NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar emrat e 436 mësuesve që do të hyjnë në provim shteti nga 1 dhjetori deri më 12 dhjetor, datë kur mbyllet dhe cikli i këtij testimi. Në total, në këtë sezon do t’i nënshtrohen provimit të shtetit rreth 2 mijë mësues. “Gazeta Shqiptare” sot publikon emrat e 436 kandidatëve në dymbëdhjetë profile. Kandidatët në profilet Biokimi e Gjuhë Gjermane do të jenë të parët që futen në testim më 1 dhjetor. Pas tyre më 2 dhjetor testohen profilet e mësuesve në Biologji, Kimi dhe Shkenca Sociale. Më datë 5 dhjetor radhën e ka Matematika e Fizika, ndërsa vazhdon me 6 sërish matematikë, informatikë. Më 7 dhjetor do të hyjnë në provim mësuesit e fizkulturës dhe Gjuhës Italiane ndërsa me 9 dhe 12 djetor kemi mësuesit e arsimit fillor.

Bashkëngjitur emrit, kandidatët kanë datën dhe orën që do të hyjnë në provim të shtetit. Kandidatët duhet të bëjnë verifikimin e emrave në listat e mëposhtme për ndonjë parregullsi në të dhënat e tyre. Në ditën e provimit, në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim si dhe mjetin e identifikimit dhe mandatpagesën e tarifës së regjistrimit për provim shteti. Kalimi me sukses i këtij provimi u jep të drejtë aplikantëve që të marrin licencën e ushtrimit të profesionit të mësuesit, në të kundërt nuk mund të punësohen.

TARIFA & PYETJET
Tarifa së cilës i nënshtrohen kandidatët që hyjnë në këtë provim, vjen në rritje në mënyrë progresive në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12.500 lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17.500 lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së; nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në postë. Të gjithë kandidatët që do hyjnë në provim të shtetit mund të gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së fondin e pyetjeve që do të bien në provim si dhe programet orientuese. Në testim kandidatët do të kenë 50 pyetje me alternativa, dhe në total vlerësohen me 100 pikë. Që të quhen kalues, duhet të marrin patjetër 50 pikë. Përgjigjen, kandidatët e marrin menjëherë sapo përfundojnë testimin, pasi ky provim është i informatizuar.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb