“100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”, libri i gazetarit të njohur Roland Qafoku është nderuar nga shoqata “Vatra” në New York me çmimin “Libri më i mirë në 110-vjetorin e gazetës Dielli”.


Një juri profesioniste vlerësoi me 5 çmime gazetarë, studiues, shkrimtarë dhe aktivistë të çështjeve të ndryshme. Gazetari Qafoku u vlerësua me këtë çmim për botimin e një libri të një zhanri krejt të ri të medias shqiptare, për trajtimin e shumë ngjarjeve të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar si dhe shtrirjen e tyre në kohë.


“Të nderuar miq! Dëshiroj të ndaj me ju lajmin se dje në New York, libri im ‘100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar’ u vlerësua me çmimin ‘Libri më i mirë në 110-vjetorin e gazetës ‘Dielli’ nga shoqata panshqiptare ‘Vatra’ dhe redaksia e gazetes Dielli’. Dua të falenderoj të gjithë anëtarët e jurisë për vlerësimin e bërë. Për mua është nder i veçantë së pari që të vlerësohem me çmim nga gazeta që ka bërë historinë e medias shqiptare edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri dhe nga shoqata Vatra qe eshte djepi ku u perkund shqiptarizimi dhe vete shteti shqiptar. Së dyti që këtë çmim ta marrë nga votimi i personaliteteve të medias, artit, shkencës dhe mendimin shqiptar në SHBA. Dhe së treti që këtë çmim ta marr mes konkuruesëve të denjë dhe të një niveli të lartë”, shkruan vetë gazetari.


100 Vrasjet Me Te Bujshme Ne Historine E Shtetit Shqiptar
100 Vrasjet Me Te Bujshme Ne Historine E Shtetit Shqiptar

Në darkën e organizuar me 6 Prill 2019 kushtuar 110 Vjetorit të Gazetës “DIELLI” u shpallën fituesit e Konkursit organizuar nga VATRA & Redaksia e DIELLIT me rastin e 110 vjetorit, ku morën pjesë 52 autorë, me esse, artikuj studimorë, reportazhe, libra për Editorët e VATRËS, libra historikë, Monografi, poezi etj etj.

(BalkanWeb)