Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e katërt
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Vijon nga numri i kaluar
Me urdhër të superfuqive, udhëtoi një delegacion aristokratësh shqiptarë, me Esat Pashën në krye, vetë pretendent jo zyrtar për në Pallatin Neuwied në Rhen, atje ku kurora e principatës së re, i’u dhurua zyrtarisht Wilhemit, njëkohësisht që Princit i’u komunikua situata e gëzueshme, që ai nën entuziazmin e furishëm të popullit shqiptarë, “zgjidhet” Mbret i parë i Shqipërisë.
Princi i emocionuar, falënderoi për këtë besim dhe nder, që populli shqiptar tregon për të dhe e pranon me gjithë qejf, pasi ai me mjaft largpamësi, kishte marrë siguri nga superfuqitë që i garantonin një pension, prej 200.000 frangash, në se ngjarjet do të bënin të pa përshtatshme, një qëndrimin në këtë mëmëdheun e ri. Delegacioni i premtoi besnikëri, i rekomanduan veten e tyre dhe u kthyen në Durrës. Kjo ndodhi rreth ndërrimit të viteve 1913-‘14.
Natyrisht parandiente Wilhelmi, shumë shqetësim kur mendonte për këtë detyrë të rrezikshme për jetën, që ai pranoi të merrte. Ai nga natyra qe larg ndonjë heroi. As edhe shtypi botëror, nuk e ndihmoi atë, që të ndihej i gëzuar. Gazetat e gjithë botës qen mbushur plot me profeci fatkeqësish dhe histori të babëzitura tmerri, mbi egërsitë dhe aftësitë e përsosura të shqiptarëve, në përdorimin e armëve. Krejtësisht veçant merreshin gazetarët me kënaqësi, duke bërë krahasime të zymta me tragjedinë e Meksikës, të perandorit Maximilian. Veç atyre, pati edhe ngjashmëri të tjera, midis çiftit perandorak meksikan dhe çiftit princor të porsa gatuar shqiptar, siç theksonte shtypi. Në të dy rastet ishte një grua lakmiqare, energjike, që bindi burrin e vet, që të bindet për një pozitë të lartë joshëse sa për dukje.
Ndërsa princ Wilhelmi në shtëpi në Neuwied, merrte mësim për gjuhën shqipe dhe studionte gjeografinë dhe gjendjen sociale të principatës së tij, bashkëshortja shkoi në Bukuresht, që tek Mbretëresha e Rumanisë, Elizabet av Wied-të, marrë një grimë informacionesh për kulturën popullore të Ballkanit. Vërtetë Mbretëresha Elizabetë, kishte publikuar nën pseudonimin “Carmen Silva”, disa shkrime të përzemërta interesante, të thjeshta në këto fusha. Të dy damat biseduan dhe Princesha av Wied, u kthye në Gjermani. Si një rezultat direkt i bisedave të rëndësishme, rezulton një porosi në Berlin për “kostume popullore shqiptare” dhe si kompletim të pajisjeve, siguroi Princesha një depo të pasur nga këngë popullore shqiptare dhe instrumente muzikore shqiptare.
Njëkohësisht me këto masa, u nisën një sasi valixhesh për në Durrës, i cili do të bëhej qyteti rezidencial i çifti princor. Banorët e qytetit qëndronin nga mëngjesi, deri në darkë në port, ku jo më pak se 156 arka të mëdha me mobile, pajisje kuzhine dhe gjëra tjera, u shkarkuan prej një avulloreje nga Trieste. 16 kuaj shale u strehuan nën një tendë, për mungesë stalle. U punua me rigorozitet për ta transformuar një ish banesë Pashai turk, në një “Pallat”. Për një mëditje të pabesueshme, mundoheshin marangozët dhe tapicierët austriakë, për të përgatit dhomat. Më e keqja qe me mijtë. Mjeshtri i ndërtimit, dërgonte njërin pas tjetrit raporte të dëshpëruara në Neuwied. Ai kishte provuar të gjitha ilaçet ç’shfarosëse, por kjo kafsha e ndyrë, prapë se prapë nuk donte të zhdukej nga “salla e fronit” dhe nga salloni i pritjes.
Pati gjithashtu një mori gjërash të tjera, që duheshin përgatit përpara se më në fund, të mund të niste udhëtimi. Me shumë mundim dhe kujdes përgatiti Wilhelmi, uniformën e vet princore. Sikur të mos kishte ndonjë traditë shqiptare, që të mbështetej d.m.th. veshjet e bukura të prijësve të malësisë, do të ishte përkundrazi e arsyeshme për traditën, por në sy të princit si shumë pak perëndimore, kështu ai do t´i besonte krejtësisht fantazisë së vet. Do të ishte e padrejtë, që të mos i japim atij një elozh për rezultatin: një kapotë ushtarake bojë gri e hapët me vija të gjëra floriri rreth mëngëve dhe spaleta të bukura, në kokë një kokore të bardhë gëzofi, si princ i madh rus dhe në ballë të kokores, nën shqipen e artë të Skënderbeut, një kordon të trashë të florinjtë me xhufka.
Por mjeshtëria ma e përsosur nga të gjitha, qe ideja për pendën e konstruktorit të uniformës së Princit. Ajo që e bardhë dhe një gjysëm metër e lartë dhe qëndronte njësoj si një fshesë, në një plumb floriri, drejt përpjetë në qoshin e kokores, sikur Princi mbante vazhdimisht mbi kokë, një bombë eksploduese në miniaturë. Edhe pse kjo kapelja madhështore, plotësonte kushtet e mëdha estetike, që kërkoheshin por që më vonë tregoi se kishte të paktën, dy telashe serioze: siç ishte se jepte shkak rreziku incidenti të prestigjit të Princit, nëpër dyert e ulëta shqiptare, si dhe u pa, që ishte pak e bezdisshme për kushtet mjaft tropikale të principatës.
Një tjetër masë e rëndësishme, që edhe u arrit, qe krijimi i një urdhri, “Shqiponja e bardhë e Skënderbeut”, si dëshmi falënderimi princor dhe u jepej personave të veçantë të merituar.
Me këtë filloi udhëtimi i Wilhelmit dhe Sofies së Shqipërisë prej Neuwied, drejt principatës tyre, që si vegla të bindur të diplomacisë gjermano-austriake, për të sheshuar rrugën për një politikë efektive në Ballkan.
***
Në Shqipëri valët e gëzimit qen të mëdha. Me të vërtetë jetonin akoma mbi një milion shqiptarë, nën zgjedhën e huajë, me të vërtetë ishte ky sovrani i ri i huaj dhe përveç saj, krishterë (në një shtet ku shumica më e madhe e popullsisë ishte myslimane) por megjithatë: ëndrra e lashtë e lirisë edhe pse jo krejtësisht, por më së shumti ishte realizuar. Qëllimi i politikës së madhe, që principata e re do detyrohej t’i shërbente, që për masën e gjerë të popullit, qe absolutisht e panjohur edhe brenda rretheve, të intelektualëve mbretëronte një optimizëm i çuditshëm, për sa i përkiste “pavarësia” e Shqipërisë së re. Njerëzit besonin atë që dëshironin të besonin, dhembshuria e hapur për luftën katër-qindvjeçare të shqiptarëve, për liri qe shkaku i lindjes së kombit.
Ata ishin krenar që nga superfuqitë, i’u njohtë Mbreti i vet, që fjala në shqip do të thotë sundimtar dhe që është një masakrim i fjalës latine imperator. Mbreti Wilhelm, kishte përmbush shpresat e mëdha të popullit shqiptarë, në atë moment që pranoi kurorën princore. Më në fund bujku shqiptarë vetë do të ishte zot i tokës së tij, sepse flitej në publik, që një reformë rrënjësore agrare, do të ishte pika e parë në programin e qeverisë së re. Bejlerëve do t´u kufizohej pushteti. Flitej edhe për ndërtime rrugësh madhështore, shkollash, industri dhe çdo gjë tjetër të mundshme, që do të ndihmonte popullin shqiptarë, të hedhë hapin prej mesjetës në kohën e re. Mbreti, qe caktua nga Allahu të ngrejë mantelin e rënë të Skënderbeut dhe të bëhet një Skënderbe i ri.
Dhe ndërsa shqiptarët festonin për fitimin e ri të lirisë, për princin e tyre dhe mbi mirësinë e padëgjuar të Allahut, qëndronte Wilhelm-Skënderbeg, me puplën dhe çdo gjë në tarracën e barkës Taurus, me destinacion Durrës dhe i jepte vetes kurajo: guxim! guxim! guxim!
Një që përkundrazi nuk qe aq i gëzuar mbi rrjedhjen e ngjarjeve, qe një burrë, që unë e kam përmend ma përpara: Esad Pasha. Ky tip i çuditshëm, kalorësi i pamëshirshëm, madje do të luante një rol të tillë deçisiv, në pesë muajt e historisë së principatës së Shqipërisë dhe që pa asnjë kusht, do një prezentacion më të hollësishëm. Si një anëtarë i fisit të lartë aristokrat, Toptani, u rrit në Shqipërinë e mesme dhe prej atje, prindërit e dërguan në Kostandinopojë, për studime më lart për oficer.
Këtu në moshë të re, ai ka sukses të madh, bëhet një nga të preferuarit e Abdyl Hamidit dhe mbushet plot me dëshmi lavdëruese, të cilat në fakt, nuk e pengojnë atë të konspiroj kundër Sulltanit. Unë kam treguar më parë, si është ai, si anëtarë i denjë i shoqatës “Turqit e rinj”, i paraqet rrëzimin Abdyl Hamidit. Për këtë trimëri, ai shihej me një aspekt krejt të veçantë, nga “Turqit e rinj” dhe dërgohet në Shqipëri, në krye të trupave turke, të shuaj lëvizjet për liri, në pjesën veriore të vendit. Atë ai e bën aq rrënjësisht dhe mizorisht, që pastaj shërbeu si një kundërshtarë i pamëshirshëm, për çdo gjë që quhej liri shqiptare.
Në fillim të ‘Luftës së Madhe’ Ballkanike, ai formoi një ushtri të vogël private, me të cilën marshoi drejt Shkodrës, ku mëkëmbësi turk me shumë vështirësi, përpiqet tu përballojë sulmeve të malazezëve. Në sajë të ndihmës së Esat Pashës, u përmirësua situata. Disa ditë pas ardhjes, fton mëkëmbësin turk, për një darkë të vogël në rezidencën e vet, ku e vret atë dhe merr komandën e mbrojtjes së qytetit. U duk sikur fati do t’u ngadhënjente turqve, kur papritmas dhe pamenduar i dorëzon qytetin malazezëve, pasi pat siguruar dalje të lirë prej qytetit, për vete dhe ushtrinë e tij.
Arsyeja e kapitullacionit qe e pa konceptueshme, por kontoja e shëndoshë e Esatit në Paris ngjitet ndjeshëm, në shkallë të lartë për arsye të shpërblimit nga malazezët. Me ushtrinë e tij private, ai vazhdon pastaj të luftoj vetë, kur i pëlqen dhe kur i tekej. Njerëzit e afërt të tije, vdesin njëri pas tjetrit nën rrethana mistike dhe Esati i trashëgon ata të gjithë. Ai bëhet më i pasur për çdo ditë, që kalon.
