këtë konstatim nuk mund ta bëj unë, por duhet ta bëjnë ata që e lexojnë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb