Nga: ERMELINDA HOXHAJ*TIRANE-Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet tri javët e para të muajit korrik. Të drejtën për të hyrë në këtë provim e kanë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar për mësuesi dhe kanë përfunduar me sukses praktikën profesionale. Nëse në këtë provim kandidatët dalin me sukses, atëherë u lind e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Agjencia Kombëtare e Provimit njofton mësuesit se testimi për ta starton fillimin e javës që vjen, më datë 6 korrik, dhe pritet të zgjasë tri javë, pra deri më datë 25 korrik. Në faqen zyrtare të AKP-së, kandidatët mund të gjejnë fondin e pyetjeve që do të bien në provim si dhe programet orientuese. Mësuesit që mbarojnë me sukses praktikën profesionale, këtë vit shkollor 2014-2015 janë të regjistruar, ndërsa mbetësit në provimin e shtetit në sezonet e kaluara duhej të ishin regjistruar pranë Drejtorive Arsimore përkatëse brenda ditës së djeshme, në të kundërt nuk hyjnë dot në provim. Testi i provimit të shtetit është i informatizuar; ai përbëhet nga 50 pyetje me alternativa për çdo profesion dhe vlerësohet me 100 pikë. Një kandidat, që të konsiderohet kalues duhet të marrë minimalisht 50 pikë. Përgjigjet, kandidatët i marrin menjëherë sapo përfundojnë provimin.
Data & Tarifat
Agjencia Kombëtare e Provimit njofton se provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të nisë fillimin e javës që vjen, në datën 6 korrik 2015. Drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi ka sqaruar se: “Provimi për profesionin e rregulluar të mësuesit pritet të nisë në datën 6 korrik. Ne jemi të varur nga DAR/ZA-të, pasi ata na sjellin listat e kandidatëve që do të testohen. Regjistrimi ka vijuar deri në datën 30 qershor nëpër Drejtori Arsimore, kështu që duhen pak ditë sa të bëhet kontrolli i kandidatëve që janë regjistruar dhe ne të shpallim datat sipas 24 profileve të mësuesisë që do testohen”. Sipas saj, numri i kandidatëve ende nuk dihet zyrtarisht, pasi veç kandidatëve që mbyllin këtë vit praktikën, janë edhe kandidatët që nuk e kanë marrë provimin në testimet e mëparshme. “Numrin e saktë ende nuk e dimë, pasi nuk na kanë ardhur listat nga Drejtoritë Arsimore. Normalisht, ne sapo të na vijnë listat, do bëjmë ndarjen e datave të provimit sipas profileve përkatëse. Kapacitetet e AKP-së janë të limituara, pasi ne kemi vetëm 54 kompjuter dhe maksimalja që mund të testojmë janë 108 kandidatë në një ditë. Me përjashtim të disa rasteve, që i nënshtrohen provimit të shtetit tri grupe brenda një dite”, – sqaroi drejtoresha e AKP-së, Vrapi. Datat dhe oraret sipas profileve do të publikohen në ditët në vijim të kësaj jave. Të gjithë kandidatët që do hyjnë në testim, mund të gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së fondin e pyetjeve që do të bien në provim si dhe programet orientuese. Ndërsa për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12 mijë lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17 mijë lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së; nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në Postë.
Dokumentet & Rregullat
Sipas rregullores së provimit të shtetit, kandidatët duhet të paraqitet në AKP 40 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit, duhet të kenë me vete letërnjoftimin ose pasaportë për pjesëmarrje në provimin e shtetit si dhe fotokopje të tij, vërtetim regjistrimi si dhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit. Sipas AKP-së, në rast se ka kandidatë që kanë ndryshuar mbiemrin, ata duhet të paraqesin certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Po ashtu, për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme: Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi; ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit; ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
(a.n/GSH/BalkanWeb)