Dhe vjen një ditë, kur superfuqitë njohin Shqipërinë si komb të lirë. Esadi, që sapo ka shtyp mizorisht dhe me gjak lëvizjet për liri në Veri të Shqipërisë, është befasisht më i zjarrit mik i lirisë, në gjithë vendin. Fatkeqësisht superfuqitë nuk u treguan të interesuar për paraqitjen e propozimit diskret për një Mbret Esad I-rë. Për hidhërimin e tij, duhet që ky miku i zellshëm i lirisë, të shoh se si vendoset për Wilhelm av Wied, por ai e përmban veten dhe argumenton me Italinë: ky burrë nuk do ta ketë të gjatë në fron.
Ai ndryshon plotësisht dhe bëhet përkrahësi më i zellshëm i Princit. Kur delegacioni i aristokracisë shqiptare, niset për Neuwied për t’i ofruar Princit të ri kurorën, është Esadi, i cili është kryetari i delegacionit. Kur ‘Taurus’ më 7 mars 1914, shket në molo në Durrës, është Esadi, i cili qëndron përpara në këtë tubim, me aristokracinë shqiptare, që presin të përshëndesin mirëseardhjen e çiftit princor, në tokën Shqiptare.
Mbas këtij grupi të përbërë nga pashallarë dhe bejlerë me kapele republike, që shkëlqejnë dhe me veshje korrekte perëndimore, qëndron dhe pret me padurim, populli shqiptar. Skelat dhe brigjet janë mbushur me popull. Korrespondentë special të dërguar nga shtypi botëror, lëvizin penat në blloqet e shënimeve. Zien nga veshje të bukura, nga gra me ferexhe, me brekushe myslimane, nga barinj me gëzofë lëkur delesh dhe prijës malësie, me pallto kadifeje të qëndisura me flori.
Prej maleve në veri dhe jugë, prej luginave dhe rrafsheve të larta, kanë ardhë shqiptarët në Durrës, për të pa Mbretin e Shqipërisë. Ata kanë rrugëtuar ditë dhe javë, në gomar dhe kuaj, për të marrë pjesë në zbritjen historike në tokën e tyre. Kur ‘Taurus’ sapo dallohet në horizont, shpërthen entuziazmi pa fre. Njerëzit thërrasin dhe bërtasin, qeshin dhe qajnë. Kjo është dita e madhe e Shqipërisë.
‘Taurus’ dhe eskorta e destrojve, lëshuan spirancat jashtë molos. Një anije shkon te vapori i ardhur dhe disa minuta më vonë, nën sinjalet e trumbetave të muzikës ushtarake, qëndron Princi dhe Princesha e Shqipërisë, për herë të parë në tokë shqiptare. Wilhelmi me uniformën e re dhe duket madhështor, me qëndrimin e drejtë dhe figurën e shkëlqyer. Princesha e bukur është veshur sipas modës së fundit të Parisit.
Atëherë brohoritjet arritën kulmin. Nga masa e popullit gjëmon fjala përshëndetëse shqiptare, si një valë magjepse për çiftin princor:
– T’u njat jeta! T’u njat jeta!
Por Princi dhe Princesha, nuk përgjigjen sipas zakonit shqiptarë, me të njëjtën fjalë. T’u njat jeta! – jetofsh gjatë! – s´përfshihet në fjalorin e Princit. Wilhelmi çon dorën te kapelja e gëzofit, për nderim dhe thotë:
– Danke schën. Danke vielmals…
Dhe Sofija buzëqesh, me një buzëqeshje të përzemërt:
– Tres bien! Merci beaucoup…
***
Fatkeqësisht, nuk mundemi me e dit se çfarë mendonte Wilhelmi, kur ai prej tarracës së Taurus, pa qytetin e tij të ardhshëm përpara vetes: një grumbull shtëpiash të shkatërruara dhe rrugë të ndotura, port mjeran, ku vaporët nuk mundeshin, me u afruar në skele, por duhet të qëndronin jashtë saj, një “Pallat” që në asnjë farë mënyre e motivon të zihet me gojë, britma e turmave të njerëzve, me rroba të çuditshme dhe pamje të egra. Matanë qytetit, pa disa fusha të thata dhe pas fushave, vargmalesh të thata, me grumbuj reshë që të tmerrojnë.
Ndoshta i shkoi mendja dhe njëherë, te Perandori Maximilian i Meksikës. Kur ai i vëzhgoi më afër nënshtetasit e vet, i rrëshqitën sigurisht mendimet edhe në gjurmën e Meksikës. Në Berlin, Paris, London dhe kryeqytete të tjera, që ai njihte, zakonisht burrat shkojnë me bastunë ose ombrella. Këtu s´kishte faktikisht asnjë individ burrë, që nuk mbarte një pushkë, të gjatë, kërcënuese në kurriz.
Se çfarë mendonin shqiptarët, pas ballafaqimit të parë me sunduesin e ri, përkundrazi nuk është ndonjë sekret. Po atë natë, pasi entuziazmi i parë u qetësue dhe njerëzit në përgjithësi e mblodhën veten, filluan me pëshpërit mbi filxhanët e kafes. Nuk qëndronte një simbol i pahijshëm, në këtë që mbreti erdhi me një jaht austriak dhe eskortuar me vapore luftarakë italianë, një parandjenjë shqetësuese, sepse sundimi i huajë s´ka shumë, që ka mbaruar në Shqipëri?
Apo çfarë do të thonim mbi gjithë këto kartolina, të atij vetë dhe bashkëshortes, që mbreti ka shpërndarë në gjithë vendin? Si ishte e mundur, që një zonjë e lartë të dojë të dali pa perçe dhe jo vetëm kaq, por në dekolte të thellë, ekzakt sikur ajo krejt hapët, do të tregoj mospërfilljen e saj, për urdhrin e profetit? Dhe kabineti ministror i ri. Shpirt ligu i Shqipërisë, ishte Esat Pasha.
Krimet e tij të pa numërueshme, pa mëshirshmëria e tij legjendare, etja për pushtet e pangopshme. Pikërisht këtë Esad e kishte zgjedh, mbreti për ministër të brendshëm dhe të luftës. Si mundesh me e shpjeguar një përzgjedhje të tillë? Ishte arsyeja se mbreti nuk njihte situatën shqiptare apo marrëzi fare? Apo thjesht nga frika e këtij pashait të fuqishëm? Përveç asaj, as qeveria në përgjithësi nuk të jepte besim. Si ishte e mundur, që shqiptari i thjeshtë të shpresonte në një reformë agrare, kur të gjitha postet e ministrive, i kishin bejlerët çifligarë?
Megjithatë, nuk qe asnjë gjendje revolte, që dominonte në Durrës, qe vetëm një pesimizëm i vazhdueshëm, parandjenja shqetësuese, që ishte vështirë me e shkund. Njerëzit mundoheshin faktikisht, sa mundeshin të ndihmonin Mbretin, në misionin e tij. Për të larguar mendimet në anë tjetër, njerëzit shkuan poshtë në skelë dhe këqyrnin midis dërrasave të gardhit të “Pallatit”. Ai dukej madhështor me gjithë ata funksionar me uniforma të mbushura me dekorata, që vraponin sa para mbrapa, midis arkave dhe kutive akoma të pahapura.
Edhe roja duket impresionues, me uniformën ngjyrë ulliri te gjelbër dhe me pushkë me bajonetë të mbërthyer. Por ajo që bëri përshtypjen më të madhe, ishin ata dy shërbëtorët. Njëri kishte veshje malësore, pra shqiptar i Veriut dhe tjetri veshje toske, d.m.th. shqiptar i Jugut. Pra kjo ishte një shenjë, që Shqipëria është bërë një shtet homogjen! Nuk mund ta dinin spektatorët, që kjo qe vetëm një imitacion i thjeshtë i rojeve austriake dhe hungareze në Wiener Hofburg. Memorie.al